Fokus

A po paralajmëron Grenell që më 2 shtator arrihet marrëveshja finale Kosovë – Serbi?

Autori: Halil Berisha 14:41 | 14 August 2020

Një takim në mes të liderëve të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë brenda më pak se tre javëve.

Këtë gjë e lajmëroi Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi, shkruan gazeta Infokus.

Një takim të tillë, Grenell e kishte paralajmëruar edhe më 27 qershor, i cili nuk u mbajt asnjëherë, shkaku i lajmërimit për ngritje të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

-Advertisement-

Por, si duket gjërat kanë ndryshuar prej qershorit dhe se as takimi më nuk do të jetë i njëjtë.

Kjo lë të kuptohet nga vet lajmërimet e Grenell për të dy takimet, shkruan gazeta Infokus.

Për takimin e 27 qershorit, Grenell thoshte se do të ketë fokus ekonominë, derisa e cilësonte si diskutime për dialogun.

“Lajm i mirë. Sapo pranova angazhimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë për të pezulluar përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe anëtarësimet në mekanizmat ndërkombëtarë, me qëllim që të takohemi në Uashington DC, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, për të biseduar për dialogun.Nëse njëra palë nuk është e kënaqur me bisedimet e 27 qershorit, ato mund të kthehen sërish në status quo, pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne së pari duhet të bëjnë përparim në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mirëpres këto diskutime”, kishte shkruar Grenell në Tëitter.

E ky lajmërim i takimit të 27 qershorit dallon shumë nga lajmërimi për takimin e tanishëm, të 2 shtatorit, shkruan gazeta Infokus.

Tash, Grenell ishte shumë më i shkurtër dhe më nuk përmendte as ekonomi dhe as takimin nuk po e quan diskutim për dialogun.

“We are happy to announce that the leaders of Kosovo and Serbia will meet at the White House for a negotiation on September 2”, ka shkruar Grenell, që në shqip i bije:

“Jemi të lumtur të lajmërojmë që liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për një negocim më 2 shtator”.

Pra, siç shihet, tash Grenell veçse nuk i referohet takimit me “diskutime për dialog” këto i quan në njëjës, “a negotiation” ose “një negociatë”.

Duke u nisur nga kjo mund të aludohet se kjo mund edhe të jetë një paralajmërim që në këtë takim mund edhe të ndodhë marrëveshja finale, shkruan gazeta Infokus.

Kujtojmë që një ditë më parë Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, lajmëroi që është arritur marrëveshje historike paqeje në mes të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, gjë që për shumëkë u cilësua si e befasishme.

Ndërsa edhe ish-Kryeministri i Kosovës e lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po thotë që derisa janë afër zgjedhjet në ShBA, Grenell po synon një sukses të orëve të fundit./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera