Lajme

A po ja “mbyll dyert” Kosova diasporës, me detyrimin për vaksinim?

Autori: Gazeta inFokus 17:56 | 04 December 2021

Qeveria e Republikës së Kosovës së fundmi ka miratuar masat e reja kundër COVID-19.

Në vendimin e datës 01.12.202 për masat që për qëllim kanë ruajtjen e shëndetit publik nga COVID-19, Qeveria si duket nuk e ka menduar ardhjen e diasporës në vendlindje për festat e fundvitit. Aty thuhet se nga data 06.12.2021 hyrja në Kosovë do të lejohet vetëm nëse udhtarët janë të vaksinuar komplet, ose së paku me një dozë të vaksinës kundër Covid-19.

Kjo është përcaktuar në vendimin e fundit në paragrafin B dhe pikën 2, si dhe pikën 5.7 e cila vlen për personat që kanë dëshmi mjekësore që kanë kundër indikacione shkencërisht të vertetuara për mos vaksninim, persona këta që do t’u lejohet hyrja vetëm me test negativ.

“B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19;

Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë;

Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).”

Ky vendim i Qeverisë, në kohë pushimi dhe festash, prekë mërgimtarët, të cilët zakonisht vijnë në dhjetor për të festuar së bashku me familjarët e tyre në Kosovë, shkruan albinfo.ch. Dhe kjo u vendos pa asnjë paralajmërim, edhe pse dihet se në të shumtën e rasteve, bashkatdhetarët rezervojnë biletat paraprakisht për të ardhur në Kosovë. Në këtë rast, ata të cilët kanë prerë tashmë biletat për Kosovë, por që nuk janë të vaksinuar me një dozë, do t’u duhet të anulojnë pushimin e tyre, ose obligohen të vaksinohen para se të vijnë në vendlindje. Humbja e parave të investuara në bileta, fundja nuk i intereson Qeverisë së Kosovës, ani pse diaspora është motori i fuqishëm i ekonomisë së Kosovës.

Në anën tjetër, kosovarët që jetojnë në diasporë, por të cilët kanë një pasaportë të shtetësisë kosovare, do të lejohen të hyjnë në Kosovë nëse pranojnë të vaksinohen në pikat kufitare apo në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, gjë kjo që nuk u mundësohet bashkatdhetarëve që kanë pasaporta të shteteve respektive ku ata jetojnë.

E puna për të hyrë në Kosovë do të vështirësohet edhe më shumë nga data 3 janar 2022. Nga kjo datë e tutje, Kosovën mund ta shkelin vetëm përsonat që janë 100% të vaksinuar, pra që kanë marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.

“Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia sipas pikës 2.1 të këtij Vendimi.

Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19;”

Për të qenë të sigurt nëse këto vendime qëndrojnë kështu në raport me diasporën, Albinfo.ch, ka kontaktuar me e-mail Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët janë përgjigjur si vijon:

“Hyrja në Kosovë i referohet çdo personi që hyn në Kosovë, pavarësisht nëse është shtetas i Kosovës apo jo. Në vendime, pastaj specifikohet për ata që kalojnë tranzit apo për rastet e tjera”, thuhet në përgjigjen e tyre, për Albinfo.ch.

Sipas raporteve të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, situata me COVID–19, në Kosovë është stabile, ku dje me datë 03.12.2021 kanë qenë 13 raste të reja pozitive, ndërsa 16 dhe 8, ka qenë numri i rasteve positive në dy ditët e para të muajit dhjetor.

Në anën tjetër, Zvicra ka hequr karantinën për të gjitha shtetet, por testi PCR është i obliguar për hyrje në këtë vend./Albinfo.ch.

Të tjera