A po hezitojnë punëtorët shëndetësorë që ta marrin AstraZenecan?
Autori: Gazeta inFokus
10:46 | 07 April 2021
Në Kosovë, në javën e parë të fillimit të imunizimit kundër koronavirusit, pak më shumë se 3.000 punëtorë shëndetësorë janë vaksinuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë 15.000 punonjës shëndetësorë në sektorin publik dhe atë privat. Po ashtu, rreth 500 mjekë nga Kosova, në fund të marsit u vaksinuan kundër COVID-19 në Kukës të Shqipërisë me vaksinën e AstraZenecas.
Më 28 mars, në Kosovë arriti kontingjenti i parë me 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas. Këto vaksina, Kosova i mori falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe një ditë më pas, i pari që u vaksinua ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Më pas, Kurti deklaroi se ai e mori i pari vaksinën pasi dëshironte që të inkurajonte qytetarët që të vaksinoheshin dhe që të hiqeshin dilemat rreth sigurisë së vaksinës të AstraZenecas.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti pohon se nuk ka dyshime në mesin e punëtorëve shëndetësorë në Kosovë lidhur me vaksinimin dhe ai vlerëson se është ende herët që të nxirren përfundime të tilla.
“Mund të ishte më shumë (numri i punëtorëve shëndetësorë të vaksinuar), por ky është vetëm fillimi i procesit. Unë pres që në ditët në vijim, një numër më i madh njerëzish të aplikojnë për vaksinim, kryesisht nga sektori i shëndetësisë”, tha Hoti për Radion Evropa e Lirë..
“Dyshimet janë të vogla, ky është hapi i parë i këtij procesi. Natyrisht, jo të gjithë do të vaksinohen në ditën e parë ose të dytë”, u shpreh Hoti dhe shtoi se faza e parë e imunizimit do të zgjasë të paktën edhe për dy javë.
“Pas punëtorëve shëndetësorë, ne do të vazhdojmë të vaksinojmë të moshuarit dhe të sëmurët kronikë”, shpjegon Hoti.
Plani shtetëror i vaksinimit në Kosovë është planifikuar që të zbatohet në tri faza.
Në fazë e parë, e cila tashmë po vazhdon, po vaksinohen punonjësit shëndetësorë dhe imunizimi i personave mbi 80 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike pritet të nisë më 8 prill.
Në fazën e dytë do të vaksinohen personat nga 65 deri në 79 vjeç, të sëmurët kronikë, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë, që ishin të përfshirë në menaxhimin e situatës gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në fazën e tretë, do të nisë vaksinimi masiv i qytetarët dhe është planifikuar që të imunizohen nga 50 deri në 70 për qind e popullatës.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se nuk e di se pse është numri kaq i ulët i punëtorëve shëndetësorë që janë vaksinuar deri më tani dhe shton se me siguri janë ngritur çështjet me “infomaninë” rreth vaksinës së kompanisë AstraZeneca.
Për shkak të disa raportimeve për mpiksje gjaku te personat që e morën vaksinën e AstraZenecas, disa shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë, ndaluan përkohësisht administrimin e kësaj vaksine. Por, Agjencia Evropiane e Barnave tha më pas se kjo vaksinë ishte e sigurt për përdorim. Ndërkaq, OBSH-ja u ka bërë thirrje shteteve që të mos ndërpresin imunizimin me këtë vaksinë sepse nuk ka të dhëna që ia atribuojnë vaksinës rastet me mpiksje gjaku.
Sejdiu thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të vije në një përfundim se pse në mesin e mjekëve ekzistojnë paqartësi lidhur me imunizimin kundër koronavirusit, por ai thotë se e ka të paqartë edhe pse numri i të vaksinuarve deri më tani është kaq i vogël.
“Numri i ulët i të vaksinuarve në mesin e stafit shëndetësor dërgon një mesazh të keq te qytetarët e Kosovës, të cilët më pas pritet të vaksinohen”, tha Sejdiu.
Vaksinimi kundër koronavirusit po bëhet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë si dhe në Qendrat rajonale të Mjekësisë Familjare, në disa komuna të Kosovës.
Ndërkohë, zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti tha se Kosova është në negociata me kompaninë amerikane, Pfizer për sigurimin e vaksinave, por nuk ka treguar qartë se deri ku ka arritur ky proces.
Hoti shtoi se Kosova në fund të majit do të sigurojë edhe mbi 76.000 doza të AstraZenecas nga programi COVAX.
Që nga 13 marsi, 2020 deri më 6 prill, 2021, Kosova ka regjistruar 94.656 me COVID-19. Prej tyre, 1.934 kanë vdekur dhe 78.702 persona janë shëruar.
Të tjera
-
Edhe ky shtet ndalon plotësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca
Danimarka ka ndaluar imunizimin përmes vaksinës AstraZeneca-Oxford kundër kor...
-
Emërohet zëdhënësja e Qeverisë së Republikës së Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës nga sot do të ketë dy zëdhënës. Kryeministri,...
-
Përfaqësues të disa shteteve i shkruajnë Vjosa Osmanin
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot telegrame ur...
-
Atifete Jahjaga me mesazh për Shefqet Krasniqin, publikon dy fotografi
Atifete Jahjaga publikon dy fotografi: Në krye të odës dhe në krye të shtetit...
-
‘Gratë e kanë vendin në kuzhinë’ – Qytetarja i kundërpërgjigjet me një fotografi Shefqet Krasniqit
Kaltrina Ibishi një qytetare e Kosovës përmes një postimi në llogarinë e saj ...
-
Zemaj kritikon Arben Vitin për menaxhimin e pandemisë
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për...
-
“Jam krenar për ty”, Albulena Haxhiu pranon letër mirënjohje nga djali i saj
Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, e priti një dhuratë e bukur, pas nj...
-
Blerta Deliu i përgjigjet Shefqet Krasniqit: E bëra darkën, dola në konferencë, erdha në emision
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, i është kundë...
-
“Duhet të kërkojë falje”, edhe hoxhallarët kundër deklaratës së Shefqet Krasniqit për gratë
Hoxhë Shefqet Krasniqi, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame, duke komen...
-
Degradohet drejtori i Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse i Policisë së Kosovës, Hamdi Hyseni
Tjetër largim ka ndodhur sot brenda Policisë së Kosovës në kuadër të reformav...
-
Oda e Hotelerisë nesër dorëzon kërkesë që dasmat të mbahen me 250 persona
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), do të bëjë kërkesë që me 10 q...
-
Albin Kurti emëron edhe një zëvendësministër
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Bardhyl Dob...