Fokus

A po helmohen qytetarët e Dukagjinit nga uji i Hidrodrinit?

Autori: H. Smajli 16:10 | 12 July 2021

Një muaj më parë një numër i madh i banorëve të fshatit Kryshec në komunën e Pejës u helmuan.

Rreth 30 banorë të këtij vendi kërkuan edhe ndihmë mjekësore.

Dyshimet e para ishin që të njëjtit u helmuan nga uji i pijshëm.

-Advertisement-

Menjëherë punëtorët e  kompanisë ‘KRU ‘Hidrodrini’-Pejë  Njësia Operative-Deçan, kishin dalë në vendin e ngjarjes për të marrë mostrën e ujit.

Ndërsa kryetari i fshatit, Muhamet Berisha për Gazetën inFokus në kohën kur ndodhi rasti kishte treguar edhe për simptomat që kishin pasur banorët pas helmimit.

“Vjellje, dhimbje barku pra helmim, banorët nuk kanë pasur ndonjë simptomë tjetër kështu më kanë thënë vetë ata”, ka thënë Berisha.

Gazeta inFokus kishte kontaktuar edhe me Ismet Malokun nga “Hidrodrini” në Pejë.

Ai ka deklaruar për Gazetën infokus se nuk dihet se nga çfarë ka mundur të vijë ky helmim mirëpo që gjasat janë të vogla që të ketë qenë helmim nga uji.

“Rastin tek ne e ka paraqitur një banore e këtij fshati dhe ne menjëherë kemi marrë masat por tani deri sa mostra të kthehet nga Instituti a është helmim nga uji apo nga çfarë”, ka thënë Maloku për Infokus.

E edhe rezultatet e mostrës së ujit që ka siguruar Gazeta inFokus thonë se helmimi në Kryshec nuk ka ndodhur nga uji i pijshëm.

Në këto rezultate të Institutit Rajonal të Shëndetit Publik thuhet se mostrat janë në rregull dhe se uji në këtë pjesë i plotëson të gjitha kushtet për pije.

Një muaj më vonë, fundjavën që lamë pas,  një rast i njëjte ka ndodhur edhe në komunën e Deçanit, përkatësisht në fshatrat Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri, ku përsëri po dyshohet se helmimi i 884 banorëve ka ardhur nga uji.

E uji i pijshëm në këto komuna menaxhohet nga e njëjta kompani e që është KRU Hidrodrini.

Në një konferencë për media, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj të hënën deklaroi se nga rezultatet e para ka dalë që uji në këtë pjesë është kimikisht në rregull mirëpo që janë duke pritur rezultatet e analizës mikrobiologjike.

“Edhe pse është thënë që nga ujësjellësi nga rezultatet e para ka dalë që uji kimikisht është i përdorshëm, mirëpo që po i presim edhe analizat mikrobiologjike të cilat edhe do të na japin një rezultat efikas, për këtë helmim nëse mund ta quaj e që deri më tani kanë qenë 884 pacientë me këto simptoma të njëjta”, ka deklaruar i pari i komunës.

Po ashtu ai ka konfirmuar se në lidhje me rastin ka filluar hetimet edhe Prokuroria, shkruan Gazeta inFokus.

“Për ata në dje kemi marrë një vendim që uji i 20 fshatrave dhe lokaliteteve që furnizohen nga i njëjti gyp për nga është edhe koncentrimi më i madh i pacientëve të mos përdoret deri sot kur ne kemi pas edhe takime të stukuara ku është njoftuar edhe prokuroria, hetuesit policia e shtetit, kompaninë rajonale Hidrodrini dhe po ashtu Institutin Rajonal të Shëndetin Publik të cilët janë duke e kryer punën e tyre për të pasur një ekspertizë të saktë dhe një përgjigje të qartë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Ramosaj.

I njëjti ka paralajmëruar se nëse deri te helmimi i banorëve ka ardhur nga uji i pijshëm atëherë ndaj kompanisë KRU Hidrodrini do të merren masat e nevojshme ligjore./Gazeta inFokus/    

Detaje të reja: Nga çfarë u helmuan banorët e Kryshecit të Pejës, flet kryetari i fshatit

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera