Opinione

A po e shihni apo ende jo efektin amerikan?

Autori: Gazeta inFokus 12:00 | 14 May 2022

Derisa SHBA ishte e mbërthyer me luftën kundër terrorizmit në Lindje të Mesme, Rusia po fitonte terren në Evropë edhe atë që prej ardhjes së Putinit në pushtet në vitin 2000. Hapi parë brutal ishte vrasja e Gjingjiqit në Serbi në vitin 2003, trazirat në Kosovë në vitin 2004.

Shkruan: Agron HOTI

Po shihej qartë që Rusia tanimë po synonte kthimin në pushtet të njerëzve të Millosheviqit, sepse vetëm përmes forcave proruse në Beograd mund ta destabilizonte rajonin dhe tërë Evropën. Në BE, Rusia po fitonte terren përmes energjisë duke korruptuar pothuaj tërë elitën politike të Brukselit dhe Vendeve të BE-së. Të njëjtën gjë po e bënte Kina. Politikanët e Evropës filluan të bëheshin top menaxherë, pra top të korruptuar, nëpër firma ruse e kineze.

-Advertisement-

E absurdi i absurdit të absurdërave ishte kur BE po kritikonte Ballkanin Perëndimor për korrupsion e krim të organizuar, ndërsa realiteti ishte që përmasat e korrupsionit dhe krimit të organizuar në BE në vlerë paraje të nxitura edhe nga Kina e Rusia ishin dhe mbeten me vit-drite më të mëdha sesa në Ballkan Perëndimor, sepse ka një thënie “aty ku është paraja, aty vidhet, aty ku s’ka para s’ke as ç’të vjedhësh’.

Por, moto e BE-së ishte “më mirë po të them që je i korruptuar, sesa të më thuash” dhe kjo shitej ashtu siç shitet edhe sot, sepse kushtet për familje evropiane i cakton vetë familja evropiane e jo ne, ndaj fjala e tyre, ecën jo e jona. Po të mos ishte rritja e ndikimit rus e kinez, ky narracion kriterial i BE-së do të ishte në rregull, por e vërteta ishte që ishte Rusia e Kina të superkorruptuarat që po e korruptonin BE-në që kjo e fundit të kritikonte korrupsionin në Kosovë e Ballkan Perëndimor. Pra, korrupsioni në Moskë e Pekin bashkë me korrupsionin në Bruksel, po i shisnin moral Prishtinës që mezi po bëhej shtet dhe mezi po merrte frymë nga një luftë shfarosëse që kishte bërë Serbia ndaj shqiptarëve.

Sa më shumë që Rusia e Kina po lëshonin rrënjë në Evropë, aq më shumë po degradonte BE. Dhe maja ishte kur në vitin 2020, 2021 e 2022, Rusia e Kina po përcaktonin pothuaj tërësisht politikat e Brukselit. Edhe Demarkacionin si kriter për viza po na e fuste Brukseli i ndikuar nga Rusia për ta ndezur flakë nga brenda Kosovën, ku forcat politike në Kosovë pavetëdijshëm për pak sa nuk patën rrëshqitur në luftë qytetare nga përbrendësimi politik i demarkacionit rus. Kosova që nga demarkacioni u rrënua politikisht e kombëtarisht nga brenda dhe kjo ishte minim demokracie sipas kushteve ruse.

Qëllimi rus ishte i qartë, Kosova të mbetej e izoluar, të shihej në botë si dështim i projektit amerikan dhe izolimi i Kosovës të maskohej nga deklaratat e BE-së se “Kosova nuk na paskësh bërë sa duhet në luftën kundër korrupsionit” një Kosovë që mezi po i çelte sytë dhe që sapo kishte dalë (si askush në rajon) nga një luftë shfarosëse. E absurdi tjetër i absurdërave ishte kur BE në emër të kritereve ruse në Bruksel po hapej ndaj Serbisë e mbyllej ndaj Kosovës siç vazhdon të jetë edhe sot.

E kur SHBA u sigurua që Rusia e Irani nuk i kishin më në dorë qeverinë e re të Irakut, Afganistanit, Pakistanit dhe kishin humbur terren dhe se nuk kishte më shanse që Rusia të dilte në Oqeanin Indian (ujëra të nxehta) siç historikisht e ka ëndërruar (shih luftën BRSS-Afganistan), atëherë SHBA u zhvendos me shpejtësi në Evropë, për të parandaluar kështu rrëshqitjen e mëtejme të BE-së kah Rusia, sepse kjo po ia rrezikonte SHBA-së krahun lindor të saj, pra Atlantikun, të cilin SHBA, ashtu siç s’e kishte lejuar Gjermaninë naziste ta kishte nën kontroll, nuk do ta lejonte kësaj radhe as Rusinë putiniste dhe askënd tjetër në botë sa të është Superfuqi.

Por, nuk duhet harruar që 20 vite të SHBA-së përqendrim në Lindje të Mesme, i kishin humbur shumë terren në Evropë. Sepse Gjermania në pamundësi nga Franca të shpërthente si forca politike numër një në Evropën Kontinentale, kishte rrëshqitur pothuaj e tëra nën ndikimin rus sipas interesave franceze. Fatkeqësisht çdo politikë nga viti 2000 e deri në 2022 që po vinte nga Brukseli, po vinte me bekim të Gjermanisë dhe Francës sipas orkestrës ruse. Elita gjermane kishte rrëshqitur pothuaj e tëra kah Rusia dhe efektet po shiheshin edhe në Kosovë dhe Shqipëri dhe kjo po shihej me befasi nga shqiptarët që goxha shumë ishin dhe janë të orientuar kah Gjermania. Firmat franceze ishin bërë partnerët kryesorë të firmave ruse.

Mbajtja e Kosovës së izoluar dhe braktisja e Shqipërisë, të shoqëruara me minim e kontamimin intensiv demokracie, po bëheshin para syve të Brukselit të kontrolluar nga Rusia. Defaktorizimi i shqiptarëve po merrte formë, gjersa faktorizimi i serbëve po ecte përpara. Absurdi ishte kur Kosovës e Shqipërisë proamerikane e proevropiane po i mbylleshin dyert, kurse Serbisë millosheviqiane proruse e prokineze po i hapeshin. Dhe ky dhunim realiteti s’kishte të ndalur, kur Krerët e UÇK-së që kishin bërë luftë çlirimtare kishin bashkëpunuar me NATO po futeshin në burg, kurse njeriu numër një i Millosheviqit, pra Vuçiçi, po shihej nga Brukseli i pishtar i demokracisë, ndaj po sillej në pushtet. Pra, demokracia në Evropë po rrënohej dhe ndërhyrja urgjente e SHBA-së ishte bërë imperativ i kohës.

Aq shumë kishte rrëshqitur Evropa kah Rusia e Kina sa SHBA s’kishte më asnjë mundësi tjetër shkoqitjeje, përpos mbështetjes së fuqishme të Ukrainës nga SHBA për t’i dalë ballë Rusisë. Dhe ashtu ndodhi. Sapo filloi lufta në Ukrainë, Evropa menjëherë u zgjua nga gjumi rus e kinez dhe e kuptoi ku kishte rrëshqitur. Efekti: Ukraina mori përkrahjen e botës, kurse Rusia doli të ishte agresori. Sa më e gjatë që të jetë lufta në Ukrainë aq më shumë do të shkëputen lidhjet e Evropës me Rusi. Sa më shumë që shkëputen këto lidhje me Rusi aq më shumë do të kthjellet Evropa. E sigurisht që kjo ndryshon në të mirë të shqiptarëve.

Lufta në Ukrainë, e mbështetur nga SHBA, ishte dritarja e vetme e ripozicionimit gjerman. Riarmatosja e Gjermanisë e kthen këtë vend në qendër të Evropës Kontinentale dhe e mban të kthyer kah SHBA. Dhe kjo veç sa ka filluar t’i lëshojë frytet e para edhe në Kosovë.

Sepse, derisa derisa nga 2000-2022 raportet e BE-së për Kosovë e Shqipëri po dilnin secili më i zi se tjetri, tanimë për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës vetë BE dhe shumë top vende të saj po thonë që Kosova ka demokraci më të zhvilluar në rajon. Pra, lufta në Ukrainë e ndryshoi për 180% rrëfimin e Kosovës që po rrezikonte të zhbëhej nga Brukseli i mbërthyer nga Moska e Pekini. Aq shumë kishte investuar Rusia në Ballkan Perëndimor përfshirë Kosovën e Shqipërinë saqë kjo ishte e pabesueshme. Dhe këtë e kishin bërë në media, shoqëri civile, fe, politikë, opinionëbërës, qarqe akademike. Vetëm sabotazhi që po i bëhej Kosovës nga brenda për mospavarësim energjetik kinse nën maskën e mbrojtjes së mjedisit ishte fatal, pasojat e të cilit po i vuajmë edhe sot. E shumë e shumë raste tjera, pa e përmendur këtë thyerjen dhe kontaminimin brutal të realitetit politik e social në Kosovë e Shqipëri.

Tash aq shumë kanë për të na lavdëruar shtete të BE-së dhe vetë BE, sa kemi për t’u befasuar nga ky ndryshim narracioni. E i tërë ky megandryshim narracioni ndodhi vetëm falë punës së amerikanëve. Uroj që mos të na marrë mësyshi…

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera