Fokus

A po e bën Thaçi Haradinajn President?

Autori: Halil Berisha 15:02 | 13 August 2020

Në paraqitje publike shfaqen si kundërshtarët më të mëdhenj. Por, në prapaskenë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e kreu i Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj duket se ka kohë që po punojnë një plan për karrigen e të parit të vendit.

Në fakt, ky i fundit, këtë të martë të 13 gushtit, befasisht shpalli kandidaturën për President të Kosovës, post që tash mbahet nga Thaçi.

Por, për këtë kandidim nuk ka shfaqur aspak befasi Presidenti Thaçi.

-Advertisement-

Mosmarrëveshjet e një viti më parë , mes tyre, janë lënë anash dhe veprimet e tyre kohëve të fundit tregojnë për marrëveshje të mundshme që do t’i hapë rrugë kreut të AAK-së ta zëvendësoi ish-kreun e PDK-së në postin më të lartë shtetëror.

Gazeta Infokus mëson nga burime të sigurta se Haradinaj është përkrahur direkt nga i pari i shtetit, të cilit nuk i ka mbetur as edhe një vit i plotë mandat.

Veç kësaj, ndaj Thaçit ekziston edhe një aktakuzë e pakonfirmuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e që në rast se konfirmohet Thaçi ka premtuar dorëheqje.

Gazeta Infokus ka mësuar që nëse arrihet që Haradinaj të bëhet President i Kosovës, hapi i parë do të jetë ndryshimi i ligjit që do t’i mundësoj kandidatëve për President të zgjedhen nga populli.

Kësisoj mund t’i mundëoshet edhe një mandat i ardhshëm si kryetar shteti Hashim Thaçit.

Afërsinë mes Thaçi e Haradinaj e shpërfaqën në proceset e fundit politike, në formimin e Qeverisë së Kosovës.

Është edhe momenti kur ish-deputeti i NISMA-s Haxhi Shala, nga i cili edhe varej Qeveria Hoti, ani se kishte refuzuar të votoj, atij në vizitë në ora 1 të natës i kishin shkuar jo shefi i tij i partisë, Fatmir Limaj, por Ramush Haradinaj bashkë me Hashim Thaçin.

E kjo të dy, me një veturë, shkruan gazeta Infokus.

Hasmëritë Thaci-Haradinaj

Por, e kaluara e tyre është përplotë përplasje të jashtëzakonshme.

Derisa Haradinaj ishte kryeministër dhe nuk pranonte të hiqte taskën 100% ndaj produkteve serbe dhe Bosnjës e Hercegovinës, pavarësisht presionit të SHBA-ve thuajse në baza ditore Presidenti akuzonte atë për prishje të marrëdhënieve me miqtë më të mëdhenj të Kosovës.

“Nuk ka individ apo agjendë ditore që do ta sfidojë këtë bashkëpunim me SHBA’të”, ishte një prej deklaratave të Thaçit pas takimit me ambasadorin amerikan më 31 janar.

Madje, Thaçi e kishte kërcënuar edhe me heqje nga posti i Kryeministrit dhe i kishte thënë jo serioz, shkruan gazeta Infokus.

“Duket se është në humor të mirë dhe po ndihet komod në karrigen e tij. Dialogu nuk ka vdekur. Një kryeministër serioz nuk flet gjithë kohën për luftëra dhe tragjedi”.

“Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë t’i korrigjoje deklaratat e tij në lidhje me procesin e dialogut. Pa dialog nuk ka të ardhme për Kosovën. Të gjithë e dijmë se pozitat tona nuk janë të përhershme, mund të ndërrohet në rast se nuk korrigjohen”, ishin veç disa nga deklaratat e Thaçit.

Ndërsa Haradinaj akuzonte Thaçin për ndarje të  Kosovës, shkruan gazeta Infokus.

Kundërshtitë, këta dy politikanë e pjesë e rëndësishme edhe e luftës së vitit 1999, nuk i lenin as në kohë të ndjeshme sikurse në ceremoninë e rivarrimit të 158 dëshmorëve të zonës së Drenicës, në Marinë të Skenderajt.

“… do të punojmë në mënyrë unike që të arrijmë marrëveshje paqësore, duke nënkuptuar njohje reciproke, njohje nga 5 vendet e BE-së, anëtarësim në NATO, BE dhe OKB. Dhe, në kuadër të marrëveshjes me Serbinë, për korrigjimin e kufijve, për korrigjimin historik, edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me territorin e Kosovës”, kishte thënë Thaçi.

E i menjëhershëm aty ishte përgjigja e Haradinajt, shkruan gazeta Infokus.

“Çfarë borxhi tjetër u kemi këtyre dëshmorëve që kanë rënë për liri? Kjo është e thjeshtë. Ne u kemi borxh ta forcojmë lirinë për të cilën ata kanë rënë, të forcojmë shtetin, të forcohemi si popull – në ekonomi, në politikë të brendshme, në politikë të jashtme, ta ruajmë Kosovën, ta ruajmë territorin e saj, t’i ruajmë edhe kufijtë e saj të paprekshëm prej kurrkujt, qoftë ai këtu, me ne, qoftë tjetërkund”, ishte shprehur Haradinaj.

Në fakt, përplasje mes këtyre dy politikanëve që tash po duken shumë të afërt kishte thuasje për secilën çështje të rëndësishme politike pas lufte.

Kjo duke përfshirë votimin e Gjykatës Speciale, demarkacionin me Malin e Zi, idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, taskën 100%, dialogun me Serbinë e shumë çështje të tjera./Gazeta Infokus/

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera