Lajme

A mund të ketë qeveria pa Vetëvendosjen?

Autori: Gazeta inFokus 13:55 | 10 April 2020

Mënjanimi i opsionit të shpërndarjes së kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve do të sillte si opsion krijimin e një qeverie të re, por me gjasë, pa partinë fituese të zgjedhjeve, e cila vet është deklaruar se nuk e sheh si opsion përfshirjen në kalkulimet e formimit të qeverisë pa zgjedhje, shkruan gazeta inFokus.

Në kalkulimet të cilat mund ta nxirrnin eventualisht jashtë “lojës” Kurtin dhe Vetëvendosjen, parashihet që presidenti pas ofrimit të mundësisë për formimin e qeverisë Vetëvendosjes si parti fituese e zgjedhjeve, nëse kjo e fundit dështon ta formojë qeverinë e re, herën e dytë të mbështetet në diskreskrecionin e tij, që nënkupton se ai do të sigurohej nga partitë tjera se kanë siguruar të paktën 61 vota të deputetëve në kuvend për formimin e qeverisë së re.

Bazuar në praktikat e mëhershme kushtetuese pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2010 dhe 2017, pas votimin të mocionit, në të dyja rastet, kuvendi ishte shpërndarë dhe vendi kishte shkuar në zgjedhje. Po ashtu, edhe pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, më 2019, kuvendi ishte shpërndarë dhe vendi kishte shkuar në zgjedhje.

Ndërkaq, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, praktika ka shënuar raste kur kryeministri ka rënë nga pozita, por ai është zëvendësuar me një tjetër dhe ka vazhduar qeverisja e njëjtë. Një rast i tillë ishte ai me dorëheqjen e Ramush Haradinajt pas aktakuzës që i kishte ngritur Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish-territorin e Jugosllavisë, kur ai ishte pasuar nga ish-kryeministri Bajram Kosumi.

Albert Krasniqi, njohës i zhvillimeve politike dhe procedurave kushtetuese-ligjore, kishte shkruar se thirrja në precedent për shpërndarje të kuvendit pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë, do të kishte kuptim sikur Kushtetuta nuk do të kishte dispozita mjaftueshëm të qarta se si mund të veprohet në këso raste.

“Kushtetuta jonë është e qartë dhe jep dy opsione:- nisjen e procedurave nga fillimi për zgjedhjen e qeverisë së re; ose shpërndarjen e kuvendit dhe opsionin e dytë do të duhej të ishte vetëm si rezultat i mungesës së shumicës parlamentare për të formuar qeverinë e re, apo, nëse ky është vullnet politik i 2/3-së së deputetëve të cilët do të votonin për shpërndarjen e kuvendit”, ka shkruar Krasniqi.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt të këtij viti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga Qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Mospajtimet mes tyre kulmuan me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo e fundit më pas kishte iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, i cili u votua në kuvend më 25 mars, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim.

 

Të tjera