Lajme

A ka mospajtime mes LDK’së e AAK’së për ‘vetting’-un në drejtësi? Përgjigjet Gashi

Autori: Gazeta inFokus 22:01 | 20 May 2020

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se në Kosovë duhet të ketë vetting në sistemin e drejtësisë e duhet të ketë matje të performancës së prokurorëve e gjyqtarëve.

Sipas tij, paralajmërimet e Selim Selimit të AAK-së, të propozuar për ministër të Drejtësisë në koalicion me LDK-në se s’do të ketë vetting, kanë dalë nga konteksti.

“Me aq sa kam diskutuar me ministrin e propozuar nga AAK-ja, ajo ka dalë pak nga konteksti se si është trajtuar. Jam i bindur se Kosova ka nevojë për një sistem verifikimi të kontrollit, të ndjekjes së rasteve, sa raste hapen nga policia, sa raste dërgohen në prokurori, sa raste prej tyre konfirmohen e dërgohen në gjykatë e sa raste të dërguara dënohen e pastaj në secilën shkallë. Nëse një prokuror i ngrit 500 akuza brenda vitit dhe prej tyre 470 i rrëzohen në proces, do të thotë ai po ndërton gabimisht akuzën, ose qëllimisht ose s’po di. S’duhet të jetë prokuror në asnjërin rast”, ka thënë ai në KTV.

-Advertisement-

Sipas Gashit, duhet të ndërtohet një sistem i kontrollit të brendshëm në sistem të drejtësisë që mat performancën. Ai ka thënë se është çështje e ndjeshme e se duhet të ketë edhe ndryshim ligjesh nëse kjo shihet e nevojshme.

Gashi ka thënë se në sistem të drejtësisë ndër vite ka pasur progres, por sipas tij, “tani është koha e matjes së performancës dhe hulumtim në sistemin e vettingut për të parë a ka lidhje kriminale ndonjë prokuror apo gjyqtar”.

“Ministri i propozuar më tha që jam keqkuptuar. Ajo që mund të them është: Do të ketë proces të monitorimit, vlerësimit dhe matjes së performancës së prokurorëve e gjyqtarëve. Do të ketë proces të vlerësimit të pastërtisë së figurës dhe pasurisë së gjyqtarëve e prokurorëve. Kaq”, ka thënë ai.

I pyetur se a do të vazhdojë iniciativa e ndërmarrë në qeverisjen nga ku doli LDK-ja, për procesin e vettingut, Gashi ka thënë se “çdo punë e mirë do të vazhdojë”.

Gashi ka thënë se sa i përket liberalizimit, sundimi i ligjit si kriter, është plotësuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera