Sport

A janë të shtrenjta çmimet e biletave për ndeshjen miqësore mes Kosovës dhe Jordanisë? Kështu përgjigjet Erdin Hashani  

Autori: Gazeta inFokus 16:51 | 09 November 2021

Kombëtarja e Kosovës në futboll të mërkurën mbrëma do të luaj një ndeshje miqësore kundër Jordanisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, shkruan Gazeta inFokus.

Për këtë përballje tashmë ka filluar edhe shitja e biletave, por edhe në këtë takim në bazë të masave anti-covid të qeverisë së Kosovës do të lejohet shfrytëzimi 30 përqind i kapacitetit të stadiumit.

Një person mund të blejë deri në 2 bileta me letërnjoftim, kurse çmimet e biletave janë sikurse në ndeshjet e kaluara: Perëndim 20 euro, Lindje 10 euro, Veri dhe Jug 5 euro.

Lidhur me çmimet e biletave për këtë takim të karakterit miqësor, Gazeta inFokus, ka pyetur trajnerin dhe analistin e njohur kosovar, Erdin Hashanin.

Ai ka thënë se në bazë të formës nëpër të cilën po kalon Kosova dhe duke marrë parasysh se kjo ndeshje është miqësore, atëherë edhe biletat është dashur të jenë më të lira.

“Për formën se si po e kalon Kosova ndoshta është dashtë që çmimet të jenë më lirë për shkak se nuk kemi pas rezultate shumë mira dhe nuk është me ajo euforia që me ardhë me i pa ndeshjet e Kosovës, plus kësaj është edhe ndeshje miqësore. Sportdashësit nuk janë më aq entuziast që me ardhë me pa Kosovën për formën që po e kalon, po shpresoj që kjo të kaloj sa më shpejt dhe te kthehen rezultatet pozitive, ndoshta me këto ndryshimet e fundit edhe fryma në skuadër me qenë ma pozitive”, tha Hashani për Gazeta inFokus.

Ndryshe biletat mund t’i blini në dy pikat e Artmotion në Prishtinë – në Pejton (rruga Perandori Justinian) dhe në Grand Hotel (Sheshi Zahir Pajaziti)./Gazeta inFokus/

Erdin Hashani analizon tri ndeshjet e Kupës së Kosovës të zhvilluara ditën e martë | inFokus

Të tjera