Fokus

A ia dha Ministria e Inovacionit 150 mijë euro “Mollës së Kuqe” për një dokumentar?

Autori: Halil Berisha 15:31 | 19 November 2019

Në disa dokumente të siguruara nga gazeta inFokus, për financimin e mbështetjen e Organizatave Jo-Qeveritare, bie në sy një shumë e ndarë nga Ministria e Inovacionit edhe për Shoqatës Kulturo-artistike “Molla e Kuqe”.

Aty, thuhet se nga Ministria e drejtuar nga Besim Beqaj, 150 mijë euro ia ndau kësaj Shoqate për realizimin e një dokumentari, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

Këto mjete thuhet se u ndanë për krijimin e një dokumentari “Fuqia e Start-Up”, si manual i krijimit të bizneseve fillestare dhe i cili do të përfshijë shembuj të Start-Up të suksesshëm e do të lansohet online si katalizator për rritjen e bizneseve te vogla në Kosovë.

Veç kësaj, në dokumentet e siguruara nga gazeta inFokus, është edhe një shifër tjetër prej 15 mijë eurosh, e ndarë për “Mollën e Kuqe”.

Gazeta inFokus, ka kontaktuar së pari me pronarin e kësaj të fundit, Mentor Berishën.

Ky, mohoi t’i jenë ndarë 150 mijë euro, duke u befasuar me këtë informacion.

“Jo jo, me siguri është ndonjë gabim teknik, nuk janë ndarë për kurrfarë dokumentari 150 mijë euro, 15 mijë po, por jo 150 mijë euro. Është e palogjikshme edhe pse në vende tjera për dokumentar ndahen shuma të mëdha parash, pasi kanë kosto të lartë, por këtu jo, kaq shumë para nuk ndan as Qendra Kinematografike e Kosovës e jo më Ministria e Inovacionit”, tha Berisha për gazeta inFokus.

Ndërsa, për këtë punë, gazeta inFokus, ka kërkuar përgjigje edhe nga Minsitria e Inovacionit.

Këta në përgjigje për gazetën inFokus, kanë thënë që fillimisht kanë hapur thirrje publike për financimin e OJQ-ve, ku u vlerësuan 52 projekte.

“Duke u mbështetur në Objektivat e veta, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka hapur thirrjen Publike për financimin e OJQ-ve më datë 12.09.2018. Nga kjo thirrje janë vlerësuar 52 projekte të OJQ-ve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Inovacionit.

E për 150 mijë eurot që thuhet që janë ndarë, nga Ministria e Inovacionit për “Mollën e Kuqe”, thonë që është lëshuar një gabim teknik në raport.

“Në Raportin vjetor për mbështetjen financiare publike për organizatat jo-qeveritare në Republikën e Kosovës, për vitin 2018, është lëshuar një gabim teknik, rreth OJQ “Molla e Kuqe” në vend të shumë 15 mijë euro, ka dalë shuma prej 150 mijë euro”, sqaron zyra për informim e Ministrisë së Inovacionit.

Ndërsa, pranojnë që kjo OJQ, për dokumentarin në fjalë ka përfituar nga Minsitria, megjithëse jo 150 mijë por 15 mijë euro.

“OJQ “Molla e Kuqe” në thirrjen e shpallur nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, është përkrahur në shumë prej 15 mijë euro dhe ka përfituar përkrahje vetëm një herë për punimin e dokumentarit me titull “Fuqia e Start-Up”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Inovacionit./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera