Opinione

A flasin për Kosovën Shtetet e Bashkuara dhe Europa?

Autori: Valmir Elezi 12:08 | 16 July 2020

Nëse Henry Kissinger do të ishte sot Sekretar Shteti i Shteteve të Bashkuara ai prapëseprapë nuk do të mund ta gjente një numër ekskluziv me të cilin do të komunikonte me kontinentin e vjetër. Pyetja e tij, ndoshta prej më të famshmeve në politikën ndërkombëtare, se: “Kur dua të flas me Europën, kujt duhet t’i telefonoj?”, vazhdon të kërkojë përgjigje po aq fuqishëm sa dikur.

Në kohën kur hyri në fuqi Traktati i Lisbonës (2009), Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso deklaronte se çështja e shtruar nga Kissinger ishte zgjidhur dhe se tani Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara mund t’i telefononte shefës së diplomacisë europiane, që në atëkohë ishte zgjedhur Catherine Ashton. Përgjigjja me entuziazëm e Barrosos kishte ardhur pas disa dekadash dhe duket se nuk është përfundimtare.

Përveç problemeve të shumta brenda kufirit të Bashkimit Europian, shtetet anëtare kanë përgjigje të ndryshme edhe për zgjerimin e mëtejshëm dhe të shpejt të Europës. Sigurisht se përgjigjja u intereson shumë shteteve që shtrihen pranë, përfshirë edhe Kosovën, e cila anëtarësimin euro-atlantik e ka qëllim kryesor. Fatkeqësisht, Europa e Bashkuar nuk ka as sot një politikë të jashtme të përbashkët. Ndoshta ajo çka sot do të mund t’i thoshte Kissingerit shefi i diplomacisë europiane, Joseph Borrel do të ishte vetëm një njoftim për dallimet e mëdha brenda kontinentit për shumë çështje, por vështirë se ai do të mund të fliste si një zë i vetëm dhe i artikuluar qartë.

-Advertisement-

Pyetja e Kissingerit nuk tregonte vetëm mungesën e hierarkisë apo të një adrese në Bashkimin Europian, por mbase edhe për kapacitetet e europianëve për të zgjidhur kriza si të vetëm. Historia e pasluftës së dytë botërore na jep shembuj të shumtë se si shumë kriza brenda Europës apo në kufijtë e saj, janë zgjidhur me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë amerikane.

Këtë “vërejtje”, mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit transatlantik, e bëri kandidati i demokratëve që kërkon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, tashmë si President. “Kërkon udhëheqje dhe partneritet amerikan”, nënvizoi Biden në deklaratën e tij mbështetëse për rifillimin më 12 korrik të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog, që kishte filluar para disa vitesh nën ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton, ishtë ndërprerë në vitin 2018. Shtëpia e Bardhë kishte investuar shumë për të rinisur dialogun ndërmjet dy vendeve në Washington, dy javë para kësaj date.

Menjëherë kundërkandidatit të republikanëve i reagoi i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Richard Grenell i cili, edhe pse pa e përmendur, nxori në pah mungesën e rezultatit nga këto takime. As presioni i tij publik që europianët në këto takime të përfundojnë çështjen e liberalizimit të vizave nuk dha rezultate.

Nuk ka ndodhur më parë që një mysafir i Shteteve të Bashkuara të zbresë në gjysmë të rrugës. Më shumë se një rrugë e prerë për një President të një vendi të vogël, ajo është një rrugë që i mbeti në gjysmë një superfuqie.

Megjithkëtë, dialogu nuk mbeti pa rrugë, të paktën për momentin. Europianët, që nuk shprehën keqardhje për dështimin e Samitit të Washingtonit, shpejt mbushën boshllëkun e krijuar dhe organizuan takimin virtual ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Vuqiq. Para këtij takimi që u organizua nga Macron dhe Merkel, presidenti francez zhvilloi një bisedë gjithashtu virtuale me Presidentin e Rusisë, Putin, të cilët siç u njoftua diskutuan edhe për Ballkanin. Çuditërisht kjo nuk ishte një përzierje e kanaleve të komunikimit. Zakonisht Europa diskutonte në veçanti me Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur çështje, probleme dhe kriza të ndryshme.

Rusët nuk shquhen se kanë zgjidhur probleme apo çështje ndërkombëtare dhe më shumë kanë ndihmuar që ato të përhapen e shpeshtohen. Në Ukrainë, që shënon një pjesë të madhe të kufirit lindor të Bashkimit Europian, ata mbajnë të ndezur një konflikt. Ballkani Perëndimor është porta tjetër e kontinentit të vjetër në të cilën po trokasin problemet e shkaktuara nga ndikimi rus. Ky duhet të jetë një alarm për Europën e Bashkuar, e cila duhet të fillojë të veprojë si e tillë dhe të tregojë kufijtë e saj.

E ndodhur në këtë mes, e pa anëtarësuar në OKB dhe në prag të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, natyrisht se për momentin Kosovën duhet ta shqetësojë mungesa e amerikanëve në tavolinën e dialogut, për arsye aktuale dhe historike që të gjithë i kemi të njohura.

Do të duhej të ishte ashtu siç vlerësonte para disa vitesh studiuesi i politikës ndërkombëtare, Rajan Menon kur shkruante për Amerikën se: “Ajo që i shqetëson shumë vende nuk është dominimi amerikan, por tërheqje dhe mosangazhimi i Amerikës”.

Fatmirësisht, në rastin tonë kjo nuk është as një tërheqje dhe as një mosangazhim i Shteteve të Bashkuara.

*Autori ka mbaruar studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera