Sport

A është Messi i prerë për kapiten ekipi?

Autori: Gazeta inFokus 10:26 | 24 November 2018

Kur kryesuesit e kampionatit spanjoll do të përballen me Atletico Madrid të shtunën, ata do të udhëhiqen nga një njeri aftësitë e të cilit nuk diskutohen, por aftësia e tij udhëheqëse shpesh është diskutuar. Po flasim për Lionel Messin.

Ky është sezoni i parë i Messit si kapiten i Barcelonës pas largimit të Andres Iniesta dhe, gjatë viteve, ai është përballur rregullisht me akuza se nuk është i përshtatshëm për rolin.

A është e drejtë? A duhet Barça t’i japë shiritin e kapitenit dikujt tjetër? Messi është padyshim një lojtar i madh… por, a është ai një kapiten i keq?

-Advertisement-

Maradona udhëheq ankesat

Shumë nga kritikat më të ashpra mbi aftësitë udhëheqëse të Messit kanë ardhur nga Argjentina, ku ai ka luftuar për të fituar dashurinë pa kushte që gëzon në Barcelonë.

Së fundi, ikona kombëtare, Diego Maradona përdori një intervistë me Fox Sports si një mundësi për të vënë në dyshim lidershipin e Messit në ekipin kombëtar, ku ai është kapiten që nga viti 2011.

“Është e padobishme të krijosh një udhëheqës nga dikush që shkon në tualet 20 herë para një ndeshjeje”, tha Maradona. “Në vend që të bisedojë me shokët e tij, ai preferon që të luajë video-lojëra.”

Mbrojtja e Messit u drejtua nga një tjetër hero argjentinas, fitues i Kupës së Botës, Mario Kempes.

“Çdo herë që Diego hap gojën është një problem sepse ai nuk i respekton njerëzit”, u përgjigj Kempes. “Koha e Diegos ka kaluar dhe as ai nuk është një shembull i mirë për të thënë gjëra të tilla”.

Është, gjithsesi, gjithnjë e më e vështirë të marrësh seriozisht Maradonën. Por ai ka shpenzuar pothuajse dy vjet duke punuar direkt me Messin gjatë një periudhe si trajner i Argjentinës (2008-2010), kështu që fjala e tij vlen.

Dhe Maradona nuk është vetëm. Një tjetër ish-kapiten i Argjentinës, Daniel Passarella, ka argumentuar gjithashtu se Messi nuk është i përshtatshëm për kapitenin, duke thënë: “Udhëheqësi i grupit është i ndryshëm nga mënyra se si luan. Unë e admiroj Messin, por personaliteti i tij është i tërhequr dhe i ndershëm”.

Messi me siguri nuk i përshtatet stilit tradicional të një kapiteni. Ndoshta Maradona dhe Passarella kanë të drejtë.

Nga Andy West, BBC

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera