Fokus

A është Behgjet Pacolli sherri i diplomacisë kosovare?

Autori: Sylejman Sylejmani 09:12 | 19 November 2018

Shumë kritika ishin përgatitur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për ministrin e Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.

Megjithatë, Pacolli nuk u paraqit të premten në seancën që ishte thirrur për të dhe për skandalet në ministrinë e tij, shkruan Gazeta inFokus.

Kryediplomati kosovar mungesën e arsyetoi me një udhëtim zyrtar jashtë vendit.

-Advertisement-

Por, kjo nuk është arsye e mjaftueshme për t’iu shmangur përballjeve me ligjvënësit, vlerësojnë njohësit diplomacisë.

Sikur deputetët, kritika të forta për Pacollin kanë edhe analistët politik.

Artan Demhasaj nga Çohu thotë se në përgjithësi Pacolli ka pasur shumë skandale.

Ai kujton Asamblenë e Përgjithshme të OKB –së në Neë York, ku ministri i jashtëm kosovar takimet e korridoreve tentonte t’i shiste si takime shumë të rëndësishme.

“Në përgjithësi ka pasur disa deklarata që mund të quhen skandaloze. Në ato takime që u zhvilluan kur ai fliste për kufijtë mes Kosovës e Serbisë, kur thoshte të mos ketë kufinjë fare ose vlerësimi për kryeministren e Serbisë se kjo është një zonjë e nderuar në Kosovë, sikur fliste në emër të gjithë popullatës kosovare. Janë disa skandale të tilla që kanë ndodhë. Kuvendi ekziston për atë arsye, që të kërkojë llogari nga qeveritarët”, thotë ai.

Demhasaj vlerëson se Pacolli ndoshta më mirë ka punuar kur nuk ka qenë ministër i jashtëm, sesa kur e ka marrë këtë post.

“Ndoshta më shumë punë ka bërë sa nuk ka qenë në funksion kur flasim për lobim, sesa tash që është ministër i punëve të jashtme, edhe pse tash ish dashtë me pas më shumë rol në njohjen e Kosovës nga vendet e tjera”, thotë ai.

Se punët në diplomaci nuk po shkojnë mirë, e thotë edhe Taulant Kryeziu nga institut EPIK.

Megjithatë, ai nuk ia lë të gjithë fajin Pacollit.

Duke folur për njohjet dhe deklarimet e disa shtete se kanë hequr njohjen për Kosovën, Kryeziu thotë se ka ndikuar edhe deklarimi i presidentit për ndryshim të kufijve.

Ky deklarim, Kryeziu thotë e ka dobësuar subjektivitetin ndërkombëtar të vendit.

“Në momentin që ne kemi hapë si Kosovë, në këtë rast prej shefit të shtetit, tema që prekin territorin, apo dëshirojnë ta ri-vijëzojnë çështjen e përkufizimit tonë jashtë asaj që e thotë norma e deklaratës së pavarësisë, ka fillu jo vetëm të mos marrim njohje të reja, por edhe të dobësojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtar, në vend se kjo të fuqizohej si rezultat i procesit, i cili si i tillë që ka filluar ka pas për qëllim t’i rritë njohjen, ta forcojë këtë subjektivitet, e jo ta dëmtojë”, thotë Kryeziu.

E për liberalizimin e vizave, ai shton se shpresat kanë qenë që të paktën të merret vendimmarrja, por që siç duket as kjo nuk do të ndodhë

“Në procesin e liberalizimit të vizave kemi parë disa deklarime që nga shefi i shtetit e deri tek ministrja e integrimeve evropiane, se qytetarët do të lëvizin lirshëm këtë vit, edhe për këtë ka qenë një deklarim i yni se Kosova në skenarin më të mirë e merr vetëm vendimarrjen përgjatë këtij viti”, deklaron Kryeziu.

Se kur do të ndodhë raportimi i ministrit para deputetëve, do të vendoset në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera