Lajme

A e pranoj qeveria Kurti projektin e gazit amerikan, çfarë u diskutua për milionat e MCC-në?

Autori: Gazeta inFokus 11:27 | 24 March 2022

Të mërkurën në disa media në Kosovë u raportua se qeveria Kurti në mbledhjen e radhës mori vendim për pranimin e projektit të gazit amerikan, projekt ky që më herët u refuzua nga vetë kryeministri.

Qeveria e Kosovës ishte tërhequr nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E pre e këtij informacioni se u shqyrtua dhe u pranua ky projekt, ranë edhe shumë politikanë e përfaqësues të shoqërisë civile, ani pse menjëherë kjo u demantua nga Ministria e Ekonomisë.

-Advertisement-

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sqaroi se në mbledhjen e qeverisë është diskutuar projekti i ardhshëm më MCC-në, por që nuk ka të bëjë me gazsjellësin TAP.

“Duke marrë parasysh qarkullimin e disa lajmeve në mediat vendore për mbledhjen e qeverisë ku është diskutuar projekti i ardhshëm me MCC-në, ne si Ministri e Ekonomisë, dhe njëkohësisht bartëse e procesit të Zhvillimit të Kompaktit nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), ju njoftojmë se projekti i paraparë nuk ka të bëjë me zhvillimin e gazsjellësit TAP”, thuhej në këtë sqarim.

E pavarësisht kësaj reagimet pas raportimeve ishin të menjëhershme. Një ndër reagimet ishte edhe ai I ish kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti i cili tha se ani pse me vonesë kjo qeveri e kuptoj se projektet e Marrëveshjes së Uashingtonit mund të shtyhen por jo edhe të anulohen.

“Shtyrja e projektit të gazit përmes MCC për një vit ishte gabim. Megjithatë, mirë që po e kuptojnë se projektet e Marrëveshjes së Uashingtonit mund të shtyhen, por nuk mund të anulohen. Ato projekte janë interes strategjik i Kosovës dhe i SHBA-së. Duhet pasur vizion euro-atlantik për të ardhmen e shtetin e Kosovës për të kuptuar rëndësinë strategjike të këtyre projekteve”, shkroi, Hoti në profilin e tij në facebook.

Ai po ashtu tha se furnizimi me gaz dhe hekurudha për Durrës janë dy projektet që do ta transformojnë ekonominë e vendit.

“Furnizimi me gaz dhe hekurudha për Durrës janë dy nga këto projekte që do ta transformojnë ekonominë e Kosovës, siç e ka transformuar autostrada Prishtinë-Durrës e ideuar nga Presidenti Rugova.  Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, mbetet marrëveshja më e rëndësishme që ka nënshkruar Kosova që nga shpallja e pavarësisë.  Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me SHBA-në”, shtoi ish kryeministri në reagimin e tij.

Se qeveria nuk është tërhequr nga vendimi për mospranimin e projektit amerikan ka reaguar, deputetja e partisë në pushtet, Fitore Pacolli.

“Pse bre Avdullah po ngutesh’ e nisë ajo reagimin e saj.

E në vazhdim deputetja e LVV-së, sqaron edhe se për çfarë projekti u diskutua në mbledhjen e qeverisë.

“Programi Kompakt (MCC) me vlerë prej 234 milionë dollarësh nuk ka të bëjë me zhvillimin e gazsjellësit TAP. Programi përfshinë:

  1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200MËh)
  2. Zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektor të energjisë. Po flasim për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, modernizimin e kapaciteteve tona ekzistuese, edukimin e fuqisë punëtore në teknologji dhe lehtësimin drejt tranzicionit të gjelbërt energjetik të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ajo reagimin e saj.

E megjithatë në njoftimin për vendimet nga mbledhja e qeverisë u la hapësirë për keqkuptime duke qenë se nuk u treguan detaje apo as se për çfarë marrëveshje ndërkombëtare bëhej fjalë.

Në faqen e zyrës së kryeministrit ishte dhënë në vetëm një paragraf, edhe kjo marrëveshje e miratuar e cila edhe ngatërroj mediat e përfaqësues të politikës se vendimi mund të ketë lidhje me projektin e gazit.

“Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, për projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”. Marrëveshja parasheh shfrytëzimin e fondeve, në shumën mbi 200 milionë dollarë, për sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës’, thuhej në njoftimin në faqen zyrtare për vendimet e qeverisë.

Por çfarë përmban projekti i gazit që po refuzohet nga qeveria Kurti?

Ky projekt madhor strategjik ndryshe quhet Korridori jugor i gazit, ku të përfshirë janë: Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), Tubacioni i Kaukazit Jugor (SCP) dhe Tubacionin Anatolian (TANAP).

Një prej sfidave të shumë qeverive evropiane në vitet e ardhshme parashihet të jetë siguria energjetike si dhe qasja në sa më shumë burime të energjisë.

E kjo është edhe arsyeja në vitin 2003, kishte marrë mbështetje ndërtimi i një projekti të rrjetit të gazit natyror, i njohur si Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP).

Ndërtimi i projektit të TAP-it filloi në vitin 2016. Tubacionet e gazsjellësit nisin në fushën Shah Deniz II në Azerbajxhan, kalojnë në veri të Greqisë, më pas një pjesë të konsiderueshme të territorit të Shqipërisë nga ku futen nën Detin Adriatik për të dalë sërish në sipërfaqe në jug të Italisë.

Aty, tubacionet e gazsjellësit TAP lidhen me rrjetin italian të gazit natyror.

Nga pika ku fillon në Azerbajxhan e deri në Itali, tubacionet e gazsjellësit TAP, përshkojnë afër 3,000 kilometra rrugë.

Për herë të parë në fund të vitit 2020, pas shumë përgatitjeve dhe testimeve, në tubacionet e TAP-it, filloi të rrjedhë gazi i lëngshëm e që arriti në Itali në fillim të muajit janar.

Ky projekt kishte marrë mbështetje të madhe nga institucionet e Bashkimit Evropian duke e cilësuar atë si “projekt i interesave të përbashkëta”.

Institucionet evropiane mbështesin Gazsjellësin Trans-Adriatik pasi e shohin atë si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar me gaz tregjet evropian, që kryesisht dominohen nga gazi rus.

Rusia mbulon mbi 43 për qind të tregut evropian të gazit.

Përveç kësaj, një nga objektivat e BE-së është që të reduktojë në maksimum ndotjen nga emetimet të karbonit nga termocentralet prej thëngjilli dhe format e tjera të ndotjes së mjedisit.

Gazi natyror konsiderohet një nga lëndët djegëse më të pastra me emetim minimal të ndotjes.

Gazsjellësi TAP në të ardhmen pritet të furnizojë me gaz natyror edhe shtetet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, që tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë për ndërtimin e një objekti grumbullues të gazit.

Më vonë, Shqipëria pritet të kyçet, vend që tashmë ka kryer studimet e fizibilitetit dhe po punon në ndërtimin e rrjetit të gazit brenda shtetit.

Pas shtrirjes së gypave të gazit në Maqedoni të Veriut, qeveritë e kaluara në Kosovë kishin planifikuar që të ndërtonin rrjetin e gazsjellësit për t’u lidhur me këtë shtet.

Kjo do t’i mundësonte Kosovës që të blinte sasi të gazit në të ardhmen nga Gazsjellësi Trans-Adriatik.

Për të mos qenë krejtësisht e varur nga gazi rus, Bullgaria nisi ndërtimin e infrastrukturë së gazit në distancë prej 182 kilometrash në drejtim të Greqisë.

Projekti ishte paraparë të përfundonte në fund të vitit 2020, mirëpo ka pasur vonesa dhe pritet të jetë funksional në qershor të vitit 2022.

Serbia është krejtësisht e varur nga gazi rus dhe së fundi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zyrtarisht përuroi një linjë të re të gazit rus që kalon përmes Turqisë dhe Bullgarisë e që për qëllim ka “sjelljen e më shumë gaz rus në Ballkan”.

Këtë, Serbia e bëri në kundërshtim me rekomandimin amerikan që të ulë varësinë nga gazi rus./Gazeta Infokus/

Sqarimi i plotë i ministres Rizvanolli:

Duke marrë parasysh qarkullimin e disa lajmeve në mediat vendore për mbledhjen e qeverisë ku është diskutuar projekti i ardhshëm me MCC-në, ne si Ministri e Ekonomisë, dhe njëkohësisht bartëse e procesit të Zhvillimit të Kompaktit nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), ju njoftojmë se projekti i paraparë nuk ka të bëjë me zhvillimin e gazsjellësit TAP.

Qeveria e Kosovës sot miratoi nismën për negocimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit të programit Kompakt mes Republikës së Kosovës dhe agjencisë zhvillimore të Qeverisë së SHBA-ve, Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit. Programi Kompakt do të jetë në vlerë prej 234 milionë dollarëve dhe do të përfshijë dy projekte:

1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200 MWh)

2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë.

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe shpenzimit. Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, dhe shfrytëzimit të saj kur konsumi është i lartë. Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës, apo të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Projekt i dytë përfshinë dy aktivitete:

1. Zhvillimi i fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC; dhe 2. Fuqi punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë, do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve, siç janë bursat për studime universitare në fushën e energjisë, të dedikuara për gra, mbështetje e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji, rritja e ndërmarrësisë së grave dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

Investimet e Programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe gjatë përfundimit të fazës zhvillimore dhe negociatat me partnerët tanë nga MCC, do të njoftojmë publikun për zhvillimet dhe detajet përfundimtarë të projektit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera