Fokus

A e kishte fjalën për Driton Selmanajn e Skënder Hysenin këshilltari i Thaçit që i quajti “klub valltarësh” ekipin e Hotit

Autori: Halil Berisha 13:31 | 16 September 2020

Këshilltari i Presidentit të Kosovëës Hashim Thaçit, Adil Behramaj, bëri një koment të pazakonshëm derisa akuzoi Qeverinë Hoti.

Ekipin e Kryeministrit, Behramaj e quajti “klub valltarësh”, shkruan Gazeta Infokus.

Por, pse e quajti pikërisht me këtë emër?

-Advertisement-

Ani se Behramaj nuk jep shumë detaje, një epitet i tillë mund t’i jetë dhënë pasi zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj më parë ishte valltarë i ansamblit “Shota”, shkruan Gazeta Infokus.

Ndërsa, në një fotografi të vjetër, tash koordinatori i Kryeministrit Avdullah Hoti për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, shihej derisa luante me një instrument muzikor.

Deklarata e plotë e Adil Behramajt:

“Sot, sigurisht as ju nuk keni kurrfarë shqetësimesh. Mua, si me dorë, krejt shqetësimet m’i hoqi ky këshilltari i kryeministrit, që na foli në emër të tij. Edhe koordinim të plotë institucional paskemi, se as këtë nuk e kisha ditur. Në fakt, kryeministri dhe klubi i valltarëve të tij janë kah e bëjnë situatën shumë shqetësuese. Nuk ka unitet brenda Qeverisë. Nuk ka kurrfarë bashkëpunimi mes Kryeministrit dhe Presidentit. Nuk ka kurrfarë bashkëpunimi mes Qeverisë dhe opozitës.
Mungesa e kohezionit të brendshëm, ku 40 vota shqiptare nuk dihet nëse i ka kjo Qeveri dhe fati i çdo vendimi të saj varet ekskluzivisht nga Lista Serbe, për çdokënd që i kupton pak këto procese do të duhej të ishte shumë shqetësuese. Po ashtu, mungesa absolute e përkrahjes opozitare, sipas së cilës, kryeministri me 25 mijë vota dhe Qeveria e tij nuk kanë fare legjitimitet të na përfaqësojnë, se lëre më edhe të nënshkruajnë marrëveshje të rëndësishme për fatin e Kosovës, sërish do të duhej të ishte shqetësuese.
Që nga 2014-ta jemi në qorrsokak politik për shkak të këtyre aventurave të papërgjegjshme politike. Prandaj, një marrëveshje e re, që dihet qysh tash se përfundon e pavlerë, sepse mungon uniteti politik dhe për të kërkohen 2/3 e votave në Kuvend, mjegullon dhe zvarrit edhe më shumë perspektiven tonë.
Garanca që ky këshilltari i kryeministrit Hoti i jep presidentit për dialogun është më së paku fyerje për presidentin. Ajo më së shumti është fyerje për qytetarët e vendit tonë!”

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera