Opinione

A doni të drejta të barabarta hajde qesim plloq?

Autori: Gazeta inFokus 20:03 | 18 June 2019

Kjo frazë fatkeqësisht nuk është e dëgjuar rrallë në shoqërinë tonë viteve të fundit. Por shtrohet pyetja pse të dëgjohet një frazë e tillë nga një shoqëri si kjo e jona me moshë mesatare mjaftë të re?

Pse nëpërmjet kësaj fraze synohet të “ vrasin” gratë, synohet të nënçmohen aftësitë e tyre dhe vihen në pikëpyetje virtytet e tyre dhe punët që ato kryejn? Kur thuhet kjo frazë në fokus janë gratë e ditëve të sotme por faktikisht kjo nuk i prek vetëm ato por të gjitha… gjyshet, nënat, motrat tona. Ato qysh në vitet e para edukoheshin se si të dëgjojnë jo të flasin, të zbatojn urdhëra jo të urdhërojnë, të japin jo të kërkojnë, të punojnë e të mos presin as edhe një të lumshin duart, apo falemindërit në rast ndihme sepse një e tillë konsiderohej që ishte detyrë e tyre e jo ndihmë e kryer me vullnetin e tyre, dhe si përfundim çdo gjë që ato punuan nuk u konsideruar asnjëhër si dëshirë e tyre, ndihmë e tyre por si obligim. Dhe një trajtim i tillë jo që nuk të jep vullnet të vazhdon por edhe të vret egon në çdo moment dhe kjo kuptohet që nuk të bënë të ndihesh mirë aspak.

Kur thuhet fraza nëncmuese e lartë përmendur shkelet me të dyja këmbët dhe humbet mundi i motrave, nënave, gjyshëve, stërgjysheve tona të cilat ne e dim fare mirë që punuan pa pritur ndonjë kompenzim për mundin e tyre, ato punuan më shumë se një “ plloq”. Të kthehemi dhe të kujtojm pak punët që ato bënë dhe nuk mund ta mohojm se ka raste jo pak që akoma vazhdojn të bëjnë po të njejtat punë. Ato nuk ishin thjeshtë amvise ato ishin shumë më shumë se kaq dhe ne e dim fare mirë këtë. Ato ishin pran familjarve të tyre në çdo punë që fillohej të cilat në të njejtën kohë duheshin të kujdeseshin për mirëmbajtjen e shtëpisë (pastruese), kujdesëshin për fëmijët (dado), përgatitnin bukën (kuzhinjere) madje edhe mjeken e bënin kur ishte nevoja. Ato nuk qitën plloq por prejtën dhe pjekën “ qërpiq” bashkë me të gjithë anëtarët e familjes kur ndërtuan shtëpinë e tyre, folen në të cilën ato u nëncmuan në shumë raste. Ato mbjellën bashkë me familjart tjerë, ato drejtuan kijet, ato korrën grurë e kallamoq, ato bartën dujt e grurit pastaj thasët e mbushur me grurë, bartën dujt e kallamoqit pastaj edhe përdorimi i kallamoqit nuk u dërgua në hambarë pa kaluar nëpër duart e grave. Ato rrotulluan dheun (liratën) që të bënin të ashtuquajturat leht të mbjellnin perime të ndryshme të siguronin për nevojat e familjes por edhe për shitje të siguronin bukën për fëmijët. Puna e tyre nuk mbaronte me punën në ara/fusha ato pasi ktheheshin në shtëpi duheshin të bënin bukën për argat edhe pse ishin të lodhura nga puna e fushës por burrat pastronin duart, këmbët dhe fytyrën dhe u shtrinë të pushonin ndërsa gratë në vrap të përgatitja e bukës sepse burrat bërtasin me u vonu se janë të lodhur ndërsa lodhja e tyre shkonte huq sepse ato ishin gra.

-Advertisement-

Të shikojm nga ana tjetër e gruas shqiptare ato ishin edhe zejtare të zonjat ato nuk i blejtën veshmbathjet për vete dhe familjarë ato i punuan me duart e tyre që nga qethja e deleve e deri te thurja e pejve që të formonin një rrobë të caktuar apo edhe qilima, jana etj të gjitha këto dhe jo vetëm kalonin nëpër duart e gruas e cila ishte më shumë se një grua ishtë një multiprofesionale, ishte nderi i prindëve. Nderi i vllaut, nderi i motrës, nder i familjes, nderi i shoqërisë e sot ajo nënçmohet, nënvlerësohet vetëm e vetëm se ajo punoj dhe heshti ndërsa puna e saj u barazua me zero dhe sot ajo nëpërkëmbet kur kërkon të drejtat e saj të jetë e barabartë në aspekte të ndryshme ku ajo mund të jap kontributin e saj sepse ajo nuk është më pak e mençur se burrat. Ajo nënçmohet nga ata që nuk mund ta shohin duke përparuar .

Nuk duhet lënë anash pa përmendur se gruaja shqiptare vuajti shumë dhe kontriboj shumë edhe gjatë okupimeve të ndryshme, ato jo pak në numër i’u bashkuan burrave në luftra u bashkuan me ata që të arrihej një liri që e menduan se nëncmimet drejtuar atyre do merrnin fund sepse vendi po lirohej dhe mundimet e gruas shqiptare do mbaronin. Kur përmendim luftrat nuk duhet të harrojm se sa vuajtën ato që të kujdeseshin për gjithë familjen derisa burrat ishin në fronte larg shtëpive dhe ato duheshin të luanin edhe rolin e burrave. Mos të harrojm se sa shumë vuajtën ato dhe sakrifikuan vetën për të shpëtuar familjarët e tyre, mos të harrojm se sa shumë gra u “ vranë” pa plumb në luftra, sa shumë gra u përdhunuan dhe sot e asaj dite ato lusin vdekjen ti marr që të mos jetojn më atë barr mbi supe, mos të jetojnë me kujtimet e atyre momenteve të tmerrshme. Ato u trajtuan çnjerëzisht dhe jo rrallë nuk u pranuan nga familjarët e tyre pas asaj ndodhie sikur ato të ishin fajtore dhe jo viktima. Të kujtojm nënat kryefamiljare që janë vetë babë dhe vet nanë për fëmijët e tyre. Të kujtojm gratë të cilat sakrifikuan jetën e tyre të bëheshin “ djalë” që të merrnin hakun e familjes të kujdesëshin për familjarët e tjerë kur meshkujt e familjes u vranë në hasmëri. A ishin dhe a janë këto gratë që po kërkojn një të drejtë shkolle një të drejtë punë pa diskriminim dhe kur ato kërkojn të punojn atyre u parashkrohet pyetja nënçmuese, A po doni punë hajde qesim plloq?

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera