Lajme

A do t’iu kërkohet dëshmia e vaksinimit ditën e zgjedhjeve, flasin nga KQZ’ja

Autori: Gazeta inFokus 09:08 | 05 October 2021

A do t’iu kërkohet dëshmia e vaksinimit ditën e zgjedhjeve, flasin nga KQZ’ja

Kur kanë mbetur edhe më pak se dy javë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, KQZ-ja është duke bërë të gjitha përgatitjet e duhura që procesi zgjedhor të shkojë mirë.

Zëdhënësi i këtij institucioni Valmir Elezi ka thënë se po punojnë që gjithçka të jetë gati për ditën e zgjedhjeve.

-Advertisement-

“Aktualisht janë duke u zhvilluar aktivitete të cilat parashihen me planin operacional dhe ideja është që të përmbushen këto detyra në mënyrë që KQZ-ja të jetë gati për 17 tetor. Në bazë të ecurisë së punës besojmë që gjithçka do të jetë gati për ditën e zgjedhjeve, më 17 tetor”.

Ai, në Klan Kosova ka konfirmuar se në ditën e zgjedhjeve votuesit nuk do të duhet ta paraqesin dëshminë e vaksinimit ose rezultatin negativ të ndonjërit nga testet për COVID-19.

Elezi ka thënë se duke kërkuar dëshminë e vaksinimit do të kufizohej e drejta e votës që është e drejtë kushtetuese.

“Për këtë proces zgjedhor, për dallim nga ai i 14 shkurtit, e dimë që kërkohet vaksina për të pasë qasje në institucione, kafiteri dhe aktivitete të tjera. Sa i përket çështjes së votimit në ditën e zgjedhjeve, KQZ-ja nuk do të kërkojë nga votuesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar ose se kanë rezultuar negativ në njërin nga testet për COVID-19. Nuk do të ishte korrekte dhe gjithashtu nuk është në përputhje me të drejtën kushtetuese që të kufizohet e drejta e votës me një dëshmi të vaksinimit. Deri më tani e dimë në bazë të të dhënave që nuk është bërë akoma vaksinimi i të gjithë qytetarëve, në këtë rast edhe i qytetarëve me të drejtë vote, prandaj nëse ne kërkojmë dëshmi të vaksinimit atëherë i bie që shumë prej qytetarëve do të përjashtoheshin nga ushtrimi i të drejtës së tyre për të votuar”.

“Megjithatë, ka masa kufizuese sa i përket votuesve. Natyrisht se nga të gjithë qytetarët me të drejtë vote të cilët shkojnë në vendvotim gjatë kohës sa janë duke pritur në qendër të votimit kërkojmë që të mbahet distanca prej 2 metrash, gjithashtu distancë kërkohet edhe gjatë kohës sa janë duke hyrë në vendvotim. Votuesit duhet të mbajnë gjatë gjithë kohës maskën, me përjashtim të rastit kur duhet të identifikohen nga ana e anëtarit të këshillit të vendvotimit. KQZ-ja do të vendosë në hyrje dezinfektues, në mënyrë që votuesit të dezinfektojnë duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit”.

Megjithatë, dëshmia e vaksinimit ose rezultati negativ i një nga testeve për COVID-19 do të kërkohet për stafin zgjedhor dhe vëzhguesit që do të punojnë më 17 tetor.

“Për stafin zgjedhor dhe vëzhguesit që do të jenë në vendvotime në ditën e zgjedhjeve ka masa kufizuese, më saktësisht ato që janë marrë nga Qeveria e Kosovës sa i përket vaksinimit dhe testeve negative. KQZ-ja i ka dërguar një shkresë të gjitha partive politike të cilat janë të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e këtij viti ku kemi kërkuar që të inkurajojnë stafin e tyre që e angazhojnë si komisionerë, anëtarë të këshillit të vendvotimit dhe si vëzhgues që të zbatojnë këto masa. Në ditën e zgjedhjeve do të kërkojmë nga stafi zgjedhor dhe vëzhguesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar të paktën me njërën dozë të vaksinës ose të kenë rezultatin negativ nga ndonjëri prej testeve për COVID-19”.

Kur zgjedhjet po mbahen në kohë pandemie, zëdhënësi i KQZ-së ka treguar se votimi do t’i mundësohet edhe të gjithë atyre që janë të infektuar me COVID-19.

“KQZ-ja do të formojë ekipet mobile të cilat do të shkojnë në adresat e qytetarëve të cilët janë fatkeqësisht të infektuar me COVID-19. Të dhënat i marrim nga institucionet që merren me menaxhimin e pandemisë dhe në bazë të udhëzimit që e ka miratuar KQZ-ja do t’i kontaktojmë këta votues për t’i njoftuar për shërbimin e KQZ-së derisa mbetet në vullnetin  e tyre për të pranuar ose jo që të marrin pjesë në votim përmes ekipeve mobile. Të dhënat do t’i marrim nga data 5 tetor deri më 14 tetor, derisa nuk ka nevojë për proces aplikimi sepse ne komunikojmë me institucionet zyrtare”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera