A do t’i bindet Kurti kërkesës së ndërkombëtarëve: Të gjithë ia kërkuan shtyrjen e afatit për targat
Autori: Gazeta inFokus 09:48 | 28 October 2022
Kanë mbetur vetëm edhe katër ditë në implementimin e vendimit për targat e automjeteve, derisa reagime nga ndërkombëtarët ka pasur përgjatë gjithë ditës së djeshme.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe. Por, autoritetet në Prishtinë thanë se Serbia po kërcënon me dhunë vetëm pse Kosova po zbaton ligjin.
Këto deklarata Rakiq i bëri pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, teksa më 31 tetor pritet të skadojë afati dymujor i vendosur nga Qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia, në ato RKS – Republika e Kosovës.
“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do t’i bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiq në një konferencë për media në Beograd.
“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët serbë të Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, tha Kurti para gazetarëve.
Dy ditë më parë, kreu i Qeverisë, Albin Kurti ritheksoi se nuk do të ketë shtyrje të afatit, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që të vazhdohet edhe për dhjetë muaj.
Por, për ta rikonsideruar këtë vendim Kurti dje është përballur me kërkesa të shumta ndërkombëtare. Ai, dje njoftoi se ka biseduar përmes telefonit edhe me Këshilltarin Special Amerikan, Derek Chollet.
Vetë Kurti, në njoftimin e tij, nuk ka dhënë detaje mbi diskutimin që e kanë zhvilluar rreth afatit të qeverisë për targat deri më 31 tetor, mirëpo Chollet ka njoftuar se diskutimi ka qenë për rëndësinë e shtyrjes së zbatimit të vendimit për t’i evituar tensionet.
“Fola sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për ta diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të vendimit për targat e reja, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu, diskutuam edhe partneritetin dhe objektivat e përbashkëta për ta avancuar integrimin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës”, ka njoftuar Chollet.
Thirrjes së Chollet, i është bashkuar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka shpërndarë njoftim dhe ka thënë se është e rëndësishme të shmanget tensionet dhe të shtyhet vendimi për targat.
Hovenier, gjithashtu, ka dënuar aktet hakmarrëse ndaj serbëve që tashmë kanë bërë konvertimin e targave.
“E rëndësishme që të shmangen tensionet dhe të shtyhet vendimi për zbatimin e targave. Po ashtu, ne dënojmë veprimet intimiduese apo hakmarrëse ndaj tyre që kanë konvertuar targat e tyre”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
“I zhgënjyer dhe i shqetësuar” u shpreh dje ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, me refuzimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për të shtyrë për 10 dhjetë muaj çështjen e riregjistrimit të targave serbe në RKS.
Christopher Hill në një përgjigje për median serbe “Blic.rs” tha se Shtetet e Bashkuara me partnerët e saj perëndimorë vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të konsiderojnë shtyrjen dhjetë muajshe të afatit për ri-regjistrimin e targave.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë periudhën e zbatimit të riregjistrimit të automjeteve. Jemi të zhgënjyer dhe të shqetësuar për refuzimin e Qeverisë së Kosovës për të pranuar kërkesat dhe këshillat e partnerëve të saj më të afërt ndërkombëtarë për këtë çështje”, tha Hill.
Shtyerje të afatit edhe për 10 muaj, dje kërkoi edhe BE-ja.
Zëdhënësi i BE-së thotë se tensionet janë ajo që “më së paku i duhen Kosovës dhe Serbisë.
BE-ja ka përsëritur qëndrimin se Kosova ka të drejtë legjitime për vendimin e saj për t’i ndërruar targat, por ka thënë se “është jashtëzakonisht e rëndësishme të parandalohen çdo lëvizje që do të çonte në rritje të tensioneve”.
“Përfundimet e vitit 2016 për lirinë e lëvizjes përfshinin afate për riregjistrim, të cilat duhet të japin udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas të njëjtit arsyetim, tani po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më kuptimplote dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur. Kjo gjithashtu do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbët e Kosovës në veri të marrin kartat e identitetit të Kosovës dhe patentë shoferët e Kosovës”, tha Stano sot për mediumin “N1” në gjuhën serbe.
Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme tha se gjatë 24 orëve të fundit në veri të Kosovës janë regjistruar tri raste të djegës së veturave apo pronës së qytetarëve që kanë konvertuar targat e tyre nga ato që lëshohen nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi, tha se Serbia dhe strukturat “ilegale” në veri, po tentojnë të frikësojnë qytetarët, që po i konvertojnë targat.
“Propaganda e krerëve të shtetit serb, përfshirë presidentin e Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, dhe veprimet e strukturave ilegale ekstremiste e grupeve kriminale janë të koordinuara dhe në shërbim të njëra-tjetrës drejt qëllim të frikësimit të qytetarëve tanë në veri”, tha Fetoshi për REL.
Që nga 1 shtatori deri tani, vetëm 20 qytetarë iu bindën kërkesës së Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të automjeteve.
Të tjera
-
OSCE shprehet e shqetësuar që KQZ-ja s’e certifikoi Listën Serbe
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me mision në Kosovë, ka shpre...
-
Parashikimi i motit për të martën
Për të martën parashikohet të mbajë mot i vranët dhe pritet kohë pas kohe të ...
-
Limaj në Odën e Karadakut: Mes bashkëluftëtarëve, ndjeva një krenari të veçantë për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e Kosovës
Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka qëndruar në Odën e Karadak...
-
Bedri Hamza në konventën e rinisë së PDK-së: Ne ofrojmë vizion e program për një Kosovë që u jep mundësi të rinjve
Të rinjtë e PDK-së e kanë mbajtur një konventë për t’i promovuar kandidatët m...
-
Krasniqi: LDK-ja feston 35 Vjetorin, trashëgimia e Rugovës do të mbijetojë përjetësisht
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka uruar 35 vj...
-
Dokument: Ministritë e Sveçlës dhe Gërvallës u pyetën nga KQZ-ja, por nuk dolën kundër Listës Serbe
KQZ-ja e ka dërguar në MPB dhe në MPJD listën me kandidatët për deputetë të L...
-
Rohde për moscertifikimin e Srpska-s: Është procedurë që nuk duhet të politizohet
Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, duke komentuar moscertifiki...
-
Haradinaj: Aleanca me partnerët, forca e vetme për përparim e zhvillim të vendit
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe F...
-
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Pa shenja jete është gjetur një person, sot në fshatin Veli Breg të Zubin Pot...
-
Dalin rezultatet laboratorike për mandarinat e Shqipërisë, AUV: Janë të sigurta për konsum
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në rezultatet laboratorike konfir...
-
KQZ çertifikoi një kandidat për deputet që ndodhet në Gjykatën Speciale!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka certifikuar kandidaturën për deputet të I...
-
‘Po mbahet peng’: Grenell e shpërndan fjalimin e Ramës në Kuvend për Hashim Thaçin
Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Richar...