Fokus

A do të zbrazet Kosova pasi të hiqen vizat?

Autori: Agnesa Çitaku 10:23 | 01 November 2018

“Do të shfrytëzoj çdo mundësi dhe nuk kthehem në Kosovë”

Kështu shpreh mllefin e saj 24 vjeçarja, Armira Shaqiri e diplomuar tash e dy vite. Ajo për Gazetën inFokus e shqetësuar ka deklaruar se nuk po arrin të gjej një vend pune në Kosovë tash e disa vjet.

“Kam diplomuar në Universitetin e Prishtinë ndërsa ende nuk kam arritur të gjej një vend punë në profesionin tim. Kam përfunduar disa praktika ndërsa tani kam fituar bindjen se gjithçka shkon me të njohshëm, “, ka thënë ajo.

-Advertisement-

Shaqiri ka shtuar se do të punonte edhe pune jashtë profesionit të saj vetëm që të mos kthehej në Kosovë.

“Këtë vit u shty liberalizimi ndërsa nëse bëhet vitin tjetër unë do të jem ndër të parët që do të dal jashtë vendit. Do të shfrytëzoj çdo mundësi që më jepet atje dhe nuk do të kthehem në Kosovë. Nuk do të kërkoj të punoj në profesionin tim sepse kjo do të ishte pothuajse e pamundur por do të punoja çfarëdo pune të ndershme sepse edhe ashtu paga dhe respekti do të jenë shumëfish më të mëdha se në Kosovë”, thotë ajo.

Ndërsa sipas Artan Demhasajt nga Organizata “Çohu” pas liberalizimit të vizave ekziston rreziku që të ketë ikje masive nga Kosovë e arsye kryesore është papunësia.

“Arsyeja kryesore është papunësia e madhe që i ka kapluar kosovarët, të gjithë e dimë që pjesë më e madhe e rinisë sillen rrugëve për shkak të papunësisë së madhe që ekziston dhe arsyeja kryesore është kjo. Ne 2014 një numër i madh i qytetarëve të Kosovës kanë tentuar të ikin për shkak të papunësisë dhe edhe pas liberalizimit të vizave mund të ndodhë që mungesa e vendeve të punës të ndikoj në largime nga Kosova”, ka thënë ai.

Demhasaj ka shtuar gjithashtu se me këtë rrezik të mundshëm është e njoftuar edhe BE.

“Bashkimi Evropian është i njohur me këtë problemin dhe rrezikun e mundshëm për ikje të kosovarëve dhe mund të jetë një nga arsyet pse po zhagitet procesi i liberalizimit edhe pse ma shume është çështje politike, Edhe vendet tjera si, Shqipëria, Maqedonia e Serbia ka ekzistuar një rrezik i tillë edhe ka tendencë të tillë të largimeve masive por që pa asnjë kohe janë kthy prapë”, ka thënë ai, shkruan inFokus.

Ndërsa sipas tij parandalimi i kësaj dukurie do të ishte i mundur vetëm në rast të hapjes së vendeve të reja të punës.

“Institucionet tona duhet të fillojnë të marrin menjëherë masa për me regjeneru vende të reja të punës përmes stimulimit të bizneseve që ata me punësu njerëz e kushtet në vend me u përmirësu që me e parandalu ikjen e kosovarëve pas liberalizimit të vizave”, ka thënë ai.

Demhasaj ka shtuar gjithashtu se fushata e nisur nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Integrimeve Evropiane për vetëdijesimin e qytetarëve për të drejtat dhe përgjegjësitë në rast të liberalizimit të vizave është pozitive por që duhet zgjeruar.

Edhe Blerta Aliu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Gaztën inFokus se është i gabuar perceptimi i të rinjve se mund të shkojnë e punojnë jashtë vendit.

“Përcepsioni i të rinjve tanë që mund të shkojnë dhe të punojnë apo qëndrojnë me gjatë sesa periudha e caktuar është i gabuar, ata mund ta shfrytëzojnë deri të një kontratë apo një leje qëndrim. Deklarimet e qytetarëve se do të shkojnë e kërkojnë azil lidhen pak me kushtet dhe rrethanat socio-ekonomike në vendin tonë, numri i papunësisë është i lartë dhe ata mendojnë se mund të gjejnë një zgjedhje më të mirë”, ka thënë ajo.

Aliu ka bërë të ditur gjithashtu se liberalizimi mund të pezullohet në rast të keqpërdorimit në masë të madhe.

“Pas liberalizimit të vizave janë rregullat e zonës shengen të cilat duhet ti respektojnë edhe qytetarët e Kosovës, nuk mujn me i kalu 90 ditët e shfrytëzimit. Kjo vizë nuk nënkupton qëndrim të përhershëm në vendet e BE-së, shkollim, punësim, çdo përpjekje tjetër që e tejkalon vizitën turistike konsiderohet si shkelje e rregullave të shengenit dhe është e dëmshme për procesin në përgjithësi sepse nëse abuzohet në masë të madhe mundet me e pezullu kjo e drejtë”, ka shtuar ajo, shkruan Gazeta inFokus.

Ndërsa ish-drejtori ekzekutiv i Odës së Afarizmit në Kosovë, Ismet Mulaj në një prononcim për Gazetën inFokus ka bërë të ditur dy faktorët ekonomik që ndikojnë në ikjen eventuale të kosovarëve.

“Dy janë faktorët kryesor që ndikojnë në largimin e të rinjve në vendet e BE. E para është për të siguruar një mirëqenie më të mirë për veti dhe për familje dhe së dyti është humbja e shpresës se klasa politike është duke punuar për një perspektive më të mirë për qytetarin e vendit.”, ka thënë ai.

Mulaj ka shtuar gjithashtu se në vend veçse ka filluar të vërehet ikja e punëtorëve të kualifikuar.

“Prandaj largimi i fuqisë së aftë për pune dhe asaj të kualifikuar vetëm sa ka filluar ti jep efektet e para në ekonominë e vendit. Rreziku me i madh është qe te kemi largim ende më të madh me rastin e liberalizimit të vizave dhe kjo besoj që për disa vite do te krijoj probleme për biznesin vendor.”, ka shtuar ai.

Ndërsa për hapat që duhet ndërmarrë Institucionet, Mulaj ka thënë se Qeveria e vendit duhet të ndërmerrte reforma te vazhdueshme ekonomike me qëllim që të rris standardi i jetës në vend si dhe te kthehej besimi që këtu mund te punohet e jetohet si ne BE.

Edhe sociologu, Ferdi Kamberi në një prononcim për Gazetën inFokus ka thënë se papunësia mund të jetë shkaku kryesor i migrimit nga Kosova.

“Për këtë me siguri se ka disa faktorë, si: shtytës dhe tërheqës. Në kuadër të këtyre faktorëve mund t’i përmendim, si: mungesa e një perspektive më të mirë, faktorët socio – ekonomik (papunësia e cila ka prodhuar një varfëri të lartë), ku sipas të dhënave Anketës së Fuqisë Punëtore “për tremujorin e parë të vitin 2018, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) del se në vendin tonë shkalla e papunësisë ishte 26.5 për qind.”, ka thënë ai.

Sipas tij veç papunësisë edhe cilësia e shkollimit e ulja e remitencave mund të ndikojnë në dëshirën për ikje nga Kosova.

“Pastaj, si faktorë të tjerë mund t’i numërojmë edhe: pasigurinë sociale, mungesa e standardit të lartë jetësor në krahasim me vendet e rajonit dhe më gjerë, mungesa e politikave të mirëqenies sociale, pastaj nevoja për edukim më të mirë dhe më cilësor, bashkimi familjar, punësimi në vendet tjera, të ardhurat më të larta në vendet tjera, ulja e remitencave së fundi, si dhe faktorë të tjerë.”

Sipas Kamberi, Institucionet e vendit me punën e tyre do të mund të parandalonin migrimin e kosovarëve.

“Konsiderojmë, se institucionet e Kosovës do të duhej që të përqendrohen më shumë në politika e zhvillimit ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, stimulimin e investitorëve që të investojnë në Kosovë, pastaj ndryshimin e politikave sociale të cilat janë aktualisht, krijimin e një konkurrence të mirëfilltë të bizneseve, krijimin e një mjedisi më të mirë social, fokusimi tek një edukim konform nevojave të tregut, etj.”, ka përfunduar Kamberi./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera