Lajme

A do të shtrenjtohet rryma në Kosovë?

Autori: Gazeta inFokus 15:21 | 11 October 2021

Rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane mund të paraqitet edhe në Kosovë pasi që është pjesë e atij tregu. Por, sipas deklarimeve të para të institucioneve të Kosovës, kjo nuk do të reflektojë në gjepin e qytetarëve, shkruan Gazeta Infokus.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike -ZRRE pas mbledhjes së mbajtur gjatë ditë së premte ka aprovuar të hyrat e lejuara maksimale për operatorët e rregulluar (KOSTT, KEDS dhe KESCO), ku ndër të tjera ka marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit të cilat janë jashtë kontrollit të operatorëve.

“Rritja e të hyrave, si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ka neutralizuar kostot e përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, prandaj të hyrat e lejuara nuk do të reflektojnë ngritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët fundor në vitin tarifor 2021”, ka bërë të ditur ZRRE përmes rrjetit social.

Sipas vendimit të ZRRE, shihet se barra e shtrenjtimit të rrymës do tu ngarkohet kryesisht KEDS dhe KOSTT, e jo t’i faturohet qytetarëve.

Lidhur me këtë Drejtuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu thotë se aktualisht pjesa më e madhe e konsumit është duke u prodhuar në vend dhe se këtë vit nuk ka nevojë për rritje të tarifave deri më 31 mars 2022.

“Kosova importon vetëm rreth 11 për qind të energjisë nga Hungaria ndërsa afër 90 për qind është prodhim i brendshëm, nga të cilat janë mbledhur 190 milionë euro, mjaftueshëm sa për ta mbajtur çmimin e tanishëm. Edhe gjatë këtij procesi janë marrë parasysh kostot e energjisë që importohet dhe në bazë të rezultateve kemi që edhe këtë vit nuk ka nevojë për rritje të tarifave deri më 31 maras 2022”, thotë Ymer Fejzullahu për Klan Kosovën, raporton Gazeta Infokus.

Në anën tjetër, Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala ka thënë se pjesa më e madhe e konsumit është duke u prodhuar në vend dhe se KEDS nuk ka paralajmëruar rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Çmimet e importit janë katërfishuar në krahasim me vitin e kaluar. Ne importojmë nga Hungari dhe çmimet janë diku rreth 190 euro për megavat ndërsa vitin e kaluar e kemi blerë rreth 40-50 euro për megavat. Ky është një sinjal i keq për atë se çka mund të ndodh pas disa muajve. Aktualisht pjesa më e madhe e konsumit është duke u prodhuar në vend pasi që ende nuk është rritur kërkesa”, ka thënë Buzhala në një emision në KTV.

Buzhala përmes një komunikate për media tregoi se Kosova mund të prodhojë maksimalisht 900 megavat në orë rrymë, ndërsa kërkesa në pik shkon deri në 1300 megavat në orë që do te thotë duhet importuar 400 megavat në orë ose sa 50 për qind e prodhimit./Gazeta Infokus/

Të tjera