Lajme

A do të shkojë Kurti në SHBA?

Autori: Gazeta inFokus 18:51 | 15 November 2021

Para dy muajsh, kryeministri Albin Kurti tha se në nëntor do të shkonte në SHBA. Nga Zyra e Kryeministrit tani nuk flasin për këtë.

Kryeministri Albin Kurti këtë muaj do të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një deklarate që vetë kreu i Qeverisë e kishte dhënë në Kuvendin e Kosovës në shtator. Por tash deklarata e Kurtit nuk është konfirmuar ende nga Zyra e Kryeministrit.

Më 20 shtator, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve në seancën e Kuvendit se pse nuk ka shkuar në Asamblenë e Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Kurti tha se nuk ka pasur synim të shkonte atje, rrjedhimisht edhe s’ka aplikuar për vizë.

“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë kryeministri.

Gazeta Express ka pyetur dy herë në Zyrën e Kryeministrit Kurti për këtë çështje. Përgjigje s’ka pasur.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani e ka konfirmuar sot se Kosova është ftuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci që do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor.

“Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet. Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden”, ka shkruar Osmani.

Presidentja do ta udhëheqë delegacionin e Kosovës në këtë Samit, i cili do të mbahet virtualisht.

Të tjera