Lajme

A do të rritet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës?

Autori: Gazeta inFokus 09:29 | 10 October 2021

Vetëm kujdestaritë kanë mbetur aty këtu dikush, 80 për qind i kanë çu prej shpije, për shkak të rrymës se u rritë bursa në krejt botën e tash…”.

Kështu deklaron Behram Haziraj, i cili është vetëm njëri nga qindra punëtorët e “Feronikelit” që të premten mbetën pa punë si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Në këtë hall nuk do të jenë edhe pjesa tjetër e qytetarëve që nuk punojnë në ndonjërin nga tre gjigantët ekonomikë në vend, “Feronikeli”, “Trepça” e “Sharrcem”.

-Advertisement-

Çmimet u rritën vetëm për kompanitë që rrymën e importojnë nga jashtë. Banorët tjerë të Kosovës do të paguajnë tarifat e njëjta edhe për pesë muaj.

“Edhe gjatë këtij procesi janë marrë parasysh kostot e energjisë që importohet dhe në bazë të rezultateve kemi që edhe këtë vit nuk ka nevojë për rritje të tarifave deri më 31 mars 2022”, thotë Ymer Fejzullahu, drejtues i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), raporton Klan Kosova.

Drejtuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të premten vendosi për mos shtrenjtim të rrymës tregon se ky panik tek qytetarët u krijua pas disa problemeve që Norvegjia pati me pajisjet e gazit e po ashtu Rusia dhe presioni që ky vend po i bën BE-së, veçmas Gjermanisë për tubacionet e gazit, ndonëse për shkak se si vend i mbyllur nuk dihet nëse këto probleme Rusia i ka stisur apo ekzistojnë vërtetë.

Fejzullahu thotë se Kosova importon vetëm rreth 11 % të energjisë nga Hungaria ndërsa afër 90 % është prodhim i brendshëm, nga të cilat janë mbledhur 190 milionë euro, mjaftueshëm sa për ta mbajtur çmimin e tanishëm.

E që vendi ta ruajë këtë komoditet, sipas kryesuesit të Komisionit për Ekonomi në Kuvend, Qeveria duhet t’iu lëshojë licenca me procedurë të përshpejtuar projekteve në pritje për prodhim të energjisë.

“Të heqim procedurat burokratike për parkun e erës në Shalë të Bajgorës e disa hidrocentrale që janë në pritje për të hyrë në prodhim…”, deklaron Ferat Shala, kryesues i Komisionit Parlamentar për Ekonomi.

Qeverisë iu bënë edhe thirrje nga shoqëria civile, sipas së cilëve ekzekutivi duhet ta miratojë fondin e konsumatorëve në nevojë dhe të shpallë një pako të ringjalljes cila do të ketë fokus sektorin e energjisë.

Deri tashti për këtë temë ka folur vetëm ministrja e Tregtisë Rozeta Hajdari sipas së cilës ministria është në fazë të mbledhjes së ankesave nga konsumatorët.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera