Lajme

A do të lirohen përkohësisht ish krerët e UÇK-së për festat e fundvitit? Flasin nga KSC-ja

Autori: Gazeta inFokus 11:56 | 15 December 2021

Edhe këtë vit festat e fundvitit i kanë gjetur në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit po rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar në Kosovë për Gazetën Infokus kanë treguar  nëse ka mundësi që ndonjë nga të akuzuarit të lirohet përkohësisht për të festuar me familjen festat e fundvitit.

-Advertisement-

Në këtë përgjigje thuhet se deri me tani nuk ka ndonjë vendim për lirim të përkohshëm për asnjërin nga të akuzuarit.

“Për momentin nuk ka asnjë vendim nga trupi kompetent i gjyqtarëve në rastet që i përmendët për lirim të përkohshëm për ndonjë nga të akuzuarit”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.

E për lirim të përkohshëm nuk është vendosur as për ish krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Sipas përgjigjes nga Dhomat e Speciales në Kosovë thuhet se çdo dy muaj shqyrtohen arsyet e paraburgimit dhe vendoset nëse kjo masë duhet të vazhdojë apo jo. Derisa po ashtu thuhet se arsyet për të cilat vazhdohet paraburgimi janë besimi se ekziston rreziku i arratisjes, që mund të ndikohet në prova dhe dëshmitare ose që mund të përsëritet vepra penale nga i akuzuari.

“Ligji parasheh që derisa aktgjykimi të jetë i formës së prerë ose deri në lirimin, gjyqtari i procedurës paraprake ose trupi gjykues do të shqyrtojë çdo dy muaj nëse ekzistojnë ende arsyet e paraburgimit dhe të nxjerr aktvendim me të cilin ose zgjatet paraburgimi ose ndërpritet. Arsyet për të zgjatur paraburgimin mund të jenë që gjyqtari(ët) të gjejë(në) arsye të arsyeshme për të besuar se ekziston rreziku i arratisjes, se ekziston rreziku që i Akuzuari mund të shkatërrojë ose falsifikojë prova, ose që i Akuzuari mund të përsërisë ose të kryejë një vepër penale”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.

Kujtojmë se Specialja ka urdhëruar Policinë e Kosovës të tregojë detajisht nëse është e aftë ta sigurojë mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Dhomat e Specializuara deri më tani kanë bërë publik një pjesë të përgjigjes së Policisë së Kosovës për mbrojtjen e Kadri Veselit, pas lëshimit të urdhrit nga Gjykata Speciale për Policinë e Kosovës.

Derisa në një prononcim për Gazetën Infokus nga Dhomat e Specializuara, kishin konfirmuar se është bërë një kërkesë për lirimin e Kadri Veselit dhe për këtë përgjigja e Policisë së Kosovës gjendet në të dhënat e KSC-së por që ende nuk është publikuar e plotë.

Ish krerët e UÇK-së gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC

Të tjera