Lajme

A do të jetë NISMA sërish  në Kuvend? Zyrtari i kësaj partie tregon se kush ka dashur t’i dëmtojë

Autori: Gazeta inFokus 10:52 | 22 October 2019

Koalicioni Nisma- AKR shprehet i bindur se do ta kalojë pragun zgjedhor pas numërimit të kutive të votimit.


Rezultatet e para të KQZ-së, për zgjedhjet e 6 tetorit  nuk ishin të favorshme për koalicionin Nisma- AKR, mirëpo me rinumërimin  e 314 vendvotimeve, zyrtarë nga ky koalicion thonë se kanë kaluar pragun prej 5 për qind.

Sipas tyre, në zgjedhjet e 6 tetorit ka pasur shumë pa rregullsi dhe askush nuk është marrë me ato.

-Advertisement-

Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Isa Xhemajlaj, ka thënë se vjedhja dhe tjetërsimi i votave të tyre ka ndodhur në vazhdimësi.

Xhemajlaj ka shtuar se KQZ dhe Prokuroria kanë mbyllur sytë kundrejt kësaj dukurie.

“Pas numërimit të kutive të votimit besoj që Nisma- AKR do ta kalojë pragun zgjedhor. Vjedhja dhe tjetërsimi i votave ka ndodhur në vazhdimësi,  KQZ dhe prokuroria kanë mbyllur sytë ndaj kësaj dukurie tejet të pistë për devijimin e votës, te cilën tani po e vërteton edhe QNR se ka pasur vjedhje të votave , me gjithë këto parregullsi ende nuk ka ndonjë veprim të prokurorisë në këtë drejtim”, është shprehur Xhemajlaj.

I pyetur se kush është fajtor për dëmtimin e tyre si koalicion në zgjedhje, Xhemajlaj “fajin” ia lë partive të mëdha, pasi që sipas tij, dëshirojnë ta rrisin numrin e votave të tyre, duke i dëmtuar partitë e vogla.

Një pjesë të fajit ai ia lë edhe KQZ-së, gjersa shton se duhet të bëjnë analizë pse janë shumë vota të pa vlefshme.

 

“Gjatë procesit zgjedhor zakonisht, dëmtohen partitë e vogla nga partitë e mëdha. Ato duan ta rrisin numrin e votave të tyre duke dëmtuar partitë e vogla. Edhe KQZ ka pjesën e vet të fajit,sepse të kemi mbi 5% të votave të pa vlefshme diçka nuk është në rregull.. Ata duhet të bëjnë analizë dhe të gjejnë shkakun pse po ndodhin këto gjëra dhe  cilat masa duhet të merren që të kemi një proces zgjedhor më të mirë, me më pak devijime dhe me më pak vota të pa vlefshme”, ka pohuar Xhemajlaj.

Në ueb-faqen zyrtare të KQZ-së, sipas votave të rregullta, Nisma ka aktualisht 4.96 për qind apo 39495 vota. Nga votat e ardhura prej jashtë, Nisma-AKR-PD shtoi edhe 916 dhe në total, sipas të dhënave publike deri tash, ajo ka arritur në 4.99 për qind. Në këto të dhëna nuk është përfshirë rinumërimi i 314 vendvotimeve.

Gjersa, koalicioni NISMA- AKR, vazhdimisht thonë se do të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kosovës, analistët thonë se me hyrjen e tyre në Kuvend nuk do të ndodhë asgjë e keqe, përkundrazi do të jetë e shëndetshme për demokracinë.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ishin një test i shkëlqyeshëm i demokracisë së Kosovës, e cila përkundër situatës shumë të pakëndshme shtetërore që po kalon, tregoi vigjilencë e kulturë të lartë gjithë popullore që shprehu besim dhe përkushtim të sinqertë që ta thotë fjalën e vet përmes votës! Votuesit e bënë punën e tyre si është më së miri dhe ia lanë ndërgjegjes së KQZ ta bëjë punën e saj! KQZ po betohet se është duke bërë punën mirë, prandaj pa pasur argumente konkrete nuk duhet ngritur supozime! Fundja, çfarë e keqe i ndodh Kosovës nëse e kalon pragun dhe Nisma-AKR dhe hyjnë në Kuvend? Asgjë e keqe, përkundrazi do të jetë e shëndetshme për periudhën kalimtare nëpër të cilën po kalon demokracia kosovare” ka thënë analisti politik Skender Zogaj në një prononcim për “Dardania.news”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera