Fokus

A do të fillojë procesi mësimor me 13 shtator- MASHTI jep shpjegime

Autori: Samire Jaha 10:29 | 07 September 2021

Më pak se një javë ka mbetur për të përfunduar afati i përcaktuar i Qeverisë për mos fillimin e vitit të ri shkollor shkaku i pandemisë Covid-19, shkruan Gazeta Infokus.

Me vendim të Qeverisë, procesi mësimor është shtyrë deri me datën 13 shtator.

Ky vendim ishte marr me rekomandim të IKSHPK-së dhe ekspertëve shëndetësorë.

-Advertisement-

E një kërkesë e tillë kishte ardhur edhe nga Këshilli i Prindërve të Prishtinës, të cilët kanë kërkuar shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor me prezencë fizike në shkolla, nëse nuk përmirësohet gjendja me pandeminë.

Mirëpo, a do të fillojë procesi mësimor nëse masat do të vazhdojnë edhe pas 13 shtatorit?

Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit janë bërë përgatitjet e duhura që mësimi të fillojë me 13 shtator.

“Me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, fillimi i vitit shkollor është shtyrë për datën 13 shtator. MASHTI i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillojë më 13 shtator. Aktualisht jemi duke e përcjellë situatën me pandeminë si dhe në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe profesionistët shëndetësor”, kanë thënë nga Ministria e Arsimit për Infokus-in.

Sipas MASHTI-it, është finalizuar udhëzuesi i rishikuar për mësim në kohë pandemie, e ku këtij udhëzuesi i është shtuar edhe fillimi i procesit mësimor me prezencë fizike.

MASHTI gjithashtu njoftoi që këtë javë do të ketë një mbledhje në lidhje më fillimin e mësimit.

“Është finalizuar udhëzuesi i rishikuar për mësim në kohë të pandemisë, në të cilin përveç skenarëve ekzistues është shtuar edhe skenari me prezencë në shkolla. Në kuadër të përgatitjeve, MASHTI këtë javë do të ketë një takim koordinues me Drejtoritë komunale të arsimit ku prezentë në këtë takim do të jenë edhe përfaqësues të SBASHK-ut në komuna si dhe përfaqësues të Këshillit të Prindërve”, kanë thënë nga Ministria e Arsimit për Gazetën Infokus.

E sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, në MASHTI thonë  se pjesa më e madhe deri më tani janë vaksinuar ndërsa, ata që nuk janë vaksinuar do të ju duhet të paraqesin testin negativ, për të filluar me mësimdhënien.

“Sa i përket vaksinimit: Sipas të dhënave të Komunave, pjesa më e madhe e punëtorëve të arsimit janë vaksinuar ndërsa pjesa tjetër e mbetur janë në proces të vaksinimit. Deri javën e kaluar, shkalla e vaksinimit të punëtorëve të arsimit ka qenë rreth 77%. Ata që nuk janë të vaksinuar natyrisht se duhet të paraqesin testin negativ ashtu siç e parasheh vendimi i Qeverisë”, kanë thënë nga Ministria./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera