Fokus

A do të anulohet tenderi plot dallavere në Komunën e Dragashit?

Autori: H. Smajli 14:20 | 12 November 2020

Komuna  e Dragashit ka hapur tenderë për teste për COVID-19, të cilat ende nuk dihet se ku do të bëhen.

Gazeta inFokus ka raportuar këtë javë se Drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë po akuzohet se po bën dallavere me testet dhe aparatet për COVID-19.

Në lidhje me këtë Gazeta inFokus ka kontaktuar edhe me kryetarin e komunës, Shaban Shabani i cili ka thënë se në lidhje me tenderin gjithçka është në rregull. Mirëpo nuk ka qenë i informuar për pjesën tjetër që testet e porositura nga komuna nuk mund të bëhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare siç ka deklaruar Drejtori i Shëndetësisë, Behar Brenolli.

-Advertisement-

Kjo sepse aparatura që ata posedojnë është e llojit “Magnum” e jo “Vidas” dhe nuk e bën këtë lloj testi për COVID-19.

Skandaloze: Dallaveret me teste e me aparate për COVID-19 në komunën e Dragashit

““Me ju thënë të drejtën edhe unë vonë jam informuar se ka pas një procedurë për furnizim dhe është krejt në rregull në aspektin ligjor, aty me sa kam mundur unë me vërejt është një mungesë komunikimi në mes të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe QKMF-së.  Në fakt ne posedojmë të dy llojet e aparateve që mund të kryhen teste dhe po besoj që është gjithçka në rregull, tash varet se në çfarë këndi është marrë situata”, ka thënë ai.

Madje kryetari nuk e kishte fare idenë se testet në tenderin e Komunës nuk mund të bëheshin në aparaturën që posedon Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Dragash.

E ai të gjithë përgjegjësinë për këtë e ka lënë mbi drejtorinë e Shëndetësisë dhe ka deklaruar se nëse testet nuk janë të shfrytëzueshme atëherë ka mundësi që tenderi të anulohet, shkruan Gazeta inFokus.

“Besoj këto është dashtë më i biseduar Drejtoria e Shëndetësisë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Përndryshe na e kem aparatin edhe unë dua të besoj që ai aparat është funksional.  Nuk e di kush e ka dërguar aparatin në Bodosan e di që ka qenë donacion por se cili operator e ka dhënë atë aparat nuk e di. Sipas informatave që mi ka dhënë Drejtoria e Shëndetësisë, ka qenë donacion.  Po besoj që testet duhet të jenë efektiv edhe për aparaturën në QKMF përndryshe s’është e logjikshme dhe janë procedurat e anulimit në mënyrë që testet të përputhen me aparaturën por un po besoj që duhet ata zyrtarë sepse secili e ka përgjegjësinë e vet, besoj duhet të jetë gjithçka në rregull përndryshe nëse nuk është në rregull atëherë secili do ta marrë përgjegjësinë e vet, por përderisa janë kry procedurat unë po du me besu që gjithçka është në rregull, dhe na me fillu me testet si edhe komunat e tjera.

Kështu Gazeta inFokus ka kontaktuar përsëri me drejtorin e Shëndetësisë në Dragash, Behar Brenollin i cili kësaj radhë nuk ka pranuar të flasë, e madje ka thënë që nuk e kupton mirë gjuhën shqipe, ani pse deklaratën e kaluar e kishte dhënë pikërisht në këtë gjuhë.

“Unë nuk di mirë shqip, a mundesh me fol boshnjakisht”, ka thënë ai.

Dhe pas kësaj deklarate e ndal telefonin.

Deklarata e mëhershme e Brenollit: “Testet për të cilat ne kemi hap tenderë do të bëhen në QKMF dhe do të fillojmë të bëjmë këto teste serologjike, si në krejt Qendrat Kryesore Familjare në Kosovë”, ka thënë Brenolli duke mos dhënë detaje të tjera”.

Në deklaratën e kaluar Brenolli kishte thënë për Gazetën inFokus se testet e porositura do të bëheshin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, por që kjo doli të mos jetë e vërtet sipas Drejtorit të  QKMF-së, Ramadan Jasharit, dhe shefit të laboratorit në këtë institucion, Agim Dauti. Madje ky i fundit e akuzoi Drejtorin e Shëndetësisë për favorizime të një operatori në këtë rast.(SHIH KETU)./Gazeta inFokus/

 

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera