Lajme

A do ta lirojë Specialja, Kadri Veselin për varrimin e së ëmës?

Autori: Gazeta inFokus 11:23 | 07 January 2022

Sot në moshën 93 vjeçare ka ndërruar jetë nëna e ish kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.

E vetëm para disa muajve në muajin korrik të vitit 2021, Veseli kishte humbur edhe babain, derisa gjendet në paraburgim në Hagë.

Mirëpo ai ishte liruar përkohësisht për të marrë pjesë në të pamën e prindit të tij por nuk kishte arritur edhe për varrim.

-Advertisement-

Në muajin korrik të vitit të kaluar, Specialja konfirmoi se lirimi i përkohshëm i Veselit për vizitë u bë për arsye bindëse humanitare.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit për ta menaxhuar një vizitë kujdestarie në Kosovë që Kadri Veseli të jetë pranë familjes së ngushtë pas rastit të vdekjes së babait të tij. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-I dhe Policia e Kosovës janë duke mbështetur Dhomat e Specializuara të Kosovës”, kishin thënë nga Gjykata Speciale për Express, më 10 korrik të vitit 2021.

Nuk dihet nëse edhe kësaj here, Gjykata Speciale do të vendosë që të lirojë përkohësisht, Veselin për të marrë pjesë në varrimin e të ëmës.

Gazeta Infokus ka kontaktuar me Dhomat e Specializuara  të Speciales në Kosovë në lidhje me lirimin e përkohshëm të Veselit por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

E ëma e Kadri Veselit, Ajshe Veseli siç njoftoi familja do të varroset sot në fshatin Broboniq të Mitrovicës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera