Lajme

Për çfarë krimesh dyshohej Kadri Veseli?

Autori: Halil Berisha 16:24 | 07 November 2019

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, të enjten në një konferencë për media dha lajmin që është ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Aty, Veseli, do të paraqitet më 4 dhjetor ku do të intervistohet nga hetuesit e speciales, shkruan gazeta inFokus.

Megjithatë, nuk dihet se në çfarë cilësie është ftuar Kadri Veseli nga specialja.

-Advertisement-

E zanafilla e Gjykatës Speciale, është një raport i ish-komisionerit të Këshillit Evropian dhe ish-senatorit zviceran Dick Marty.

Në raportin e tij, Kadri Veseli, përmendet shtatë herë, derisa emri i tij, lidhet me vrasje, rrahje, e pastrim parash të cilat ishin destinuar për UÇK-në.

“Disa anëtarë tjerë të Grupit Drenica të Thaçit përmendën në hulumtimin tonë që kanë pasur rol kyç si bashkëpunëtorë në aktivitete të ndryshme kriminale. Kjo përfshinë, Xhavit Halitin, Kadri Veselin, Azem Sylën dhe Fatmir Limajn. Të gjithë këta janë hetuar disa herë brenda dekadës së fundit sy të dyshuar për krime lufte ose organizata të organizuara kriminale, këtu përfshihen edhe raste të mëdha të udhëhequra nga prokurorët e UNMIK, ICTY30 dhe EULEX. Deri tash të gjithë këta i janë shmangur drejtësisë”, thuhet fillimisht në raport, ku përmendet emri i Veselit.

Tutje, për ish shefin e Shërbimit Informativ të Kosovës, Dick Marty në raportin e tij thotë që bashkë me tani Presidentin, Hashim Thaçin, Azem Sylën, Fatmir Limajn e Xhavit Halitin, dyshohen për implikim edhe në vrasje.

“Burimet tona të dorës së parë kanë implikuar në mënyrë të besueshme Xhavit Halitin, Kadri Veselin, Azem Sylën e Fatmir Limajn, përkrah Thaçit dhe anëtarëve tjerë të rrethit të tij të brendshëm, që kanë urdhëruar e në disa raste edhe mbikqyrë personalisht, vrasje, ndalime, rrahje e marrje në pyetje në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe me interest ë veçant për punën tonë, në kontekstin e operacioneve në territorin e Shqipërisë mes viteve 1998 dhe 2000”, thuhet në raportin e Dick Marty.

Madje, Veseli përmendet edhe për paratë e fondet që ishin të destinuara për UÇK-në, shkruan gazeta inFokus.

“Bashkë me Xhavit Halitin dhe Kadri Veselin në veçanti, Shaip Muja, u përfshinë në gjetjen e mënyrave innovative për të përdorur, investuar miliona dollar të “fondeve të luftës”, të cilat ishin dhuruar nga jashtë pë UÇK-në. Muja e Veseli thuhet se gjithashtu filluan që në emër të grupit “Drenica” të krijojnë lidhje me kompani të huaja private ushtarake e të sigurisë”

Ndërsa, emri i Veselit gjithashtu gjendet në raport edhe kur flitet për intervistimet nëpër kampe të përmendura të UÇK-së.

“Na u është treguar që kjo politikë është mbështetur në mënyrë aktive në territorin e Shqipërisë nga element të fuqishëm brenda aparateve të inteligjencës shtetërorë të Shqipërisë, përfshirë SHIK-un, (tani SHISH) dhe inteligjencën ushtarake, disa prej këtyre anëtarëve madje edhe morën pjesë në intervistimet e pengjëve të kambet e ndalimit të UÇK-së. Megjithatë, forca shtytëse pas këtyre politikave ishte Kadri Veseli (Luli)”.

Megjithatë, nuk është e konfirmuar e ende nuk dihet nëse këto që janë përmendur nga raporti i Dick Marty janë subjekt i thirrjes së Kadri Veselit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë/Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera