Uncategorized

“Zidane II” starton sot në “Santiago Bernabeu”

Autori: Gazeta inFokus 11:37 | 16 March 2019

Për herë të parë që nga 19 maji, Zinedine Zidane do të ulet sërish në stol për të drejtuar Realin në një ndeshje të kampionatit spanjoll. Asokohe, më saktë vetëm një javë pas takimit me Villarreal-in në Primera Division, 46-vjeçari francez ngriti për herë të tretë “trofeun me veshë të mëdhenj” si trajner i klubit të famshëm madrilen, teksa mposhti 3-1 në finalen e Kievit Liverpoolin.

Historia dihet, Zizou preferoi të tërhiqet për shkak të mosmarrëveshjeve me presidentin Florentino Perez, megjithatë tetë muaj e gjysmë më vonë numri 1 i klubit merengues vendosi të rikthejë sërish në drejtim pikërisht trajnerin francez, këtë herë duke i ofruar të drejta të plota për të ndërtuar skuadrën sipas preferencave të tij.

Askush nga trajnerët nuk do të guxonte qoftë edhe për ta menduar një kthim të tillë, duke patur parasysh që “Los Blancos” e kanë ngritur stekën vërtet shumë lart dhe është e kuptueshme që Reali do ta ketë tepër të vështirë për t’iu afruar e jo më për t’i përsëritur të njëjtat suksese në një periudhë të shkurtër kohe, sidoqoftë Zidane të paktën për momentin do të jetë i çliruar nga çdo lloj presioni, pasi siç dihet klubi më i lavdishëm në glob doli jashtë të gjithë kompeticioneve, në harkun kohor të vetëm një jave.

-Advertisement-

Santiago Solari e mbylli aventurën e tij te Reali me triumfin 4-1 ndaj Valladolid-it, brenda në Zorrilla, kështuqë Zinedine Zidane do të ketë në dispozicion edhe 11 ndeshje gjithsej për të kuptuar akoma më mirë situatën aktuale. Gjithçka do të fillojë nga e para në Tempullin e “Los Blancos”, Santiago Bernabeu në orën 16:15 ndaj një kundërshtari si Celta Vigo, kështu që një faqe e re e historisë pritet të shkruhet për trajnerin me origjinë algjeriane në karrierën e tij.

Për mirë apo për keq kjo natyrisht mbetet për t’u parë, gjithsesi një objektiv i prekshëm për momentin është rokada me Atleticon e vendit të dytë, pozicion prej nga ku 33 herë kampionët e ligës spanjolle i ndajnë vetëm 5 pikë. Ekipi galician aktualisht renditet në vendin e tretë nga fundi, megjithatë situatë e kuptueshme, duke patur parasysh që Fran Escriba është trajneri i katërt në 10 muajt e fundit për klubin nga Vigo, pas emrave të tillë si Juan Carlos Unzue, Antonio Mohamed dhe Miguel Cardoso, për më tepër në vizitën e fundit Celta ka dalë nga Santiago Bernabeu me humbjen tenistike 6-0.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera