Lajme

Besimi i luhatur i serbëve të Kosovës karshi Beogradit

Autori: Gazeta inFokus 19:15 | 21 August 2018

Deklaratat e javëve të fundit nga autoritetet e Serbisë, për mënyrën e arritjes së normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, përmes “caktimit të kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”, kanë luhatur në masë mjaft të madhe unitetin politik dhe besimin e qytetarëve serbë të Kosovës ndaj autoriteteve të shtetit serb, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike në vend.

Kundër idesë së tillë të zgjidhjes së problemit ishin deklaruar edhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, e në veçanti përfaqësuesit e kësaj kishe në Kosovë.

Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e tilla të autoriteteve të Serbisë, jo vetëm që kanë shembur unitetin e serbëve të Kosovës, por kanë ngjallur frikën e përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës se një zgjidhje e tillë e problemit nuk e gëzon mbështetjen e komunitetit serb. Për më tepër, sipas tij, në bisedimet e ardhshme, idetë e tilla mund të nxisin pasoja shumë më të mëdha, të cilat do të ishin, siç i quan ai, “shkatërruese për serbët”.

-Advertisement-

“Kjo është ajo që flet se nuk ekziston unitet madje as në mesin e serbëve në veri të Kosovës. Ndërkohë, gjithsesi që ekzistojnë diferencat kur bëhet fjalë për serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër, sepse ata, kryesisht, gati se të gjithë, janë me Kishën Ortodokse Serbe, përveç përfaqësuesve politikë, të cilët tash po përpiqen t’i japin mbështetje Vuçiqit. Kjo flet mjaft qartë se ekziston një greminë, jo vetëm me ata serbë të veriut që mbështesin ndarjen me caktimin e kufijve, por edhe ndërmjet Beogradit zyrtar dhe serbëve të hapësirës së Kosovës”, theksoi Nojkiq.

Petar Miletiq, po ashtu ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se përderisa autoritetet e Serbisë, e në veçanti, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me deklaratat e tyre kanë marrë mbështetjen e përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, që janë të përfshirë në Listën Serbe, ata nuk kanë pritur një përgjigje të ashpër nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe.

Ndërkohë, sipas tij, raportet ndërmjet serbëve që jetojnë në jug dhe atyre në veri të Kosovës, gjithmonë kanë qenë në një lloj mospajtimi, për shkak se kanë jetuar në rrethana të ndryshme.

Por, siç thotë, ideja për caktimin e kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ka ngjallur ankth te serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër.

“Kam vizituar mjaft njerëz në anën jugore të lumit Ibër. Ata e shtrojnë vetëm një pyetje. Çfarë do të ndodhë me ne, në qoftë se do të ndodhte – ndonëse për fat të mirë duket se nuk do të ndodhë – ai caktim i kufijve, ajo ndarje, gjegjësisht ai korrektim i kufijve, kushdo qoftë dhe sidoqoftë që ta quajë? Do të jemi më të paktë. Me siguri se edhe të drejtat e serbëve do të ishin edhe më të vogla. Kush e di, mbase do të ndodhte edhe ndonjë largim masiv i serbëve nga Kosova”, theksoi Miletiq.

Edhe Nojkiq thotë se te serbët e Kosovës ekziston droja, për faktin se, sipas tij, kur Beogradi zyrtar bën presion mbi Kishën Ortodokse Serbe, atëherë serbët e Kosovës ndjehen krejtësisht të pafuqishëm përballë presioneve që mund të ushtrohen mbi ta. Siç thekson ai, serbët e Kosovës tashmë jetojnë me këtë frikë dhe kanë humbur besimin te Beogradi zyrtar.

“Serbët e Kosovës nuk i besojnë Beogradit dhe mendoj se këtë e ka të qartë edhe Vuçiq. Kjo për faktin se rrëfimi i tij për referendumin, mund të tregojë që për një zgjidhje të tillë nuk mund ta marrë mbështetjen e serbëve në jug të Ibrit. Rrëfimi i Vuçiqit se ai e ka mbështetjen e plotë të të gjithë serbëve, gjegjësisht të 80 për qind të serbëve, bie në ujë. Mendoj që serbët kësaj radhe mjaft qartë ia kanë bërë me dije Beogradit se nuk pajtohen me politikën që e zbaton”, tha Nojkiq.

Megjithëkëtë, Miletiq shpreh mendimin se serbët e Kosovës do të vazhdojnë t’i besojnë Beogradit, sepse, sipas tij, disave u duhet kjo, disa të tjerë për arsye emotive dhe disa të tjerë për shkak se nuk kanë alternativë tjetër. Por, sipas tij, problem shumë më i madh do të jetë vazhdimësia e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kjo për shkak se, siç thotë ai, deklaratat e autoriteteve të larta serbe për caktim të kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve si zgjidhje të problemit, japin porosinë se shqiptarët dhe serbët nuk mund të jetojnë bashkë.

“Kjo për mua është porosi më e madhe dhe më e rrezikshme. Kush ka të drejtë që të thotë që serbët dhe shqiptarët nuk mund të jetojnë në një hapësirë të njëjtë? Kjo është ideja e caktimit të kufijve dhe ideja që ne të vëmë vijën ndërmjet nesh dhe më kurrë të mos kemi asnjë kontakt. Kjo nuk shkon në drejtim të pajtimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Kjo çon në drejtim të thellimit të hendekut dhe konfliktit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Unë mendoj që kjo nuk është në interesin e njerëzve që jetojnë, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin”, theksoi Miletiq.

Sidoqoftë, shumica e serbëve të Kosovës, siç tha Miletiq, nuk do të shprehin qëndrim kritikues ndaj Beogradit, për shkak se varen nga ai.

Ndërkohë, që sipas tij, Prishtina zyrtare e as bashkësia ndërkombëtare nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme gjatë gjithë këtyre viteve, në mënyrë që të përfitojnë besimin e serbëve të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera