Konfirmon Rexhep Selimi: Brigada “Hasan Prishtina” nuk ka ekzistuar kurrë
Autori: Zekirja Shabani 16:12 | 17 August 2018
Aktakuza e ngritur për listat e veteranëve, nga prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, ka nxjerrë në pah skandale të shumta.
Për t’i rehatuar veteranët e rremë, 16 vjet pas luftës në këtë aktakuzë thuhet se u krijua edhe një brigadë, ajo e “Hasan Prishtinës”.
Por ish-komandanti i UÇK’së Rexhep Selimi i habitur thotë për Gazetën inFokus, se nuk ka dëgjuar kurrë për një brigadë të tillë.
Selimi, i cili në vitin 1998 ka qenë drejtues i drejtorisë së operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, e cila drejtori direkt merrej me strukturat e ushtrisë përfshirë edhe brigadat në shtatë Zonat Operative, ka theksuar se nuk ka pasur asnjëherë një brigadë të tillë.
“Nuk kam dëgjuar ndonjëherë për brigadën ‘Hasan Prishtina’ dhe nëse ju referoheni brigadave të UÇK-së nuk ka pasur brigadë ‘Hasan Prishtina’ asnjëherë”, ka deklaruar Selimi.
Njeriu që doli për herë të parë publikisht me uniform të UÇK-së shprehet i shqetësuar me falsifikimin që po i bëhet luftës së fundit në Kosovë.
“Këto mashtrime janë falsifikim i historisë. Janë drejtpërdrejtë atakim i historisë së vërtetë të UÇK’së dhe padrejtësi ndaj atyre që e meritojnë këtë status. Sa i përket emërtimit të brigadës “Hasan Prishtina” nuk kam dëgjuar më herët, por një gjë është e sigurt, listat e veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve në vitin 1999 kanë qenë krejt ndryshe nga ato që janë sot”, shprehet Selimi, i cili ende nuk ka aplikuar për statusin e veteranit.
Ai thotë për inFokus se nuk e ka ndërmend të aplikoi derisa të bëhet dallimi mes veteranëve të vërtetë dhe atyre të rremë.
Ish-komandanti i UÇK’së është i vendosur që edhe si deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje të angazhohet për pastrimin e listave dhe luftës.
“Rritja e numrit të veteranëve ka ndodhur duke u shkaktuar vepër penale, shkelje e ligjit për veteranët e UÇK’së. Konfirmoj edhe një herë se kjo shkelje ligjore ka ndodhur në masë të madhe dhe nëse është vepër penale, atëherë janë shkaktuar së paku 20 mijë vepra penale, sepse sipas ligjit shkelje konsiderohen çdo falsifikim i dokumenteve apo deklarim i rrejshëm me qëllim të përfitimit të statusit”, thotë deputeti Selimi.
Ai vlerëson se të gjithë ata që i kanë fryrë listat dhe kanë marrë para për ti bërë veteran personat që asnjëherë nuk ishin në luftë, që sipas tij mund të jetë krim i organizuar, duhet të japin përgjegjësi para ligjit.
Në këtë çështje, ai nuk përjashton nga përgjegjësia asnjë nga ish-udhëheqësit e UÇK-së të cilët janë të përfshirë në verifikimin e veteranëve, shkruan inFokus.
Por, është i zhgënjyer me dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj, i cili po merrej me hetimin e listave të veteranëve.
“Kush do që është përfshirë në këtë krim të organizuar i bëftë mirë, ka shkaktuar vepra penale dhe duhet përballur me ligjin. Por ekziston edhe një komision qeveritar për verifikimin e listave të veteranëve të UÇK-së që ka përgjegjësi për gjithçka çka ka ndodhe aty. Unë kam pasur një shpresë që së paku të del ndonjë dhe do ta zbardhë këtë dhe me këtë ta zbardhë edhe historinë. Edhe dekurajuese dhe e dhimbshëm dorëheqja e një prokurori që po merrej me këto çështje”, shprehet Selimi për inFokus.
Transkriptimet e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit dhe pjesëtarëve të UÇK-së në zonën operative të Drenicës, pjesë e aktakuzës së ngritur nga prokurori Elez Blakaj kanë nxjerrë të dhëna shqetësuese për manipulime në emër të UÇK-së.
Disa prej të akuzuarve në aktakuzën e prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Shukri Bujaj e Xhavit Jashari.
Sipas kësaj aktakuze, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 “veteranët e rrejshëm”.
(Tekstit i kontribuoi edhe gazetari, Sylejman Sylejmani/Gazeta inFokus/
Të tjera
-
Përurohet QKMF-ja në Mamushë, Kurti: Do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore
Sot është bërë përurimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në M...
-
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëbim nga Kosova
Autoritetet e Kosovës ia kanë refuzuar kërkesën për azil Sitora Atomamado...
-
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri nga ta lëndohet nga mjeti i mprehtë
Një përleshja ka ndodhur sot në sheshin ‘Adem Jashari” në Skenderaj, ku d...
-
Erëra të forta e shi orët në vijim, komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët: Reduktoni lëvizjet
Komuna e Prishtinës ka dalë me një paralajmërim për orët në vijim për shkak t...
-
Fitoi me çmim më të lartë prej 300 mijë eurove, Bulliqi e shpërblen me tender milionësh biznesmenin e afërt me VV-në
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka shpërblyer edhe njëhe...
-
Krasniqi: Sfidat e mësimdhënësve do të përfundojnë pas 9 shkurti me PDK-në në krye të Qveverisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me Abelard ...
-
KFOR-i as pohon e as mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
Radio Evropa e Lirë) – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka...
-
Të shtunën ndërpritet për një orë trafiku nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë e deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik
Ministria e Infrastrukturës njofton se nesër në trasenë e Zgjerimit të Rrugës...
-
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri të Gjuhës Shqipe
Sot është dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili 116 vite më parë u unifik...
-
Konjufca pret në takim delegacionin nga Azia Jugore, diskutuan për rritje bashkëpunimi mes të dyja vendeve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delega...
-
Dogana kapi 15 mijë euro mall të padeklaruar në aeroport, gjatë javës
Dogana e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar e mallra të padeklaruara në katër...
-
Bislimi në Poloni: Kosova në vitin 2024 – modeli i asaj se çfarë jemi në gjendje të arrijmë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare n...