Lajme

Raportimet dhe ndikimi i OJQ-ve të koalicionit “Java Kundër Korrupsionit 2017”

Autori: Gazeta inFokus 15:29 | 22 June 2018

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit” të mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, koalicioni i organizatave joqeveritare (OJQ) “Java Kundër Korrupsionit 2017”, të premten, ka mbajtur konferencë për media, për të shpalosur ndikimet e raportimeve të rasteve të raportuara në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit” të mbajtur në dhjetor 2017.

Në këtë konferencë përfaqësuesit e koalicionit të OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2017” publikuan raportin përmbledhës për raportimet dhe ndikimin e raportimeve të OJQ-ve të koalicionit “Java Kundër Korrupsionit 2017.

Ambasadori Amerikan Greg Delawie, vlerësoi ndjekjen e zhvillimeve për çështjet e ngritura në dhjetor të vitit të kaluar, duke thënë se është mënyra më e mirë për të bërë ndryshime, pasi që progresi është i pamundur pa këmbëngulje.

-Advertisement-

“Jo çdo gjë për të cilën është debatuar dhe theksuar gjatë dhjetorit të kaluar është zgjidhur. Puna vazhdon. Duhet të vazhdojë. Shumë sfida mbesin ende përpara”, deklaroi Delawie.

Gjatë kësaj konference, Ambasadori Delawie shprehu shqetësimin e tij për ndikimin politik të ushtruar në Gjykata, në të gjitha nivelet, duke thënë se Kosova ka të ardhme evropiane vetëm nëse Gjykatat janë të pavarura, të pa korruptuara dhe zbatojnë Ligjet e Kushtetutën.

Ambasadori Delawie tha se mbështetja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë në luftën kundër korrupsionit, do të vazhdojë edhe më tutje.

“Ashtu siç Ambasada ime ju ka mbështetur në të kaluarën, do të vazhdojmë të ju mbështesim edhe në ta ardhmen. Luftimi i korrupsionit ka qenë prioriteti im më i lartë që kur kam ardhur në Kosovë tri vite më parë. Ne do të vazhdojmë të japim burimet tona, ekspertizën tonë dhe mbështetjen tonë morale për ata që, si unë, e shohin se lufta kundër korrupsionit në Kosovë është kritike për suksesin e ardhshëm të këtij vendi”, deklaroi Delawie.

Drejtoresha ekzekutive e Institutit GAP, Nora Latifi bëri të ditur se pas publikimit të analizës mbi monopolin e homologimit të automjeteve, është bërë një arritje e rëndësishme drejt thyerjes së monopolit, e që mund të konsiderohet një sukses i Institutit GAP.

“Më 22 dhjetor 2017, Autoritetit Kosovar i Konkurrencës (AKK) dha mendimin e tij profesional për projekt-udhëzimin administrativ të lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës (MI), i cili ishte plotësisht në përputhje me rekomandimet e Institutit GAP të dhëna në analizë dhe komentet e dorëzuara në MI”, deklaroi ajo, duke shtuar se Instituti GAP ka vazhduar me avokimin për të ndalur praktikat e monopolit, duke informuar anëtarët e Kuvendit lidhur me udhëzimin administrativ të lartpërmendur.

Ndërsa sa i përket çështjes së faljes së borxheve publike për kompanitë e shisheve të ujit, Latifi tha se pas reagimit publik të Institutit GAP, GLPS dhe INDEP, Qeveria e Kosovës (me vendimin e saj të marrë më 28 shkurt 2018) e revokoi vendimin e 3 tetorit 2017 me të cilin i fali borxhet dhe obligimet që prodhuesit e shisheve të ujit i kishin borxh buxhetit të Republikës së Kosovës që nga viti 2008.

Lekë Batalli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), tha se publikimi i raportit për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA), ka shkaktuar debat dhe ka ngritur vëmendjen mbi këtë rast.

Ai përmendi faktin se për shkak të këmbënguljes së treguar nga shoqëria civile, për të qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) mblodhi përfaqësues nga shoqëria civile, njerëzit nga akademia dhe studentët për të krijuar një Udhëzim Administrativ mbi kriteret dhe procedurat emërimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të AKA.

Drejtoresha ekzektutive e INPO-s, Albulena Nrecaj deklaroi se edhe pas publikimit të dy raporteve të cilat kanë trajtuar rastet e keqpërdorimit dhe keq menaxhimit të parasë publike nga komuna e Ferizajt, Mitrovicës dhe Prizrenit përmes procedurave të prokurimit publik, institucionet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të hetuar zyrtarët që kanë kryer këto veprime.

“Gjatë diskutimit në tryezë dhe prezantimit të këtyre raporteve në “Javën Kundër Korrupsionit 2017”, kryetari i komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik në Kosovë ka konfirmuar se të gjitha këto veprime të kundërligjshme janë kryer nga zyrtarët komunal në Ferizaj, dhe ndaj menaxherit të prokurimit është shqiptuar një vërejtje më shkrim” tha Nrecaj.

Tutje, Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv në Çohu bëri të ditur se pas publikimit të hulumtimit të tyre për dukurinë e shit-blerjes së temave të diplomës, rektorati i Universiteti të Prishtinës (UP) ka nxjerrë një vendim me anë të së cilit i ka kufizuar profesorët që të mos pranojnë mbi 30 temë të diplomave brenda vitit.

“Po ashtu rektorati ka thënë se kanë pasur takime me policinë ku kanë kërkuar që ndaj këtyre njerëzve të ketë hetim. Deri më tani nuk kemi parë të ketë diçka në praktikë, siç është zhvillimi i ndonjë hetimi apo ngritja e ndonjë aktakuze”, tha Demhasaj.

Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion 2017, Instituti “Columbus” ka trajtuar tri tema të veçanta. Saranda Ramaj nga ky Institut bëri të ditur se në dy prej tyre ka pasur iniciativa konkrete për adresimin e çështjeve të shtjelluara.

Për raportin “Polici për Policinë e Krimeve Ekonomike”, Ramaj tha se tashmë ka një aktakuzë që është ngritur në këtë rast, mirëpo në të nuk janë përfshirë shumë prova, për të cilat ajo tha se janë fshirë nga Policia e Krimeve Ekonomike.

Sa i përket raportit “Farmaceutika pa ilaç”, Ramaj deklaroi se Instituti Columbus ka vazhduar edhe me aktivitete tjera për të ngritur edhe më shumë çështjen e keqpërdorimeve me blerjet e barnave.

E njëjta bëri të ditur se kanë analizuar mbi 200 produkte të listës esenciale të barnave, kanë publikuar një raport dhe kanë shfaqur një dokumentar për të vizuelizuar të dhënat e hulumtimit.

“Prokuroria e Shtetit ka nisur një hetim për këtë, dhe shumë kompani farmaceutike janë nën hetim” tha Ramaj.

Instituti “Columbus” në kuadër të Javës Kundër Korrupsion kishte ngritur si çështje për diskutim edhe për amnistinë që Prokuroria e Shtetit ia ka bërë sekretarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, për çka Saranda Ramaj tha se nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

Gjatë Javës Kundër Korrupsionit të organizuar në dhjetor të vitit 2017, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), kishte prezantuar raportin lidhur me amnistimin e shkelësve të ligjit nga MAShT dhe AKA.

Blend Zyrapi nga ky Institut deklaroi se kanë kërkuar nga Prokuroria që të dinë nëse është hetuar rasti ndaj 48 profesorëve që kanë dorëzuar deklarim të rremë në AKA për qëllime të akreditimit të programeve të studimit, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Megjithatë, ai tha se në mars të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës është kërkuar hetim parlamentar, por sipas tij në këtë rast ka amnistim edhe nga Prokuroria.

Ndërkaq sa i përket pjesës së dytë të raportit të Institutit KIPRED, ku trajtohet amnistimi i Bartësve Privat të Arsimit të Lart (BprAL) nga ana e MAShT, Zyrapi tha se askush nuk jep përgjegjësi për këtë.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Betim Musliu ka shpalosur ndikimet e raportimeve të katër rasteve në “Javën Kundër Korrupsionit 2017”.

Lidhur me publikimin e raportit për aferën e njohur “Pronto”, Musliu tha se ende nuk kanë marrë përgjigje për pyetjet e shtruara. Megjithatë sipas tij, ndikim në këtë rast mund të konsiderohet fakti që presioni i madh publik ka shtyrë Prokurorinë që të bëj një hetim dhe të ngritë një aktakuzë, për të cilën IKD konsideron se është aktakuzë selektive, për shkak se ka amnistuar progatonistët kryesorë.

Për raportin “Konflikti i interesit në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, Musliu bëri të ditur se në përgjigje të këtij publikimi nga IKD, gjatë janarit 2018, Ali Rexha, Prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), filloi procedurë penale kundër ish-anëtarëve të KPK-së Sevdije Morina e Jetish Maloku, për kryerjen e veprës penale të konfliktit të interesit. Mirëpo, ai tha se hetimi është ndërprerë me fillim, dhe ndaj prokurorit Rexha janë marrë të gjitha masat e nevojshme.

“Ndaj prokurorit menjëherë janë marrë të gjitha masat e nevojshme që ai të mos jetë më pjese e sistemit prokurorial, kinse në këtë rast ka pasur një hetim që është mbyllur, për çka thuhet se është suspenduar, mirëpo pas hulumtimit të grupit “KOHA” hetimi i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë”, tha Musliu, sipas të cilit situatë e njëjtë është me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave.

Për raportin e IKD-së lidhur me dosjen e provimit të jurisprudencës së kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, Musliu tha se ajo çfarë ka ndodhur është shpërblimi i vartësit të Lumezit, prokurorit Kujtim Munishi me ngritje të shpejtë në pozita, pasi i njëjti mbylli hetimet parapenale për dosjen e Kryeprokurorit.

Ndërkaq sa i përket raportit të katërt të publikuar nga IKD, e që ka të bëjë me akuzat e ish-Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës Hashim Rexhepi, ndaj kryeministrit aktual Ramush Haradinaj dhe tani presidentit të vendit Hashim Thaci, Musliu bëri të ditur se nuk ka asnjë informatë nëse ka proces hetimor për këtë rast.

“Mosveprimi i Prokurorit të Shtetit arsyetohet vetëm me argatllëkun që bën karshi zyrtarëve, që në fakt praktikisht e kanë emëruar”, përfundoi drejtori ekzekutiv i IKD-së, Betim Musliu.

Ndryshe, koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2017” përbëhet nga: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Çohu, Instituti GAP, Iniciativa për Progres INPO, Instituti KIPRED dhe Columbus.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera