Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është duke marrë pjesë në konferencën e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, në Dhaka të Bangladeshit.
Atje ai para të pranishmëve ka mbajtur një fjalim ku ka folur për procese me rëndësi për Kosovën, por edhe Ballkanin Perëndimor, si rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian, për të cilin ka thënë se Kosova ka arritur progres të jashtëzakonshëm, përcjell Klan Kosova.
Pacolli më parë ka shpërndarë nëpër rrjete sociale pjesë nga ky fjalim.
Ky është postimi i plotë i ministrit të Jashtëm:
“Pjesë të fjalimit tim në mbledhjën e OIB (OIC) në Dhaka..
…..Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor janë të zotuar, që të bëhen anëtar të plotë të Bashkimit Evropian.
…. BE-ja vazhdon të jetë projekti më tërheqës për rajonin sa i përket sigurisë, zhvillimit dhe avancimit të vlerav demokratike.
…Në këtë drejtim, Kosova ka arritur progres të jashtëzakonshëm në rrugën drejt integrimit në BE. Tashmë kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, e cila nënkupton marrëdhënie kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së si dhe lehtëson rrugën drejt anëtarësimit në vitet e ardhshme.
…Kosova si një vend i vogël ka zhvilluar një politikë të jashtme të paqes, dialogut, kompromisit dhe interesave të përbashkëta. Ajo çfarë dua të them është se pse pas gjithë këtij progresi të bërë në Kosovë, ende ekziston një numër i shteteve anëtare të OBI-it, që po e vonojnë vendimin e tyre për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Deri më tani jemi njohur nga 116 shtete anëtare të OKB-së dhe jemi anëtar të një sërë organizatash rajonale dhe ndërkombëtare. Për më tepër, 36 shtete anëtare të OIB-it kanë njohur Kosovën dhe kanë treguar zotim të jashtëzakonshëm drejt forcimit të marrëdhënieve bilaterale.
….Republika e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në INTERPOL me qëllim që të kontribuoj edhe më tutje në luftimin e përbashkët të krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, terrorizmit dhe aktiviteteve të tjera kriminale, dhe të mbyll një boshllëk të rëndësishëm në aftësitë për luftimin e krimit në Ballkanin Perëndimor. Anëtarësimi në INTERPOL do të krijonte bazën formale të bashkëpunimit mes Kosovës dhe vendeve të tjera në luftën e përbashkët kundër ekstremizmit dhe krimit të organizuar, që do të mundësoj shkëmbimin e informatave në kohë reale në nivel të agjencive të zbatimit të Ligjit.
Meqenëse në nëntor të vitit 2018, INTERPOL do të mbajë takimin e 87-të të Asamblesë së Përgjithshme në Dubai, i bëjë thirrje të gjitha shteteve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik të votojnë pozitivisht për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
(Ky regjistrim eshtë berë nga telefoni i rëndomtë, kërkoj ndjesë për kvalitetin e dobët.
Unë për shkak të hargjimeve, nuk udhëtoj me ekipe televizive)”.