Lajme

Gjykimi i shoferit që shkaktoi vdekjen e udhëtarit

Autori: Gazeta inFokus 11:18 | 07 April 2018

Në gjykimin e Xhemajl Zenelit për rrezikim të trafikut publik dëshmoi eksperti i komunikacionit Ahmet Maxhuni.

Zeneli po voziste një automjet në të cilin përveç udhëtarëve, sipas ekspertit Maxhuni kishte edhe dru, ndërsa mjetit i kishte dështuar sistemi i frenimit.

Pas pyetjes së prokurorit Sahit Tmava se a ishte e lejuar që në automjetin kombi të ketë ngarkesë në bagazh përveç pasagjerëve, eksperti Maxhuni shpjegoi se kjo nuk ishte e lejuar.

-Advertisement-

“Mjeti i cili ka qenë i përfshirë në këtë aksident në bazë të karakteristikave të tij nuk është e lejuar të bartë dru sikur në rastin që kemi, edhe në rast se kishte qenë furgon që është vetëm me ulëset e para nuk ka të drejtë të bartë sende që janë mbi peshën e vetë automjetit “, shpjegoi eksperti.

Pyetjes se a ishte e mundur që shkaktare e aksidentit të jetë ngarkesa e tepërt, eksperti iu përgjigj se automjetit i ishte prishur sistemi i frenimit.

Por eksperti deklaroi se ngarkesa e tepërt ka mundur të jetë shkaktare e aksidentit dhe mund të ketë ndikuar edhe në humbjen e drejtimit të lëvizjes.

Ekspertit Ahmet Maxhuni i shtroi pyetje edhe Avdi Dinaj, avokati i të akuzuarit Xhemajl Zeneli.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Dinaj, tha se në automjetin kombi, të cilin në ditën kritike e ka drejtuar i akuzuari, lejohet bagazhi në përputhshmëri me ligjin, por sipas tij jo më shumë se pesha e lejuar.

Kurse mbrojtësit i të pandehurit, po ashtu deklaroi se kishte vërejtje në mendimin dhe konstatimin e ekspertit.

Dinaj gjithashtu propozoi që kjo çështje t’i dërgohet Fakultetit Teknik në Prishtinë për të bërë një superekspertizë lidhur me rastin.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurori me arsyetimin se ekspertiza e cila gjendet në shkresat e lëndës dhe mendimi i ekspertit në shqyrtim, e po ashtu edhe provat e tjera që gjenden në shkresat e lëndës e vërtetonin kryerjen e veprës penale nga ana e të pandehurit.

Ndërsa gjyqtari Bekim Veliqi pasi vlerësoi propozimin dhe parashtrimin e kundërshtimit nga prokurori i shtetit, vendosi të aprovojë propozimin e avokatit Avdi Dinaj.

Veliqi vendosi që të caktohet një komision i ekspertëve të komunikacionit, respektivisht të kryhet superekspertizë lidhur me rastin.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë e akuzon Xhemajl Zenelin se në prill të vitit 2014 nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve duke drejtuar automjetin e udhëtareve Kombi nga fshati Bajgorë në drejtim të Mitrovicës, saktësisht në hyrje të Tunelit të Parë, si pasojë e prishjes se sistemit të frenimit të automjetit, raporton Kallxo.com.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se automjeti kishte qenë i ngarkuar me tepër se masa maksimale e lejuar dhe me tepër se mundësitë teknike të komunikacionit të mjetit.

Pas prishjes së frenave automjeti kishte marrë një shpejtësi shumë të madhe me ç‘rast pasagjerët që kishin qenë ulur në ulëset mbrapa kishin hapur derën dhe kishin kërcyer nga automjeti.

Së pari kishte kërcyer i dëmtuari Hakif Halimi, pastaj i ndjeri Nezir Xhafa e me pas i dëmtuari Berat Shkupolli, ndërsa pasagjeret që ishin në ulëset e para së bashku me vozitësin tentonin ta ndalonin automjetin i cili me pas kishte dalë nga rruga në anën e majtë dhe ishte ngjitur bjeshkës deri në goditjen e një peme kur edhe ishte ndalur.

Si pasojë e këtij aksidenti lëndime trupore kishin pësuar Berat Shkupolli, Hakif Halimi, Mehmet Rexhepi, Shyqri Gjikolli, kurse Nezir Xhafes i ishin shkaktuar lëndime të rënda trupore në kokë, qafë dhe fytyrë si pasojë e të cilave kishte vdekur në QKUK.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Keiretsu Forum Southeast Europe dhe BKT Kosova, një bashkëpunim i guximshëm për herë të parë në llojin e tij, në…
-Advertisement-

Të tjera