Lajme

Sahiti: Angazhimi i profesorëve të UP-së në 2-3 punë tjera po ndikon në uljen e cilësisë

Autori: Gazeta inFokus 06:59 | 10 March 2018

Naser Sahiti, prorektor në Universitetin e Prishtinës ka thënë se angazhimi i profesorëve të UP-së edhe në 2-3 vende të tjera të punës po ndikon në uljen e cilësisë së arsimit të lartë.

Në Interaktiv ai ka thënë se kopjimi është një dukuri mjaft komplekse në UP, ndërsa thotë se në sofistikimin e kësaj dukurie ka ndikuar edhe teknologjia.

“Kopjimi është një dukuri që nuk është e re. Edhe më herët kanë kopjuar megjithatë teknologjia ka sofistikuar këtë dukuri. Konsideroj se shumica e studentëve kryejnë provimet me meritë por kjo ndikon edhe studentët që meritojnë sukseset. Kjo është një dukuri shumë komplekse dhe kjo është pjesë e mentalitetit e kulturës sonë. Universiteti duhet të ndikojë në luftimin e kësaj dukurie. Shpërqendrimi i madh i stafit akademik për shkak të angazhimeve në shumë institucione, përfshi këtu edhe universitetet e tjera publike. Ajo bën që stafi akademik të mos gjejë kohë t’i përkushtohet studentëve në UP. Vetëm vlerësimi permanent do të siguronte që kjo dukuri të zvogëlohet. Një ndër masat është evitimi që profesorët tanë të punojnë në 2-3 vende të punës. Tani janë ndërtuar disa qendra për stafin akademik të cilët do të përfitojnë që të bëjnë vlerësime permanente”, shprehet ai.

-Advertisement-

Sahiti ka shtuar se UP-ja ka tentuar që të ndalojë që profesorët të mos jenë të angazhuar edhe në vende të tjera të punës por kjo është mjaft problematike.

“Qysh është aktualisht situata është e pamundur të ndalohet. Çështja është se si stafi akademik të jetë në mënyrë të vazhdueshme me studentët. Përmes kontaktit të drejtpërdrejtë do të bëhet një vlerësim real. Kemi provuar që t’i detyrojmë profesorët të qëndrojnë për tetë orë, por kemi hasur në probleme të mëdha. Vetëm UP-ja e ka shumë të vështirë të bëjë këto rregullime. Duhet që të gjitha institucionet që të dakordohen për stafin akademik pasi rinia po dëmtohet me këto veprime”, ka thënë ai.

Për ndalimin e kopjimit ai thotë se do të duhej të fillonte një fushatë vetëdijësuese për studentët. Ndërsa shton se mungesa e literaturës bazë është një nga problemet.

“Ndoshta është mirë që të fillohet me një fushatë vetëdijësuese me studentët për t’iu treguar se kjo dukuri i dëmton ata. Tashmë kemi kodin akademik për stafin por jo edhe për studentët. Mungesa e literaturës bazë është një nga problemet megjithatë problemi është mungesa e kohës që profesorët e shpenzojnë me studentët. Masat merren, por kjo varet edhe nga ndërgjegjja e profesorëve por besoj se ata marrin masa ndaj studentëve që kopjojnë. Qëllimi i ndëshkimit është parandalimi. Në rast se kish pas shumë më shumë raste të ndëshkimit për shkak të kopjimit atëherë do të ndihmonte në parandalimin e kësaj dukurie”, ka thënë ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera