Lajme

Islami: Kemi vjedhur në emër të Kompleksit “Adem Jashari”

Autori: Gazeta inFokus 11:03 | 12 February 2018

Edhe pse ishte njoftuar para 10 vitesh me projektin e arkitektit, Përparim Rama, për konservimin e Kompleksit “Adem Jashari”, Qeveria e Kosovës ka treguar neglizhencë, duke e lënë këtë kompleks memorial në një gjendje të padëshiruar.

Kështu pohon në një intervistë opinionisti Dardan Islami, sipas të cilit, 9 milionët e shpenzuara për mirëmbajtjen e këtij kompleksi janë plaçkitur, pasi që gjendja e Kompleksit “Adem Jashari” mbetet e keqe.

“Po nuk ka qenë vetëm ideja e tij, por asnjë ide. Vet gjendja e Momorialit tregon se në çfarë gjendje është, vet gjendja e tij që po tregon se po rrënohet, nuk ka asnjë mburojë, tregon se njerëzit kanë qenë të interesuar pas punëve të veta, me i rregullua shtëpitë e veta.. .Ata kanë refuzuar me e taku, e kanë mashtruar, e kanë gënjyer, si gjithmonë. Lajmi më i keq është se aty janë shpenzuar diku rreth 9 milionë dhe kjo mbetet në këtë gjendje, kjo është edhe më keq sepse edhe kemi shpenzuar, edhe kemi vjedhur në emër të asaj”, tha ai.

-Advertisement-

Lidhur me këtë projekt i cili para pak ditësh është bërë publik edhe në mediat e Kosovës, Islami shpjegoi më detajisht se si ishte puna e këtij projekti para 10 vitesh.

“Ky projekt është projektuar dhe iniciuar nga arkitekti i njohur, Përparim Rama, që tash vepron në Londër qe 20 vite. Ky projekt i është prezantuar me iniciativën e tij kompanisë ‘Foren Group’ në Londër në vitin 2010, iu është prezantuar institucioneve të Kosovës në atë kohë, gjegjësisht kryeministrit Thaçi në atë kohë, e të cilët e kanë pëlqyer në parim dhe kanë premtuar se do ta kenë parasysh, por fatkeqësisht rezultati na tregon në çfarë gjendje është sot Memoriali. Tregon për një neglizhencë, tregon për një mentalitet të cilin tash e 20 vjet e shohim këtu. Pra, ky projekt është trajtuar sikur tenderët e rrugëve e të asfaltit të cilat mirëmbahen çdo vjet, por, realisht e kanë huq parimin kryesor, konservimin e vet shtëpive. Janë shtruar pllaka, janë shtruar varret por nuk mjafton”, tha ai.

Sipas tij, projekti në fjalë parashihte zgjidhje edhe për çështjen e financimit të mirëmbajtjes e cila kushton goxha shtrenjtë. Për këtë, Islami tha se me pak atraktivitet, vizitorët e Kompleksit do të mund të kontribuonin në grumbullimin e një fondi për mirëmbajtjen e “Muzeut”.

“Problemi i memorialëve është se mirëmbajtja e tyre gjithmonë kushton shtrenjtë dhe si i tillë ky projekt është dizajnuar që të jetë interaktiv me vizitorët, kur dimë se kjo është Meka dhe Medina e shqiptarëve, pra ku vijnë verës me qindra-mijëra vizitorë, të cilët do të kenë mundësi të kontribuojnë me një sms, të vendosin një varg në atë murë, e cila i merr automatikisht një euro. Kështu që me vet dyqanet që i ka muzeu, me suveniret, do të mbajë gjallë atë objekt, i cili do edhe ventilim të posaçëm”, tha ai për kosovapress.

Megjithatë Islami u shpreh optimist se do të zgjidhet problemi i konservimit të Kompleksit “Adem Jashari”, pasi që me iniciativën e marrë ditë më parë “Për shpëtimin e Kompleksit të Familjes Jashari” kjo çështje është aktualizuar dhe institucionet përgjegjëse kanë filluar të lëvizin drejt zgjidhjes së këtij problemi.

“Më vije mirë që njerëz si Jusuf Thaçi e kanë filluar këtë iniciativë dhe është përkrahur prej shumë njerëzve. Edhe institucionet ishin të shpejta këtë herë. Pamë z.Daut Haradinaj, si kryetar i Komisionit Parlamentar për Memorialet, i cili reagoi shpejtë dhe duket se tash do ta shpejtojnë këtë proces dhe i ftoj edhe të interesuarit tjerë që të marrin pjesë në këtë tender, ku do të bëhet jo vetëm një memorial, por muze”, tha ai

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera