Lajme

Deutche Welle numëron 8-10 mijë veta në protestën e opozitës

Autori: Gazeta inFokus 22:31 | 27 January 2018

Dy partitë kryesore në opozitë PD dhe LSI drejtuan në bulevardin kryesor të Tiranës mijra mbështetës dhe simpatizantë të tyre nga e gjithë Shqipëria në një protestë kundër qeverisë Rama 2 dhe kërkuan dorëheqjen e saj.

Albanien | Anti-Regierungsprosteste in Tirana (Reuters)
Akuza kryesore e Partisë Demokratike (PD) dhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), e para e djathtë dhe dyta e majtë, është lidhja e qeverise aktuale me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Protestës kundër qeverisë iu bashkuan edhe disa parti të vogla opozitare, që nuk përfaqësohen në parlament. Me flamurin kombëtar si dhe atë të SHBA-së dhe të BE-së protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe rrëzimin e qeverisë.

Drejtuesit e partive opozitare mbajtën fjalime para protestuesve me thirrje për të vazhduar protestat në gjithë vendin deri në rrëzimin e qeverisë Rama 2, e cila sipas tyre nuk është legjitime pasi “ka blerë me paratë e drogës dhe të krimit 20 përqind të 71 deputeve të PS” në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit të kaluar. Para protestuesve mbajtën fjalime të njëjtët drejtues të forcave politike, të paktën në dy dekadat e fundit. Narrativa e fjalimeve të tyre kishte edhe mesazhe antikomuniste duke u kthyer pas 27 vjet gjë që evidentoi për të panumërtën herë status quonë e elitës politike opozitare.

-Advertisement-

Albanien | Anti-Regierungsprosteste in Tirana (Reuters)
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

“Në emrin tuaj , të të gjithë shqiptarëve dhe të opozitës kërkojmë që Edi Rama dhe qeveria e tij ilegjitime të ikë” tha në protestë kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Në fjalën e tij ai tha se reforma në drejtësi nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe u kërkoi protestuesve të “vazhdojnë luftën” për një qeveri anti-mafie që do të ҫojë vendin “drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”

Protesta – test për mbështetjen e qytetarëve ndaj opozitës

Protesta e sotme konsiderohet si një tregues se sa mbështetës ka forca kryesore opozitare PD pas humbjes së rëndë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit të kaluar. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve PD-ja mori në ato zgjedhje vetëm 30,63 të votave të elektoratit kurse PS 41,6 %. Përjashtimi prej listës së deputetëve nga lideri i PD-së Lulzim Basha i personaliteteve të kësaj partie, që nga ish-kryetarja e Parlamentit Topalli, ish-kryetari i grupit parlamentar Patozi, ish-ministrja e Integrimit Europian Bregu, që kanë qëndrime kritike ndaj Bashës për mungesë demokracie dhe manipulim të votave në rizgjedhjen e tij kryetar pas humbjes së zgjedhjeve të verës së kaluar, konsiderohen nga analistët e Tiranës si faktorë që kanë ulur ndjeshëm mbështetjen e elektoratit të djathtë ndaj PD-së.

Albanien | Anti-Regierungsprosteste in Tirana (Reuters)
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha

Burime të pavarura e vlerësojnë diku mes 8-10 mijë numrin e protestuesve, pothuajse të njëjtë me atë në protestat e PD-së verën e kaluar, në “Çadrën e Lirisë” të ngritur për tre muaj përballë ndërtesës së Kryeministrisë për të kërkuar të njëjtën gjë: dorëheqjen e qeverisë Rama 1, e cila sipas PD nuk garantonte “zgjedhje të lira dhe të ndershme” për shkak të lidhjes me krimin e organizuar. Edhe në protestën e sotme protestuesit ishin në shumicën e tyre militantë dhe mbështetës të PD dhe partive të tjera në opozitë.

Albanien | Anti-Regierungsprosteste in Tirana (Reuters)
Munguan qytetarët e zakonshëm, pa vokacion politik. Burime nga PD u shprehën për 30 herë më shumë pjesëmarrës duke e ngritur numrin e tyre në 300 mijë vetë. Policia e shtetit nuk ka dhënë asnjë shifër zyrtare për numrin e pjesëmarrësve. Në një njoftim për shtyp, Ministria e Brendshme bëri me dije se policia e shtetit ia doli mbanë të administrojë lëvizjen në akset rrugore „të 70 autobuzëve dhe 90 minibuzëve, furgonave dhe automjeteve të tjera që sollën nga 12 qarqet e vendit protestuesit në Tiranë”.

Policia e shtetit në gatishmëri të lartë.

Rreth 1.500 forca policore dhe misionet ndërkomnbëtare që asistojnë policinë e shtetit siguruan zhvillimin e protestës pa incidente. Ato kishin krijuar një kordon para ndërtesës së kryeministrisë dhe përreth saj ndërkohë që në tarracën e kryemnistrisë kishin zënë vend snajperat. Vendi i protestës së sotme risolli në kujtesën e qytetarëve 21 janarin 2011 kur u në protestën e organizuar nga PS, atëhere në opozitë, u qëlluan me armë zjarri nga policia dhe mbetën të vrarë 4 protestues të paarmatosur, kur ministër i Brendshëm ishte lideri aktuali PD, Lulzim Basha. Forcat e policisë qëndruan në gatishmëri deri në shpërndarjen e protestuesve.

Akuza të opozitës ndaj ambasadorit amerikan dhe kreut të delegacionit të BE në Tiranë

Protesta e sotme u parapri nga akuza e ish-kreut të PD-së, Sali Berisha ndaj ambasadorit të SHBA dhe ndaj kreut të Delegacionit të BE-së në Tiranë. Në një program të ndjekur televiziv Berisha deklaroi se ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin “janë bërë palë me kryeministrin Rama, e mbrojnë atë dhe nuk lënë rast pa sulmuar opozitën”.

Opposition Proteste in Tirana (DW/R. Shehu)
Në këtë kontekst kryetari i PD, Lulzim Basha u bëri thirrje sot ambasadorëve që të kenë parasysh që Shqipëria aktuale është “një diktaturë europiane”. Por muajin e kaluar Jahannes Hahn, Komisioneri i BE-së për Politikat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë së Mirë deklaroi se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe në prag të hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE, nëse do të ketë rezultate konkrete dhe të pakthyeshme të reformës në drejtësi.

Në Shqipëri ka filluar vettingu i prokurorëve dhe i gjyqtarëve dhe është zgjedhur nga Parlamenti kryeprokurorja e përkohshme, proces i mbështetur nga SHBA-ja dhe BE-ja, por që sipas opozites është antikushtetues.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera