Lajme

Gazeta italiane thur lavde për Pacollin, tregon sakrificat e tij për Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 20:00 | 27 January 2018

Gazeta e njohur italiane “Il Messagero”, i ka kushtuar një artikull zëvendëskryeminsitrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Në artikullin e shkruar nga Elena Panarella dhe Rossella Fabiani, flitet për jetën, vendlindjen dhe pasurinë e Pacollit, si dhe librin e tij të prezantuar dje në Romë “Asgjë nuk është e pamundur. Jeta ime nga varfëria në sukses”.

Kjo gazetë shkruan për restaurimin e ndërtesave të njohura në botë nga  kompania e ndërtimit të Pacollit, martesa me këngëtaren Anna Oxa si dhe takimet që ai kishte me Gadafin, Putinin, Klintonin dhe Nënën Terezë.

-Advertisement-

Ky është artikulli i gazetës “Il Messagero”:

Shumë e njohin sepse ai është njeriu më i pasur në Kosovë si dhe për atë që ka restauruar ndërtesat e pushtetit të Moskës: Shtëpinë e Bardhë në brigjet e lumit Moskova dhe Kremlinin.

Të tjerët, veçanërisht në Itali, e kujtojnë atë si ish-bashkëshortin e këngëtares Anna Oxa. Por jeta e Behgjet Pacollit, tani Ministër i Jashtëm i Qeverisë së Kosovës, është shumë më tepër.

Historia e tij duket si e shkruar nga një skenarist i Metro Goldëyn Mayer. Dhe tani është ai që e tregon atë personalisht në faqet e librit “Asgjë nuk është e pamundur. Jeta ime nga varfëria në sukses”, botuar nga shtëpia botuese Cairo dhe prezantuar dje në Romë në Shoqatën “Dante Alighieri”.

Me origjinë nga fshati i vogël i Marecit, afër Prishtinës, deri tek pasuria e arritur me Mabetex, kompania e ndërtimit që e solli atë në gjykatën e Jelcinit në Moskë, ku ai restauroi fillimisht Shtëpinë e Bardhë (selia e qeverisë) dhe pastaj Kremlinin (që ishte e çarë dhe tani është selia e presidencës).

“Shkoja në bibliotekë për të studiuar skicat e arkitektëve italian të shekullit të tetëmbëdhjetë para se të vija dorën në ato dhoma të arta”, thotë Pacolli që me Mabetexin e tij nga asgjëja ka realizuar edhe Astanën e Nazarbaevit, kryeqytetin e Kazakistanit, që ekonomikisht ishte goditja e tij më e madhe. Dhe ishte ai gjithashtu ndër ata që bënë që të rilindë Feniksi i Venedikut pas zjarrit.

Në libër, për herë të parë, Pacolli kujton vitet e fëmijërisë së tij si shqiptar në Kosovë, ende pjesë e Jugosllavisë – dhe më pas ato të studimeve në Gjermani. Aizbulon sfondin e skandalit ndërkombëtar në të cilin ishte përfshirë, dhe rrëfen detajet e takimeve me Gadafin, Putinin, Klintonin dhe Nënën Terezë që, një herë në Kalkutë, e bëri atë të kuptojë se si paratë nuk ishin gjithçka.

Shenjtorja e bindi atë që ta lë hotelin Hilton, e vendosi për të fjetur në një dhomë të vogël dhe në këmbim u detyrua t’ju jap të varfërve 200 dollarë për një natë, aq sa do të paguante në hotel. Pacolli po ashtu flet për romancën e tij me Anna Oxa dhe atë me Mashan, gruan e tij aktuale ruse dhe nënën e fëmijëve të tij, e cila sot drejton Fondacionin zviceran “Ibrahim Kodra”,  të krijuar në vitin 1993 për qëllime humanitare dhe kulturore.

Për 66 vite, albumi i jetës së Pacollit flet gjithashtu për takimet me Titon, Niksonin, Karla “Cruella” Del Ponte, Zaha Hadidin dhe bisedimet e pasuksesshme me Millosheviqin, negociatat për të shpëtuar një peng italian në Afganistan dhe me Gianni Agnelli që u braktis në paradhomat e Kremlinit.

Por, mbi të gjitha, duke rrëfyer për jetën e tij, Pacolli rrëfen një pjesë të historisë së Ballkanit, rënien e Bashkimit Sovjetik dhe betejën dramatike për pavarësinë e Kosovës, për të arritur deri tek çështjet aktuale dhe për t’u përqendruar  mbi situatën politike, kulturore dhe ekonomike të vendit të tij. Një vend i të cilit ai ishte President për një muaj dhe tani e përfaqëson në mbarë botën si Ministër i Jashtëm.

Politika është pasioni i tij i madh: “Unë kam qenë gjithmonë një politikan dhe sot unë jam një person kyç: pa deputetët e mijë, Kosova do të ishte pa qeveri. Në pak ditë do të festojmë dhjetë vjetorin e pavarësisë. Rruga drejt Evropës është ajo e drejta, por disa njerëz ose përshtaten, ose është më mire që të largohen”.

Për një kohë të gjatë, toka të konfliktit, Ballkani i ëndërruar nga Pacolli është i bashkuar e i pajtuar.

“Unë i përfytyroj këto toka si një paradhomë e madhe e Evropës. Por jemi shumë vonë. Megjithatë, asgjë nuk është e pamundur. Nëse ende duhet të presim për të hapur dyert evropiane, atëherë është më mirë të qëndrohet në shtëpi dhe të krijohet diçka konkrete atje sesa në Bruksel. Kjo është e sigurt. Ne jemi në gjendje ta bëjmë atë, me vullnet çdo gjë mund të bëhet”.

Më 16 janar u vra Oliver Ivanoviq, udhëheqës i pakicës së serbëve që ende jetojnë në atë rajon i cili është me shumicë shqiptare dhe Kosova, e cila shpalli pavarësinë e saj dhjetë vjet më parë, por që nuk është e njohur ende nga të gjitha vendet.

Por, Pacolli nuk pushon kurrë të besojë në një pajtim të mundshëm: Këtë e kam thënë që nga viti 2007 dhe vazhdoj ta përsëris. Në Ballkan duhet të arrihet paqja dhe pajtimi në mes të popujve në konflikt. Ne kurrë nuk duhet ta ndalojmë dialogun, jam i bindur se vetëm kur ne të dialogojmë dhe të lëmë armët mënjanë, mund të arrijmë në një zgjidhje. Procesi për të cilin flas vazhdon shumë ngadalë. Megjithatë, arritëm që me Shqipërinë të kemi takime qeveritare dy herë në vit. Këtë vit ne fillojmë me Maqedoninë dhe mendoj se në fund të vitit 2018 do të takohemi edhe me Malin e Zi. Është një fillim i mirë për të arritur këtë paradhomë evropiane për të cilën po flas”, ka thënë Pacolli.

Koha që Behgjet Pacolli ka kaluar në Moskë për punën e tij, gjatë periudhës së Boris Jelcin, e bëri të njohë thellësisht Rusinë e cila sot është aleati kryesor i Serbisë me të cilën Prishtina ka marrëdhënie të këqija.

A mund të ndihmojë përvoja juaj personale në Kosovë? “Po. E di mënyrën e të menduarit të rusëve. Është një popull i madh, të cilin e vlerësoj. Nëse ka divergjenca politike sot, kjo nuk do të thotë se një ditë nuk do të ketë miqësi”. Dikush gjithashtu mendon se Pacolli do të jetë kandidat për kryeministër të Kosovës.

“Nuk e di se çfarë do të jetë e ardhmja. E di se ajo që kam  bërë deri më tani e bëra me sakrificë të madhe. Me kënaqësi të madhe dhe me dëshirën për të ndërtuar gjithmonë. Të gjitha këto elemente të kombinuara më bëjnë të mendoj për titullin e librit tim: Asgjë nuk është e pamundur”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera