Lajme

Kush është Martin Kaza, vrasësi i dy vëllezërve dhe jeta e tij në Angli

Autori: Gazeta inFokus 16:26 | 30 December 2017

Drejtësia nuk harron. Kjo thënie vlen më shumë këto ditë për Marin Kazën, 46 vjeçarin nga Lezha, i cili u ekstradua dje nga Britania e Madhe me akuzën e vrasjes së dy vëllezërve në vitin 1997 në Mirditë.

Ai është i dënuar me 22 vite me burg për këtë akuzë, ndërsa jetonte prej shumë vitesh në Angli me identitet të rremë.

Por kush është Martin Kaza dhe si arriti t’i shpëtonte për kaq vite drejtësisë në arrati? 46-vjeçari nga Lezha u arrestua në Londër në muajin Qershor të vitit 2016. Tvklan.al e ka ndjekur në vazhdimësi historinë e tij që pas arrestimit në shtetin ishullor. Sipas të dhënave që tvklan.al ka mësuar, Martin Kaza jetonte në Britani të Madhe që prej vitit 2001.

-Advertisement-

Disa vite pasi vrau vëllezërit Agustin dhe Dod Gjini, 46-vjeçari u arratis drejt Anglisë për të kërkuar azil, duke pretenduar se ishte refugjat lufte nga Kosova. Ai përdorte identitetin e rremë Naim Karagjia, transmeton Klan.

Pasi mbërriti në Britani, në vitin 2008 Kaza u martua me zonjën Majlinda Dule. Martin Kaza është baba i tre fëmijëve të lindur në Britani të Madhe. Ai bënte punë të ndryshme në restorante, lavazhe dhe punonte në ndërtim.

Pas arrestimit të tij nga autoritetet angleze me qëllim ekstradimin në Shqipëri, avokati i 46-vjeçarit apeloi çështjen në Gjykatën e Lartë angleze. Procesi gjyqësor për ekstradimin e tij drejt vendit tonë zgjati 10 muaj. Gjatë seancave gjyqësore, Kaza ishte shprehur se ekstradimi i tij nga Anglia ku kishte punuar për 18 vite, shkelte të drejtat e njeriut dhe ishte i pajustifikuar.

Po ashtu, ai i tregoi gjykatës se për t’iu shmangur familjes Gjini me të cilën ishte në hasmëri, pasi në 1994 ata i kishin vrarë vëllain Ndue Kaza, oficer policie, ai ishte fshehur në Greqi.

Martin Kaza, si pjesë të mbrojtjes për të shmangur ekstradimin i tregoi gjykatës se e kishin goditur 4 herë me thikë dhe kishte përfunduar në koma pasi ishte dëbuar nga Greqia.

Megjithatë, gjykata angleze nuk u bind nga argumentimet e Martin Kazës dhe vendosi ekstradimin e tij për të vuajtur dënimin në Shqipëri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edicioni i 6-të i Garage Sale sjell zbritje të madhe në Comodita Home!
-Advertisement-

Të tjera