Sport

Ronaldo përballë Messit , maratona në sprintin e fundit

Autori: Gazeta inFokus 16:23 | 22 December 2017

Beteja e përjetshme i ka parë këta dy yje në luftë për pjesën më të madhe të vitit 2017. Dhe kur kanë ngelur vetëm disa ditë nga fundi i vitit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi do të ndeshen edhe njëherë të fundit në klasike.

Gara e tyre është një maratonë që do vendoset në sprintin e fundit nesër në “Bernabeu”, sepse ata vijnë në kuotë të barabartë golash gjatë vitit 2017, 53. Shenja e barazimit vlen edhe për “Topat e Artë”, “Këpucët e Arta” dhe trofetë e Ligës së Kampionëve.

Fati i ka lidhur pashmangshmërisht bashkë dhe beteja për të mposhtur njëri-tjetrin do të vazhdojë. Portugezi ka pasur një vit më të suksesshëm se argjentinasi në planin e trofeve me klubin dhe ata individualë. Prandaj, njërit me egon e tij do t’i vinte shumë keq sikur ta humbiste edhe këtë etapë të fundit.

-Advertisement-

Dekada e fundit nuk mund të kuptohet pa këta dy emra dhe “El Clasico” ka pasur fatin që t’i ketë në fushë prej vitit 2009. Rivaliteti i tyre ka zëvendë- suar duele të mëdha sportivem si ai i tenistëve Andre Agasi dhe Pit Sampras. Kështu që edhe njëherë, edhe pse klasikja e së shtunës do të ketë shumë yje, sërish fokusi i kamerave do të jetë tek ata të dy.

Statistikat – Shifrat tregojnë se sa të rëndësishëm janë Ronaldo për Realin në “Camp Nou” dhe Mesi për Barçën në “Bernabeu”. Kur CR7-ta luan, Reali fiton 75.36% të ndeshjeve. Kur Mesi është në fushë në anën tjetër, përqindja e fitores së katalanasve është 75.63. Kur Kristiano shënon, Reali fiton në 89.53% të rasteve. Sa herë e bën rivali i tij, Barcelona del me 3 pikët në 88.94% të ndeshjeve.

Tifozët mund të debatojnë dhe statistikat sfidojnë njëra-tjetrën, por vështirë në këtë kohë sot të përcaktosh më të mirin. Për Ronaldon, vizita e “pleshtit” në fushën e tij dhe mundësia për të shuar shpresën e Realit për mbrojtjen e titullit, do të ishte një goditje shkatërrimtare. Për Mesin, e shtuna mund të shënojë mbylljen e një faze të parë perfekte. Do të jetë hera e 34-ët që ata do të përballen me njëri-tjetrin me argjentinasin, që ka shënuar dy gola më shumë se luzitani (20-18).

CR7 ka dalë fitimtar 10 herë, ndërsa rivali i tij 15. Por le t’i harrojmë për pak shifrat. Sa herë hyjmë në to, duket sikur diskreditojmë magjinë e kualitetit të secilit. Për të përcaktuar se kush është më i miri, bëjmë mirë t’i shmangim statistikat. Por sërish tundohemi nga ato, sepse kjo është hera e parë që ata vijnë në një barazi të tillë që prej nisjes së betejës së përjetshme një dekadë më parë.

Klasikja e nesërme do të shihet në të gjithë botën dhe jo vetëm sepse përballë do të jenë dy skuadrat më të mira në botë, por edhe sepse ato kanë në gjirin e tyre dy lojtarët më të mirë të planetit: Ronaldo dhe Messi, dominuesit e kësaj epoke.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera