Sport

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Maqedonisë (Foto)

Autori: Gazeta inFokus 14:14 | 04 September 2017
Kombëtarja nuk njeh pushim, pasi për ballja e nesërme me Maqedoninë i detyron të zbresin në fushë.
 
Kështu ditën e djeshme, në orën 10:30 kuqezinjtë, nën drejtimin e Christian Panuccit, kanë zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore të ndarë në dy grupe.
 
Titullarët në sfidën me Lihtenshtejnin kanë bërë xhiro përqark fushës dhe më pas streçing, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve kanë bërë një seancë stërvitore normale, ku edhe bënë një minindeshje midis tyre. Ra në sy edhe prezenca e Armando Sadikut, i cili u stërvit normalisht me pjesën tjetër të grupit.
 
Me shumë gjasa, për të mos thënë që është e sigurt: Bomberi elbasanas do të hidhet në fushë nga minuta e parë, për më tepër që pa të Kombëtarja nuk e rrezikoi shumë portën e kundërshtarëve.
 
Dje, Panucci nuk zbuloi asgjë nga formacioni që mund të hedhë në fushë, pasi skuadra u stërvit me dy grupe të veçanta, por duke parë intensitetin dhe kërkesën e llogarisë që tekniku u kërkonte lojtarëve “rezervë”, pritet që disa prej tyre të luajnë nga minuta e parë dhe të shihen si alternativë për sfidën me Maqedoninë.
 
Pikërisht për këto ndryshime pat pohuar edhe vetë italiani pas ndeshjes me Lihtenshtejnin, duke e pasur të qartë se ndaj fqinjëve nuk mund të luajnë njëlloj si me modestët e para dy ditëve, pasi rivali është i një tjetri nivel, transmeton PanoramaSport.
 
Italiani i Kombëtares sonë ka eksperiencën e tij të parë si trajner, por ende nuk i ka humbur dëshira që herë pas here të merret edhe me topin si një lojtar.
 
Pasi qëndroi gjatë gjithë kohës me futbollistët që nuk luajtën ndaj Lihtenshtejnit, nuk ngurronte që ushtrimet e lojtarëve t’i bënte fillimisht vetë, në mënyrë që këta të fundit të kuptonin mirë se çfarë kërkonte tekniku italian.
 
FORMACIONI- Rikthimi i Armando Sadikut në majën e sulmit bën që Azdren Llullaku të “luftojë” fort për një fanellë titullari me Eros Grezdën për krahun e majtë. Të dy lojtarët zhvilluan një ndeshje relativisht të mirë me Lihtenshtejnin dhe tani vendimin përfundimtar do ta marrë trajneri Panuçi.
 
Mirëpo, nuk përjashtohet si mundësi që as njëri dhe as tjetri të mos luajë ndaj Maqedonisë. Jahmir Hyka është një tjetër alternativë e vlefshme, por, në krahasim me dy të parët, është më i disavantazhuar. Kjo nuk do të jetë dilema e vetme për trajnerin Panucci, i cili ndoshta mund të freskojë ekipin në mesfushë.
 
Njëri mes Memushajt dhe Bashës rrezikon të ulet në stol, por me gjasë ky i fundit do të diskutojë një vend me mesfushorin Burim Kukeli.
 
Të dy lojtarë me eksperiencë, por ndoshta Kukeli më i freskët sepse nuk luajti me Lihtenshtejnin, ndërsa Basha duket i “besuari” i trajnerit italian. Pjesa tjetër me shumë mundësi do të jetë e njëjtë dhe nuk do të ketë ndryshime nga sfida e së shtunës. 

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera