Lajme

Viti shkollor fillon me shumë harxhime

Autori: Gazeta inFokus 19:54 | 03 September 2017

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, nga libraritë e qytetit të Tetovës theksojnë se interesimi i prindërve dhe nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme për t’u pajisur me tekste dhe materiale të tjera të nevojshme shkollore është tejet i madh, shkruan gazeta KOHA. Libraritë së fundmi janë furnizuar me tekste dhe material të tjera shkollore dhe janë gati që nxënësve t’ju ofrojnë të gjitha gjësendet e nevojshme shkollore. Çmimet sipas pronarëve dhe punonjësve të këtyre librarive nuk kanë ndonjë dallim të theksuar për dallim nga vitet e kaluara, ato janë fleksibile dhe të kapshme për qytetarët, varësisht standardit në Republikën e Maqedonisë. Në libraritë e Tetovës thonë se çmimet janë të pranueshme për të gjithë, pasi që oferta është më e gjerë dhe çmimet janë të pranueshme edhe për shtresën me të ardhura më të vogla.

“Si përherë, ditëve para fillimit të vitit shkollorë janë më shumë të frekuentuara nga prindërit. Presin që interesimi të jetë më i madh edhe ditëve tjera. Sa i përket çmimeve, ata janë pothuajse të njëjta me vitet e kaluara. Mund të them se çmimet nuk janë rritur, por janë ulur. Kështu, për shembull, çantat i kemi edhe me çmime më të ulëta, por edhe ata prindër që mund të lejojnë një çantë më të mirë, normalisht se çmimi është më i madh”, thotë për KOHA, Islam Abazi nga libraria “Rilindja” në Tetovë. Kësisoj, fletorët fillojnë nga 10 denarë e më lartë, ndërsa çmimi i lartë është edhe për çantat të cilët fillojnë nga 10 euro, varësisht nga cilësia e materialit. Krahas librave të cilët jepen falas nga ana e Ministrisë së Arsimit, prindërit duhet të blejnë lapsa, goma, fletore, ngjyra, çanta dhe veshmbathje. Me gjithë dëshirën që fëmijët të jenë të kompletuar, edhe këtë vit çmimet janë të larta në krahasim me rrogën dhe gjendjen ekonomike. Prindërit zgjedhin një mesatare, por edhe çmime më të ulëta.

 Në këtë drejtim, prindërit edhe këtë fillim vit shkollorë do të duhet të ndajnë nga buka e gojës për të dërguar fëmijët e tyre në shkollë. Më vështirë e kanë ata që kanë nga dy e më shumë fëmijë në shkollë. Ata do të duhet të ndajnë më shumë se 200 euro vetëm për pajisje shkollore për fëmijët e tyre dhe po aq për veshmbathje. Prindërit shprehen se janë të stërngarkuar me shpenzime, sidomos kur fillon viti shkollor pasi që duhet të sigurojnë pajisjet dhe veshmbathjet për fëmijët.

“Një fëmijë e kam në shkollë fillore, kurse tjetri është në shkollë të mesme. Për të dy duhet veshje dhe pajisje tjera shkollore dhe me një rrogë prej 250 euro nuk mund të arrij të mbuloj tërë këto shpenzime që dalin. Nga viti në vit rriten shpenzimet në vend se të zvogëlohen. Fëmijët nuk kanë faj, ata shohin moshatarët e veshur mirë dhe ata kërkojnë, kurse xhepi ynë nuk lejon që t`u sigurojmë veshmbathje më cilësore”, thotë Nexhbedini, një prind tetovarë.

-Advertisement-

Përndryshe viti i ri shkollorë 2017/18 për shkollat fillore dhe ato të mesme që zakonisht fillon më 1 shtator, këtë vit, për shkak të Kurban Bajramit, viti i ri shkollorë do të fillojë më 4 shtator, gjegjësisht ditën e hënë. Nga ana tjetër në Sektorin për arsim theksojnë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillim të mbarë të vitit shkollorë në Tetovë. (koha.mk)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera