Lajme

Aksidente pas shiut, vdes shtetasi maqedonas

Autori: Gazeta inFokus 08:53 | 30 August 2017

Për shkak të motit të keq në Shqipëri, në disa segmente rrugore pati probleme me qarkullimin.

Zona më e goditur nga reshjet e shiut ka qenë në Bradashesh të Elbasanit, ku breshëri shkaktoi shumë dëme dhe banorët janë gjetur të papërgatitur.

Por situata më e rëndë ka qenë me aksidentet. Për shkak të reshjeve të fuqishme të shiut, pavarësisht se për pak kohë, pesë aksidente u shkaktuan në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, shkruan Top Channel.

-Advertisement-

Për pasojë një person gjeti vdekjen, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur mes të cilëve një 11-vjeçare në gjendje të rëndë, e cila pasi mori ndihmën e parë në Spitalin e Elbasanit është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për një mjekim më të specializuar.

Aksidenti që shënoi edhe një të vdekur ndodhi në Qafë-Thanë në fshatin Urakë, kur makina me të cilën udhëtonte viktima, një shtetas maqedonas dhe katër persona të tjerë, doli nga rruga dhe përfundoi disa metra poshtë.

Forcat policore dhe zjarrfikëse shkuan në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar për shkaqet e aksidentit të rëndë.

Aksidenti tjetër ndodhi po në zonën e Përrenjasit, pikërisht në vendin e quajtur Pishkash, kur dy furgonë pasagjerësh u përplasën duke shkaktuar katër të plagosur.

Aksidenti tjetër me numrin më të lartë të të plagosurve u regjistrua në Xibrakë, kur tre makina u përplasën mes tyre dhe shënuan 7 të plagosur. Ambulancat dhe Policia në vendin e ngjarjes mbërritën pak minuta më vonë, ndërsa qarkullimi është bllokuar për më shumë se 30 minuta.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera