Lajme

Hoxhaj për DerStandard: Dialogu me Serbinë do të përfundojë me anëtarësim të Kosovës në OKB

Autori: Gazeta inFokus 16:58 | 22 August 2017

Ish ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për të përditshmen austriake, Der Standard ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë me njohjen reciproke dhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Në intervistën për Der Standard, Hoxhaj ka theksuar se Kosova është në fazën e fundit të shtet-ndërtimit dhe kësisoj me Serbinë nuk duhet të bisedohet më për çështje teknike. Nëse dialogu nuk do të përfundonte me njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, atëherë Hoxhaj thotë se bisedimet nuk do të kishin kuptim.

“Ne jemi në fazën e fundit të shtet-ndërtimit dhe nuk duhet të bisedojmë më për çështje teknike. Dialogu i mbështetur nga BE dhe SHBA duhet të na shpie në fazën përfundimtare, ku Kosova merr ulësen e saj në Kombet e Bashkuara dhe të ketë një njohje të ndërsjellët mes Serbisë dhe Kosovës. Pa këtë, gjithçka është e pakuptimte”, ka thënë Hoxhaj për Der Standard.

-Advertisement-

Po ashtu, Hoxhaj ka theksuar se dialogu me Serbinë duhet të kufizohet në kohë dhe në përmbajtje.

“Kosova dhe Serbia janë vende fqinje dhe njohja e ndërsjellët do të ishte qëllimi i vetëm. Derisa Serbia nuk e njeh Kosovën, nuk mund të ketë një proces të pajtimit mes popujve”, ka shtuar Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se ideja për ndryshim të kufijve e propozuar nga krye diplomati serb, Ivica Daçiç është e gabuar dhe rrezikon stabilitetin në rajon.

“Në Serbi flitet për këtë skenar shpeshherë, por historia ka treguar që është gabim. Kufijtë në Ballkan janë të vendosur dhe kushdo që bën propozime të tilla lidhur me Kosovën rrezikon stabilitetin. Kjo do të kishte një domino efekt, që do të ishte i papranueshëm edhe për Bashkimin Evropian dhe SHBA-të. Ne jemi kundër ndarjes apo çfarëdo shkëmbimi territoresh me Luginën e Preshevës. Është në interes të Serbisë që të modernizohet dhe të jetë një vend evropian. Testi i fundit për këtë është Kosova”, deklaroi Hoxhaj. /Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera