Lajme

Kosova “harron” dialogun me Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 16:01 | 15 August 2017

Moskrijimi i institucioneve të reja të Kosovës edhe pas dy muajve nga zgjedhjet parlamentare, po konsiderohet se i ka shkaktuar vonesa të mëdha Kosovës edhe në dialogun politik me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pafuqia e lidershipit të Kosovës për të krijuar institucionet e reja, sipas analistëve i ka mundësuar Serbisë që të fitojë terren në arenën diplomatike, ndërkohë që pala serbe ka dërguar sinjal te bashkësia ndërkombëtare se Kosova është e papjekur për tu marrë me çështje të rëndësishme, siç është dialogu.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se sjellja e lidershipit në Kosovë lë shumë për të dëshiruar në këto momente kur ka një dinamizëm të madh, qoftë nga mekanizmat ndërkombëtare, qoftë nga Serbia, lidhur më atë sesi duhet ecur tutje.

-Advertisement-

“Me një qasje të tillë Serbia po fiton terren në arenën diplomatike, pasi që po del të jetë më e përgatitura, po del të krijon pozicionet e veta, derisa institucionet tona që janë në shkuarje për t’i lënë vend atyre të zgjedhjeve të 11 qershorit ende nuk janë të themeluara dhe nuk dinë se me çka do të merren kur ta marrin mandatin e ri, nëse do ta marrin pasi që gjendja aktuale nuk është shumë premtuese”, thekson Ujkani.

Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se shteti serb po e shfrytëzon vakuumin institucional të Kosovës.

“Zyrtarët shtetërorë të Serbisë, si duket po e shfrytëzojnë vakuumin institucional të Kosovës. Unë mendoj se këtë po e bëjnë jo pa qëllim, në mënyrë që të propozojnë idetë e tyre, dhe në anën tjetër që t’i japin sinjal bashkësisë ndërkombëtare në radhë të parë, se Kosova nuk është e gatshme të merret me këto çështje, respektivisht të shprehin papjekurinë e institucioneve të Kosovës karshi çështjeve të rëndësishme, siç është dialogu dhe siç është edhe e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thekson Mushkolaj.

Sipas tij, pala kosovare me vetëdije të plotë ua ka lënë këtë hapësirë shtetit serb dhe ata po e shfrytëzojnë këtë.

Një ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vetëm Serbia në negociatat me Bashkimin Evropian, e ka edhe kapitullin 35, i cili ka të bëjë me Kosovën, dhe se kjo nuk guxon të harrohet dhe për këtë arsye mendon se Serbisë i duhet dialogu i brendshëm për Kosovën.

Derisa, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka sugjeruar që zgjidhja e konfliktit serbo-shqiptar të bëhet me kompromis historik.

Nisur nga e gjithë kjo, analisti Ujkani thotë se Kosova po humb shumë, pasi që sipas tij, po i jep mundësi Serbisë që të propozojë ide, e që do të ketë më pas përparësi edhe në agjendën politike.

“Në njërën anë flet Vuçiqi për kompromisin historik ashtu siç e quan ai, në anën tjetër flet Daçiqi që thotë ndarja e Kosovës është një mundësi. E ne çka po flasim? Ne nuk po arrijmë ta kemi një alternativ apo të kemi një pozicion të qartë në këtë drejtim dhe kjo nuk shihet që do të kemi sepse nuk kemi institucione për momentin, dhe humbja jonë në këtë drejtim është e madhe”, thekson Ujkani.

Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar takimin e fundit në nivel të lartë në korrik të këtij viti.

Ky takim ishte zhvilluar në nivelin politik të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, që është një dimension i ri i dialogut, i cili kryesisht është zhvilluar në nivelin e kryeministrave.

Në takimet e fundit të dy presidentët, ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishin pajtuar që të hapet një fazë e re e negociatave që çon drejt normalizimit dhe pajtimit.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pati hapur kapituj të rinj për të dyja vendet në procesin e integrimeve evropiane.

Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, ndërkohë që Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian.

Deri më tani Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një varg marrëveshjesh në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, përfshirë edhe marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera