Uncategorized

PAN vendos që përfundimisht të bojkotojë seancën e sotme të Kuvendit

Autori: Gazeta inFokus 08:26 | 04 August 2017

Përfaqësuesit e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, përmes një konference për medie dje pasdite kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është paralajmëruar për ditën e premte (sot).

Blerand Stavileci, nga Partia Demokratike e Kosovës e cila është pjesë e koalicionit PAN, ka thënë se gjatë seancës konstituive të Kuvendit nuk janë respektuar rregullat demokratike. Ftesa për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për ditën e premte, sipas tij, është bërë në mënyrë arbitrare, jodemokratike, pa u konsultuar me të gjitha partitë politike dhe deputetët e koalicionit PAN nuk do të marrin pjesë në një seancë të tillë.

“Qëndrimi i koalicionit tonë është: Jo. Ne këtë e kemi thënë dhe e kemi shprehur se askush nuk mundet në mënyrë arbitrare dhe autoritare ta bëjë një ftesë të tillë. E kemi parë edhe sot sesi e ka dhunuar atë foltore dhe si janë bërë gabimet. Ne e kemi kërkuar shtyrjen e ata e kanë mbyllur seancën”.
Stavileci ka thënë se përderisa ka presione publike dhe private ndaj deputetëve të caktuar nga grupe dhe individë të caktuar, koalicioni PAN nuk do të kthehet në seancën konstituive të Kuvendit.

-Advertisement-

 

Më tutje ai tha se mentaliteti uzurpues dhe manipulues i “Vetëvendosjes” dhe i LAA-së e cenoi vullnetin qytetar dhe nuk i jep zgjidhje problemit.
“PDK-ja është e vendosur dhe nuk i nënshtrohet diktatit politik. Ne i sigurojmë qytetarët dhe votuesit e PDK-së që do ta respektojmë vullnetin e tyre. PDK-ja vazhdon të jetë garanci për të ardhmen. Nuk do të marrim pjesë derisa seancat thirren në këtë mënyrë”, ka thënë ai.

Por, PDK-ja, siç tha Stavileci, thekson se përpjekjet e subjekteve humbëse për krijimin e institucioneve do të dështojnë. Sipas këtij subjekti politik, institucionet e Republikës së Kosovës do të formohen mbi vullnetin e shprehur të qytetarëve dhe jo mbi inatet personale të grupeve politike që me qasjen e tyre destruktive po e bllokojnë të ardhmen e Kosovës.

“Përpjekjet e subjekteve politike humbëse të zgjedhjeve për të bllokuar krijimin e institucioneve shtetërore do të dështojnë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet e 11 qershorit”. Stavileci ka thënë se mentaliteti uzurpues, siç e quajti ai i LVV-së e i LDK-së, është shqetësues pasi kjo nuk jep zgjidhje të problemit, por e legjitimon uzurpimin e shtetit dhe të institucioneve. “Mentaliteti uzurpues dhe manipulues i partisë ‘Vetëvendosje’ dhe i koalicionit të LDK-së është shqetësues jo vetëm për situatën aktuale, as vetëm për një pozicion politik siç mund të jetë pozita e kryeministrit apo e kryeparlamentarit, por për kushtetutshmërinë dhe vullnetin e cenuar qytetar, duke krijuar kështu precedentë që nuk i japin zgjidhje problemit, por e legjitimojnë metodën e tyre uzurpatore për shtetin dhe për institucionet”, ka thënë ai.

Stavileci krejt në fund tha se siç janë dëshmuar deri më tash në themelimin, mbrojtjen dhe respektimin e institucioneve shtetërore i sigurojnë qytetarët dhe votuesit e PDK-së se do ta respektojmë vullnetin e tyre duke i formuar shumë shpejt institucionet e Kosovës. “Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë garanci e vlerave euroatlantike të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera