Lajme

Rama kërcënon drejtuesit e Hipotekave: Keni 24 orë kohë për t’u dorëhequr

Autori: Gazeta inFokus 19:37 | 27 July 2017

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Kryeministri një takim me drejtuesit e hipotekave në të gjithë vendin. Me një ton kërcënues ai u ka kërkuar atyre që të japin dorëheqjen brenda 24 orëve, pasi i kanë torturuar njerëzit.

“Domethënë të jesh përgjigjur në afat ligjor 3 % të kërkesave unë nuk e di se çfarë duhet më. Kush e ka të drejtën t’i shkelë qytetarëve të drejtën e tyre për afatet ligjore? Janë detyruese. Tallje kolektive ndaj njerëzve. Ta marrin këtë vendim me dinjitet. Nuk jeni për këtë punë, ikni që tani. Të gjithë komplet ju ftoj të jepni dorëheqjen brenda 24 orësh”, – tha Rama.

Në vijim të fjalës së tij, Kryeministri u bëri me dije krerëve të Hipotekave se dorëheqja është një mundësi që ata të dalin me dinjitet nga kjo pune, por të mos kujtojnë se nëse refuzojnë nuk mund të shkarkohen.

-Advertisement-

Rama shoqërohej në këtë takim nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame dhe drejtoresha e përgjithshme e Hipotekave.

Ky zhvillim i sotëm është në vazhdën e retorikës dhe gjesteve që Rama po bën që pas 25 qershorit. Kujtojmë dëgjesat e tij publike me njerëzit, për gjoja ndërtimin e një ‘platforme bashkëqeverisëse’, por që në fakt janë kthyer në ‘gjyqe’ publike për drejtues të institucioneve, të cilët Rama i përdor si mish për top për t’i bërë jehonë zotimit të tij se në këtë mandat do të reformojë administratën.

Dorëheqja e kërkuar në bllok për drejtuesit e Hipotekave provon një tjetër dështim të tij në këto 4 vite, edhe pse ai sjell si justifikim ‘tepsinë e pushtetit’ që ndahej me LSI-në. Me formimin e qeverisë së re, është paralajmëruar krijimi i Agjensisë Kombëtare të Titujve, duke shkrirë në të disa institucione si Agjensia Kombëtare e Pronave, ALUIZNI, Hipotekat etj./LAPSI.AL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera