Lajme

Banorët e Fushë Kosovës kundërshtojnë ndërtimin e shkollës! (VIDEO)

Autori: Gazeta inFokus 13:46 | 20 July 2017

Numri i madh i nxënësve në Fushë Kosovë ka bërë që të merret vendim për ndërtimin edhe të një shkolle pranë “Kompleksit 300” në lagjen “Dardania”.

Por ndërtimin e  këtij objekti po e kundërshtojnë banorët e kësaj lagjeje.

Për këtë ata kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për ta kundërshtuar ndërtimin e shkollës.

-Advertisement-

Iniciuesi i këtij peticioni, Veton Jusufi tha për KosovaPress nëpërmjet telefonit se nuk janë kundër ndërtimit të shkollës,  por janë kundër lokacionit se ku është vendosur të ndërtohet shkolla.

“Ne nuk jemi kundër shkollës por jemi kundër lokacionit i cili po na e nxen hapësirën krejt komplet, shumica janë për ndryshimin  e lokacionit jo aty me u bë por pak më lartë, do me thanë edhe ka hapësirë pak ma lartë me shku vetëm mos me na e nxënë hapësirën”tha Jusufi.

Lidhur me kundërshtimin e qytetarëve për punimet e shkollës, zyrtari për informim në komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli tha se qytetarët nuk po e kundërshtojnë ndërtimin e shkollës, mirëpo janë kundër lokacionit se ku po ndërtohet objekti.

Ai u shpreh se komuna nuk ka hapësira tjera ideale për ndërtimin e shkollës, prandaj është vendosur që në atë pronë publike të ndërtohet objekti.

Topalli për KosovaPress tha se janë të imponuar për të ndërtuar këtë shkollë për shkak të numrit të madh të nxënësve në shkollën fillore “Mihal Grameno”.

Pakënaqësinë për ndërtimin e shkollës e ka shfaqur edhe banorja e kësaj lagje, Kimete Ahmeti  e cila për KosovaPress tha se e kundërshton ndërtimin e objektit të kësaj shkolle në këtë hapësirë sepse po ua marrin gjelbërimin, dhe kështu po u dëmtojnë infrastrukturën  300 banesave të kësaj lagje.

Ndërtimin e shkollës në këtë komunë e ka mirëpritur edhe drejtori i arsimit i kësaj komune, Islam Shabani i cili tha për KosovaPress se ndërtimi i shkollës padyshim që do të ndikojë në cilësinë e mësimit për faktin se shkolla fillore “Mihal Grameno” punon në tri ndërrime dhe numri i nxënësve në një klasë arrin deri në 47 nxënës.

Ndërtimi i kësaj shkolle është financuar nga komuna e Fushë-Kosovës dhe punimet sipas planit të paraparë pritet të përfundojnë pas një viti. /KosovaPress/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera