Lajme

“Syfyri hallall” me Coca-Cola nën flamurin e ISIS-it u kushtoi 18 vjet burg

Autori: Gazeta inFokus 18:04 | 19 July 2017

Një syfyr hallall me pijen e njohur amerikane dhe nën flamurin e ISIS do t’u kushtojë me mbi 18 vjet burgim pesë të arrestuarve të “Rasti i Badovcit”.

Të dënuarit për terrorizëm që dëshironin ta shijonin syfyrin nën flamurin e ISISI-it duke pirë Coca- Cola në brigjet e liqenit të Badovcit janë rishpallur fajtorë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Besnik e Enis Latifi, Milazim Haxhija, Gazmend Haliti e Fehmi Musa do vuajnë mbi 18 vite burgim për ngjarjen e cila shkaktoi ndaljen e ujit dhe shumë panik në kryeqytetin e vendit.

-Advertisement-

Mbrëmjen e 10 korrikut të 2015-ës një rojtar i liqenit të Badovcit kishte vërejtur lëvizje të dyshimta në afërsi të plazheve të ujëmbledhësit. Dy vetura dhe disa persona ishin vërejtur në lëvizje të dyshimta rreth liqenit.

Telefonata tek policia kishte bërë që makinat të ndaloheshin dhe pjesëmarrësit të bastiseshin. Rasti që në dukje ishte parë si një dyshim çasti, doli të jetë diçka që Prokurorja speciale Drita Hajdari do e quante “Dukuri të importuar nga jashtë”, shkruan KALLXO.com.

Krejt rastësisht roja dhe policia zbuluan planin e përkrahësve të ISIS për të bërë fotografi me flamurin e terrorit në brigjet e liqenit të Prishtinës. Bashkë me flamurin ishin zbuluar uniforma ushtarake, maska dhe një kallashnikov.

Në çantat e grupit policia zbuloi edhe atë që ishte elementi kyç i rastit, një letër në gjuhën arabe ku shënohej zotimi i grupit ndaj liderit të ISIS.

“Betohemi mësuesit, luftëtarit të fesë Ebu Bakër el Hysein al Kruejshi el Bagdadi për dëgjueshmëri dhe për zbatimin e urdhrave në rastet e vështira deri në sakrificë“, shkruhej në letrën e siguruar nga policia.

Të dhënat e siguruara nga kjo bastisje e bënë Prokurorinë të besojë se grupi kishte qëllim terrorist.

Në mbrojtjen e tyre të akuzuarit kishin mohuar qëllimin për të shkaktuar frikë.

Njëri nga anëtaret e grupit kishte deklaruar se qëllimi i grupit ishte të hanin syfyr.

“Kemi dashtë të kalonin një syfyr me hamburgerë hallall dhe coca- colë”, kishte thënë ai.

Plani për syfyrin hallall kishte shkaktuar panik tek qytetarët. Arrestimi i grupit ishte bërë lajm ndërkombëtarë, ndërsa autoritetet kryen analiza të detajuara të ujit për të verifikuar nëse uji ishte helmuar.

Edhe pse liqeni u ruajt një kohë nën masa të rrepta të sigurisë dhe u ndërpre përkohësisht furnizimi me ujë, nga kontrollet e policisë rezultoi se frika për helmimin e liqenit ishte e pabazuar, sikurse e pabazuar ishte edhe frika për shkatërrimin e digës së liqenit. Pasi pretendohej se njëri nga të akuzuarit kishte punuar më herët në këtë objekt.

Baza e aktakuzës

Megjithatë edhe pse nuk u gjet helmi, nga kontrollet e policisë më pas u gjet një letër në të cilën shprehej betimi për besnikëri ndaj liderit të ISIS Abu Beker Al-Bagdadi. Sipas Prokurorisë qëllimi ishte xhirimi i një videoje dhe publikimi i saj në internet me qëllim të dëshmimit të shtrirjes së ISIS në Kosovë.

Kjo e gjetur më pas u bë boshti i aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës të cilën e përfaqësoi prokurorja Drita Hajdari, e që Besnik e Enis Latifin, Milazim Haxhiajn, Gazmend Halitin e Betim Ibrahimajn i akuzonte për përgatitje të veprave terroriste kundër rendit kushtetues të Kosovës sipas nenit 144 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 145 dhe nenin 135 paragrafi 1 nënparagrafi 1.7 sipas Kodit Penal të Kosovës e dënueshme prej 10 deri në 20 vjet.

I akuzuari i gjashtë Fehmi Musa akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

Në gjykimin që zgjati afër një vit, prokurorja Drita Hajdari u përpoq të argumentojë para trupit gjykues fajësinë e të akuzuarve duke e cilësuar fatkeqe importimin e një dukurie aq të rrezikshme sa terrorizmi edhe në Kosovë.

Këto pretendime u mohuan nga të pesë të akuzuarit që u deklaruan ta pafajshëm gjatë gjithë procesit. Ndërsa për të akuzuarin Betim Brahimaj i tërë rasti mbetet i mjegulluar sepse asnjëherë nuk u paraqit para gjykatës lidhur me këtë rast dhe vazhdon të mbetet në arrati.

Madje i akuzuari, Fehmi Musa në mbrojtjen e tij fajtor për shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në Siri e bëri ish-ministrin e punëve të jashtme Enver Hoxhaj, që kishte bërë thirrje për ndihmë opozitës siriane.

Gjykimi në një pjesë të mirë të tij ishte i mbyllur për shkak se u dëgjua një dëshmitar i mbrojtur. Ndërsa për mesataren e kohëzgjatjes së gjykimeve në Kosovë rasti u krye relativisht shpejtë, pasi që më 18 korrik 2016, Gjykata Themelore e Prishtinës solli vendimin e parë lidhur me këtë rast.

Më 18 korrik të vitit të kaluar Gjykata Themelore e Prishtinës e përbërë nga anëtarët e trupit gjykues, me kryetare gjyqtaren Valbona Musliu-Selimaj dhe anëtarët Faik Hoxha që tashmë është avokat dhe Nora Bllaca-Dula tashmë gjyqtare në Apelshqiptuan rreth gjysmë shekulli burg ndaj të akuzuarve.

Sipas vendimit të gjykatës, Besnik Latifi u dënua me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

Avokatët mbrojtës këto dënime i quajtën skandaloze, ndërsa të pakënaqur ju drejtuan Gjykatës së Apelit, gjykatë kjo që pas seancës së mbajtur në nëntor të vitit të kaluar vërtetoi në tërësi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Të bindur se vendimi i Gjykatës Themelore nuk ishte i drejtë avokatët ju drejtuan me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme të Kosovës si instanca e fundit e gjykatave të rregullta në Kosovë.

Afër pesë muaj pasi kishte vendosur Gjykata e Apelit, në prill të vitit 2017, Gjykata Supreme e Kosovës e riktheu në pikën fillestare rastin pasi gjeti një varg shkeljes esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

“Gjykata Supreme konstatoi se janë të bazuara pretendimet në kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë në të cilat ceken të metat e aktgjykimeve të kundërshtuara lidhur me paqartësitë e dispozitivit të Aktgjykimit të shkallës së parë dhe me mosdhënien e arsyeve ligjore për elementet qenësore të veprës penale”, ishte vetëm njëra nga vërejtjet e evidentuara nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Duke renditur edhe një varg shkeljesh nga Gjykata Themelore dhe e Apelit, Gjykata Supreme urdhëroi që në rigjykim lënda të trajtohet më me kujdes.

“Sidomos duhet të arsyetohet qëllimi i shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm apo zjarrvënies dhe qëllimi i dërgimit të grupeve të armatosura, pajisjeve, burimeve tjera materiale në ose jashtë Republikës së Kosovës me qëllim që ligji penal të aplikohet në mënyrë të drejtë”, urdhërohej në vendimin e Gjykatës Supreme.

KALLXO.com ekskluzivisht raportoi për gjithë ecurinë e këtij procesi, por edhe për vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Ndryshimi i aktakuzës në rigjykim

Duke vepruar sipas udhëzimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës në fjalën e saj përfundimtare në rigjykim, prokurorja Drita Hajdari ndryshoi aktakuzën ndaj të akuzuarve.

Prokurorja Hajdari ndryshoi kualifikimin juridik, ashtu që hoqi dorë nga neni 135 më saktësisht nga paragrafi 1.7 i këtij neni në të cilin parashihej zjarrvënia dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm si dy prej elementeve që prokurorja e kishte ndërlidhur kryerjen e veprave penale të terrorizmit.

Avokatët mbrojtës reaguan ndaj këtij ndryshimi, duke thënë se pas këtij ndryshimi aktakuza është bërë e paqëndrueshme dhe se i ka humbur baza e saj.

Madje debate të ashpra shoqëruan seancën e fjalës përfundimtare, aq sa prokurorja Drita Hajdari tha se “shpreson që avokatët të mos pendohen për mbrojtjen e tyre në këtë rast”, duke përmendur kryerjen e veprave terroriste në disa vende Evropiane.

Avokati Tmava e kundërshtoi ashpër këtë pretendim duke thënë se në 46 vjet përvojë nuk është penduar asnjëherë për ndonjë veprim të tij, pasi që nuk ka vepruar me standarde të dyfishta e supozime.

Pasi dëgjuan gjithë atë që kishte për t`u thënë nga palët për rastësi vetëm një ditë dallim nga data kur ishte shpallur aktgjykimi për herën e parë, pra më 19 korrik 2017 Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli aktgjykimin rishtazi.

Përpos dallimit në trupin gjykues, që tani përveç kryetares Valbona Musliu-Selimaj përbëhej nga gjyqtarët Valon Kurtaj e Vesel Ismajli, dallime thelbësore pati edhe në dënimet e shqiptuara.

Gjykata ri- kualifikoi veprat e pretenduara nga prokurorja nga përgatitja e veprave terroriste në veprën shtytje në kryerjen e veprave terroriste e mbetur në tentativë.

Si rrjedhojë e ri- cilësimit të veprave nga ana e gjykatës edhe dënimet pësuan ulje drastike.

Besnik Latifi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg, ndërsa Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Enis Latifi u dënuan me nga 3 vjet e 6 muaj, ndërsa i akuzuari për ndihmë në kryerjen e veprës penale në tentativë Fehmi Musa u dënua me 3 vjet burg.

Kështu, njëri nga proceset më të përfolura të terrorizmit në Kosovë gjeti epilogun nga Gjykata e Shkallës së Parë, ndërsa avokatët mbrojtës ndryshimin e aktakuzës dhe lehtësimin e dënimeve ja atribuuan vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Në anën tjetër, prokurorja Drita Hajdari e cila në rigjykim përpos që ndryshoi aktakuzën nuk prezantoi ndonjë provë të re, nuk prezantoi në shpalljen e aktgjykimit për të pasur mundësinë e marrjes së një opinioni të saj lidhur me këtë vendim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera