Lajme

Maqedoni: Prokurorisë Speciale i skadon afati për ngritjen e aktakuzave

Autori: Gazeta inFokus 10:40 | 30 June 2017

Një ditë para skadimit të afatit për ngritjen e padive për lëndë që dalin nga bisedat e përgjuara. Prokuroria Speciale Publike në Maqedoni informon opinionin për punën e saj gjatë këtij mandati.

“PSP ka ngritur 17 aktakuza  për 18 raste kundër 94 personave, ndërsa numri i përgjithshëm është 20 aktakuza”, ka thënë prokurorja speciale Katica Janeva. Ajo po ashtu ka thënë se për mungesë të bashkëpunimit Prokuroria Speciale Publike nuk ka mundur të vazhdojë me disa procedura. “Ka shumë lëndë që duhej të hapeshin por që nuk janë hapur akoma. Unë nuk vendosa ta hap lëndën Shkupi 2014. Aty janë kërcënuar të drejtat e gjithë qytetarëve”, u shpreh Janeva. Sipas saj ka shumë vepra për t’u ripunuar dhe PSP-ja do të vazhdojë të punojë me të njëjtin ritëm që kanë punuar deri tani. Ajo theksoi gjithashtu se puna do të vazhdojë edhe pas 1 korrikut dhe asgjë nuk mund ta ndalë në misionin e vet.

Prokurorja Speciale Katica Janeva e pyetur  në lidhje me rastin “Monstra” tha se ata nuk kanë marrë përgjigje ende nga Këshilli i Prokurorëve, nëse janë kompetente për këtë lëndë apo jo. Janeva shfaqi bindjen se Gjykata do t’u kushtojë vëmendje dëshmive të PSP-së dhe bazave në të cilat ata i parashtrojnë aktakuzat, me pritje se do t’i mbështesë dhe konfirmojë aktakuzat, me qëllim që ato të gjejnë epilog gjyqësor. “Vendi ku duhet të kryqëzohen argumentet tona me ato të mbrojtjes është salla e gjykatës”, thekson prokurorja speciale Katica Janeva.

-Advertisement-

Prokurorja speciale Katica Janeva

Janeva ka thënë se do të kërkojë paraburgim për një lider të partisë politike. Në prezantimet të cilat PSP ua ka ndarë mediave shihet se në rastin “Titanik”, ekipi i Janevës kërkon paraburgim për Nikolla Gruevksin, Martin Protugjerin, Kiril Bozhinovskin, Mile Janakieskin dhe Gordana Jankulloskën.

Ekspertët: Prokurorisë speciale duhet t’i vazhdohet mandati

Sipas ekspertit juridik Bekim Kadriu me mbarimin e afatit kohor prej 18 muajsh për ngritje e aktakuzave nuk mbaron puna e PSP-së. Zgjidhja ideale sipas Kadriut do të ishte vazhdimi i mandatit lidhur me ngritjen e aktakuzave për të cilën duhet një konsensus politik.

“Për këto tri vite e gjysmë që do t’i ngelin PSP dy kompetenca të saj do të jenë shumë të rëndësishme – prokuroria speciale të vazhdojë të bëjë hetimin e rasteve dhe të dëgjojë bisedat që i ka në posedim me qëllim të zhvillimit të procedurës hetimore parapenale deri në fazën e ngritjes së aktakuzës. Mirëpo meqë ka pengesë ligjore për ngritjen e aktakuzës, por në momentin kur përgatitet aktakuza atëherë PSP duhet lëndën ta bartë të prokuroria e përgjithshme. Kompetenca e dytë ka të bëjë me përfaqësimi i lëndëve të PSP “, thotë Bekim Kadriu.

Eksperti i së drejtës penale Andrej Bozhinovski thotë se lënda “Target” është burim i të gjithë hetimeve tjera që janë pjesë e bombave, dhe se afati i Speciales nuk do të ishte i përmbushur nëse nuk do të përmbyllej lënda “Target”. “Mendoj se nuk është e pranueshme të ketë afat prej 18 muajsh në raport me vëllimin e hetimit që PSP duhet të udhëheqë. Rastit “Target” është qendra e të gjithë hetimeve të tjera që janë pjesë e bombave. Mendoj se pa mbarimin e “Target” mandati i Speciales nuk është i përmbushur derisa nuk hetohet se kush, çfarë ka përgjuar”, thotë ekspert i së drejtës penale Andrej Bozhinovski.

Shumica parlamentare ka informuar koordinatorët e partive politike parlamentare se  është e nevojshme që të arrihet një marrëveshje politike mbi ligjet e PSP-së. Koordinatori i Grupit parlamentar të LSDM-së Tomisllav Tunteva ka bërë të ditur se ligji për PSP-në do të futet në procedurë parlamentare gjatë javës së ardhshme.

Mandati i PSP-së është katër vite me të drejtë të vazhdimit një vit për prokurorët. /DW/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera